Denoncimi i PD-së: Rama nënshkruan kontratë me kompaninë amerikane për të konsoliduar pushtetin e tij e jo për të luftuar korrupsionin

Zëdhënësja e antikorrupsionit ka denoncuar një kontratë që Edi Rama ka nënshkruar me Boston Consulting Group.

Ajo shprehet se ai e ka bërë këtë për të konsoliduar pushtetin e tij e jo për të luftuar korrupsionin.

DEKLARATË E ZËDHËNËSES SË ANTIKORRUPSIONIT NË PD, GENTA VANGJELI:

Më 29 Maj 2024 Edi Rama nënshkroi VKM nr. 327, me objekt: Autorizimin e ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin të negociojnë drejtpërdrejt me subjektin ndërkombëtar BOSTON CONSULTING GROUP (BCG) për ofrimin e shërbimit të konsulencës për identifikimin e mekanizmave eficientë për të nxitur më tej luftën kundër korrupsionit dhe mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale (IA) për këtë qëllim.

Negocimi ka në objekt këto 3 (tri) fusha:

a) Analizë për identifikimin e mekanizmave efecientë dhe dhënien e rekomandimeve për luftën kundër korrupsionit,

b) Analizë dhe rekomandime, me qëllim parandalimin e korrupsionit në ofrimin e shërbimeve publike

c) Analizë dhe rekomandime për mundësinë e përdorimit të inteligjencës artificiale në proceset vendimmarrëse dhe atë të ofrimit të shërbimeve.

Sipas burimeve të treta, p.sh. gazetës The New York Times, kjo kompani ka qenë në qendër të disa skandaleve.

Artikulli i dt. 11 Prillit 2018 i kësaj gazete prestigjioze shkruan se  Boston Consulting Group ka ndihmuar Princin e Kurorës Mohammed bin Salman të konsolidojë pushtetin në Arabinë Saudite etj…

Mesa duket ky është edhe qëllimi i bashkëpunimit të Edi Ramës me këtë kompani.

1. Përse Edi Rama po kërkon kontraktim të drejtpërdrejtë me një subjekt me qëllim luftën antikorrupsion kur SPAK, Prokurori, Struktura anti-kurrupsion në KM , Drejtoritë e auditimit në institucione shtetërore paguhen me taksat e shqiptarëve për këtë qëllim duke mbivendosur objektin e veprimtarisë së këtyre organeve shtetërore?

2. Pse dhe kush përzgjodhi subjektin BOSTON CONSULTING GROUP?

3. Përse kjo procedurë u miratua me VKM të personalizuar nga Edi Rama, në mungesë totale transparence, dhe nuk ju nënshtrua procedurave të garës sikurse parashikon legjislacioni shqiptar në fuqi, nga e cila do dilte edhe fituesi i cili do zbatonte këtë projekt?

4. Sa është vlera totale e implemetimit të këtij projekti dhe kush do e paguajë?

Partia Demokratike garanton opinionin publik dhe Edi Ramën, nënshkrues serial antiligjor aktesh të personalizuara dhe pa transparencë në favor kumbarëve të tij ala McGonigal, se do ta ndjekë në çdo hap të gjithë këtë procedurë dhe zbatimin e saj, me qëllim për të shmangur vjedhjen e taksave të shqiptarëve të cilat shkojnë në xhepat e lobistëve në favor të Edi Ramës për të siguruar vijimin e pushtetit të tij.

Përrallat me mamadhi ku Edi Rama lufton korrupsionin që ai vetë bën, shqiptarët nuk i besojnë më./tpz

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne