Shqiperia

Drejtori i Spitalit të Kavajës jep dorëheqjen më pas e mohon, çfarë ndodhi brenda pak minutash?!

Njoftim për dorëheqje nga detyra dhe pak minuta më vonë, një tjetër njoftim që hidhte poshte të parin nga vetë drejtori i spitalit të kavajës Përparim Daiu. Por cfarë e bëri të ndryshoj mendjen në kaq pak kohë Përparim Daiun?

Pyetje që ngre dyshime pasi kemi të bëjmë me qytetin e Kavajës, i perfolur shumë ditët e fundit për mundësinë e ngritjes së Karantinës, që do të mbante të mbyllur brenda dyerve të saj, pacientët që do diagnostikoheshin me Coronavirus.

Rreth orës 17:00 të së martës Daiu në lidhje telefonike për News24 pranoi se kishte dhënë dorëheqjen, por mohoi që ajo të kishte për shkak refuzimin nga ana e tij për ndërtimin e Karantinës në Kavajë. Daiu tha se ai ishte funksionar i shtetit dhe nuk ishte puna e tij të jepte mendime për karantinën, por pohoi se vendimi për dorëheqjen erdhi pas një debati mes tij dhe kreut të Bashkisë së Kavajës Redjan Krali. Por çudia erdhi më pas, kur pa kaluar shumë nga publikimi i lajmit, zoti Daiu tha se vijonte të qëndronte në postin e drejtorit dhe se nuk kishte dhënë dorëheqjen…

Qe kequptim apo diçka më shumë se kaq, ne nuk mund të përcaktojmë qartë, por në të njëjtin orar që lajmi u mediatizua, ish-kryeministri Berisha do të publikonte një status të qytetarit dixhital ku shkruante “se në një mbledhje të thirrur nga kryetari i Kavajës Redjan Krali me të gjithë drejtorët, ka pasur debate të forta me drejtorin e spitalit Përparim Daiu në lidhje me shpalljen e spitalit të Kavajës Karantinë. Pasi Daiu e ka kundërshtuar kategorikisht Redjan Krali i ka kërkuar llogari se në emër të kujt fliste ai dhe duke e sharë e ofenduar i ka thënë se je i shkarkuar nga detyra, dhe mos ta shihte më të nesërmen në punë!”.

Ishte Partia demokratike që ngriti shqetësimin për ndërtimin e Karantinës në Kavajës duke e cilësuar si një papërgjegjshmëri nga ana e qeverisë që karantina të ngrihej në një zonë shumë të populluar. Por përballë këmbënguljes së demokratëve, shefja e Departamentit të Sëmundjeve Infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino nuk pranoi të bëjë publik emrin e qytetit të përzgjedhur, duke pohuar se lajmi mund të shkaktonte panik te popullata e zonës.

Kamera e News 24 pak ditë më parë shkoi pranë spitalit të Kavajes ku konstatoi se nuk ka asnje hap konkret për përgatitjen e ambienteve apo sjelljen e bazës materiale për të funksionuar si karantinë ashtu siç u përfol.

Përfaqësues të spitalit dhe Drejtorisë së Shëndetit Publik thanë se nuk ka mbërritur asnjë shkresë zyrtare për karantinë në spital, një godinë shumë pranë qendrës së banuar./ Balkanweb

OPINIONE