Dëshmitarët izraelitë konfirmojnë edhe një herë se tanket izraelite vranë edhe qytetarët e tyre

Një dëshmitar i ri i cili foli rreth ndodhive të 7 tetorit në Izrael, zbuloi edhe një herë se në ditën e incidentit, tanket izraelite bashkë me anëtarët e Hamasit qëlluan qytetarët e tyre në një shtëpi, duke shkaktuar vdekjen e 14 pengjeve izraelite, përfshirë fëmijë. Sipas lajmeve që u pasqyruan në mediat izraelite më 19 nëntor, ishte bërë e ditur se në sulmin e Hamasit më 7 tetor në një kibbutz (komunitet rural bujqësor) në rajonin Beeri kishin humbur jetën 14 persona, përfshirë vajzën 12-vjeçare Liel Hetzroni.

Çështja u mbulua gjerësisht në mediat izraelite me titujt “Brutaliteti i Hamasit”.

– Deklaratat e dëshmitarëve e tregojnë plotësisht të kundërtën e pretendimeve të Izraelit

Megjithatë, pasi Yasmin Porat, e cila ndodhej në shtëpinë ku mbaheshin peng binjakët Liel dhe Yanai Hetzroni dhe e cila mbijetoi, tha më 15 nëntor se shkaku i vdekjes ishte zjarri i tankeve izraelite, edhe Hadas Dagan, pronarja e shtëpisë ku ishin pengjet duke u prononcuar në lidhje me rastin ka thyer heshtjen. Në një intervistë për “Channel 12” që transmeton në Izrael, Dagan konfirmoi se ushtria izraelite ka sulmuar me tanke dhe armë të rënda shtëpinë ku mbaheshin civilët izraelitë nga Hamasi.

Ajo tregoi se në shtëpi kanë humbur jetën 14 persona që mbaheshin peng, përfshirë edhe bashkëshortin e saj. “Në atë moment, e kuptova qartë se roli ynë ishte të ishim një mur njerëzor midis forcave tona dhe atyre (Hamasit)”, tha ajo.

– Nuk do t’i harroj kurrë britmat e binjakëve

Dagan shpjegoi me lot në sy momentin e vdekjes së binjakëve. “Nuk do t’i harroj kurrë britmat e binjakëve, se si kërkuan ndihmë”, tha ajo.

Sipas saj, kur ushtarët izraelitë filluan të sulmojnë me armë të rënda, fillimisht kanë mbetur të heshtur me bashkëshortin e saj, ndërsa më pas e kanë vërejtur se fqinjët e tyre kanë vdekur. “Për një moment (bashkëshorti im) më tha, ‘Hadas, Ze’ev tashmë nuk është në mesin tonë’. Edhe unë duke shikuar përreth i thash ‘As Pessi nuk është në mesin tonë'”, shpjegoi Dagan.

Duke folur për momentin kur e humbi bashkëshortin e saj, Dagan tha: “Më pas dëgjova një shpërthim të tmerrshëm. Nuk mundesha t’i lëviz këmbët. Nuk mundesha ta përqafoj Adi-n. Atë moment atij i thash se sa e dua. Tashmë e dija se jashtë ishte një tank. Pastaj erdhi shpërthimi i dytë. Ndjeva se jam lënduar. E pash që rridhte gjak mbi mua. E ktheva kokën dhe e pash një vrimë në arterien e Adi-t. Për ta ndalur gjakun që derdhej e shtypa me gisht. Çfarë mund të bëja tjetër? Pastaj për një moment vura re se ai nuk po lëvizte më. Pastaj kuptova se isha tashmë në një pellg gjaku dhe nuk kishte kuptim të shtypja gishtin tim”.

– Forcat izraelite të sigurisë e dinin se kishte civilë në shtëpi

Yasmin Porat, e cila ishte në shtëpinë ku mbaheshin peng binjakët dhe mbijetoi, ndau detaje rreth ditës së incidentit në një intervistë me radion shtetërore izraelite KAN më 15 nëntor. Ajo ka shpjeguar se shtëpia ku ka qenë me anëtarët e Hamasit është rrethuar nga forcat izraelite të sigurisë, ka pasur një konflikt të dhunshëm mes palëve dhe pas një kohe një anëtar i Hamasit ka vendosur të dorëzohet dhe e ka marrë atë me vete dhe kanë dalë.

Duke thënë se forcat izraelite të sigurisë e morën në pyetje atë dhe anëtarin e Hamasit, Porat theksoi se gjatë marrjes në pyetje prej tri orësh, ajo u tregoi zyrtarëve izraelitë se sa civilë ishin në shtëpi, ku mbaheshin civilët në shtëpi dhe detaje teknike që mbante mend për shtëpinë. Porat tha se konflikti po vazhdonte gjatë marrjes në pyetje dhe tha se pas afërsisht katër orësh zjarri midis ushtrisë izraelite dhe Hamasit, një tank mbërriti para shtëpisë rreth orës 19:30 me kohën lokale.

“Unë e di se ka patur dy të shtëna nga tanku”, tha Porat, duke shtuar se nxori të njëjtin përfundim nga ajo që i tha Hadas Dagan, e mbijetuara tjetër e konfliktit në fjalë dhe pronarja e shtëpisë ku ata mbaheshin peng.

