Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, zhvilloi një takim me ambasadorin e Rusisë në Beograd, Aleksandr Karçenko, ku biseduan për marrëdhëniet mes Serbisë dhe Rusisë si dhe për situatën aktuale në Kosovë.
Vuçiç njoftoi gjithashtu se ka marrë një kartolinë urimi për Vitin e Ri dhe Krishtlindje nga presidenti rus, Vladimir Putin, dhe shtoi se i është përgjigjur me urime për mirëqenien e qytetarëve rusë.
“Ambasadorin e informova në detaje për situatën në Kosovë,” deklaroi Vuçiç, duke nënvizuar angazhimin e Serbisë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në rajon. Ai gjithashtu theksoi nevojën për një zgjidhje përfundimtare të çështjeve të pazgjidhura historike.
Ndërkohë Vuçiç ndodhet në një situatë të vështirë politike kur mijëra studentë mbushën rrugët e Beogradit dhe i kërkuan dorëheqjen.
Me 22 dhjetor rreth 100 mijë serbë u mblodhën në një shesh qendror në Beograd duke protestuar kundër presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç dhe qeverisë së tij.
Protesta e organizuar nga studentët dhe sindikatat e fermerëve, është pjesë e një lëvizjeje më të gjerë që kërkon përgjegjësi për shembjen e çatisë së stacioni hekurudhor në qytetin verior të Novi Sadit, që ka pas vetes 15 të vdekur me një nëntor.
Protesta filloi me një heshtje 15-minutëshe në nderim të viktimave dhe u pasua nga brohoritjet “I keni duart e përgjakura”. Tubime më të vogla u mbajtën edhe në qytetet e Nishit dhe Kragujevcit.
Shumë në Serbi fajësojnë për fatkeqësinë korrupsionin e përhapur dhe punimet e dobëta në ndërtesën e stacionit hekurudhor, që u rinovua dy herë në vitet e fundit si pjesë e projekteve të dyshimta që përfshijnë kompanitë shtetërore kineze. Protestuesit kërkojnë që Presidenti Vuçiç dhe përgjegjësit për shembjen e çatisë, të përballen me drejtësinë.
Deri tani autoritetet kanë arrestuar 13 persona për ngjarjen në Novi Sad, përfshirë një ministër që u la më pas i lirë, dukë shtuar mosbesimin e publikut rreth procesit të hetimeve.
Protestat e javëve të fundit e kanë sfiduar pushtetin e Presidentit Vuçiç, kundërshtarët e të cilit e akuzojnë për sundim gjithnjë e më autokratik.
Udhëheqësi serb kërkon zyrtarisht anëtarësimin në Bashkimin Evropian, por është përballur me akuzat për shkeljen e lirive demokratike dhe ruan lidhje të ngushta me Rusinë dhe Kinën./Pamfleti