– Zbulimi “Hanibali kolektiv” nga piloti luftarak izraelit

Piloti luftarak izraelit, nënkoloneli Erez, ka thënë se gjatë sulmit të Hamasit më 7 tetor, u kuptua se ushtria zbatoi “Protokollin e Hanibalit”, i cili parashikon vrasjen e robërve gjithashtu, për të parandaluar dërgimin e civilëve izraelitë si robër në Gaza.

Duke folur për gazetën “Haaretz” për këtë temë, Erez tha: “Shihet se është zbatuar ‘Protokolli i Hanibalit’, sepse kur zbulon një situatë pengmarrjeje, është Hanibal, por Hanibali të cilin ne e kemi praktikuar për 20 vitet e fundit bëhej fjalë për një automjet të vetëm me pengje në të. Ajo që pamë këtu ishte Hanibal kolektiv. Kishte shumë hapësirë në gardhe, kishte mijëra njerëz në shumë automjete të ndryshme me dhe pa pengje”.

– Lajmi i gazetës “Haaretz” për helikopterët

Më 19 nëntor, gazeta “Haaretz” raportoi informacion në lidhje me vlerësimin e sigurisë të bërë nga zyrtarët izraelitë të sigurisë në lidhje me sulmin e kryer nga Hamasi nga Gaza më 7 tetor. Në vlerësimin e zyrtarëve të lartë të sigurisë izraelite, bazuar në të dhënat e marrjes në pyetje të anëtarëve të Hamasit dhe hetimin e policisë për incidentin, thuhet se Hamasi nuk kishte njohuri paraprake për festivalin muzikor të mbajtur pranë Rripit të Gazës.

Në lajm thuhet se nga hetimet e policisë u zbulua se shumica e të pranishmëve të festivalit arritën të largoheshin pasi u vendos që të ndalohej festa gjysmë ore para se të dëgjohej krisma e parë. Në lajm thuhet se hetimi zbuloi se një helikopter luftarak izraelit qëlloi civilët ndërsa hapte zjarr ndaj anëtarëve të Hamasit.”Sipas një burimi policor, hetimi tregon se një helikopter luftarak i ushtrisë izraelite që mbërriti në vendngjarje dhe me sa duket hapi zjarr ndaj terroristëve atje, qëlloi edhe disa pjesëmarrës të festivalit. Sipas policisë, 364 persona u vranë në festival”.

– Lajmi i gazetës “Yedioth Ahronoth”

Gazeta izraelite “Yedioth Ahronoth” publikoi një lajm për momentet kur helikopterët e Forcave Ajrore izraelite ndërhynë në sulmin e kryer nga Hamasi nga Gaza më 7 tetor.

“Terroristët e Hamasit u udhëzuan të përziheshin ngadalë me turmën dhe të mos lëviznin në asnjë rrethanë. Kështu, ata u përpoqën të mashtronin forcat ajrore të besonin se ata që ishin poshtë ishin izraelitë. Ky mashtrim funksionoi për një kohë derisa helikopterët ‘Apache’ duhej të çliroheshin nga të gjitha kufizimet. Kur pilotët e kuptuan se ishte e vështirë të dallonin se kush ishte terrorist dhe kush ishte izraelit, rreth orës 09:00 disa prej tyre vendosën të përdorin predha artilerie kundër terroristëve në mënyrë të pavarur, pa leje nga eprorët e tyre”, pretendohet në lajm lidhur me situatën që ushtria izraelite përjetoi gjatë intervenimit.

– Policia izraelite akuzon shtypin kombëtar për papërgjegjshmëri

Departamenti i policisë izraelite kishte paralajmëruar mediat kombëtare që raportuan se civilët izraelitë mund të kenë vdekur ndërsa helikopterët luftarakë izraelitë po ndërhynin ndaj grupit gjatë sulmit të kryer nga Hamasi nga Gaza më 7 tetor.

“Sidomos gjatë kësaj periudhe u bëjmë thirrje mediave që të tregojnë përgjegjësi në raportimin e tyre dhe të bazojnë lajmet vetëm në burime zyrtare”, thuhej në njoftimin e policisë.

– Izraeli censuroi lajmet e Gazës

Në letrën dërguar mediave më 26 tetor, Njësia Ushtarake e Censurës e Drejtorisë së Inteligjencës Ushtarake të ushtrisë izraelite vendosi ndalime të ndryshme për lajmet për Gazën dhe kërkoi që të dërgoheshin të gjitha lajmet dhe pamjet në lidhje me rrjedhën e luftës dhe aktivitetet e ushtrisë në “njësinë e censurës” përpara publikimit.

Në pamjet e transmetuara nga televizioni izraelit “Channel 12” më 11 nëntor, ndërsa transmetohej nga spitali Barzilai në qytetin Askalan në veri të Rripit të Gazës, një reporter izraelit deklaroi se ai nuk mund të jepte informacion për gjendjen e ushtarëve të sjellë këtu për shkak të censurës së shpallur pas 7 tetorit.

Gazetari izraelit mes tjerash ka theksuar: “Duhet të themi se të gjitha informacionet që ju përcollëm përpara spitalit Barzilai u censuruan nga ushtria izraelite. Mund të themi se ushtarët e plagosur erdhën këtu, por nuk na lejohet të flasim për ta derisa të jepet leja”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne