Erdogan: Një botë e drejtë është e mundur, por jo me Shtetet e Bashkuara

Presidenti i Turqise, Recep Tayyip Erdogan, tha sot se një botë e drejtë është e mundur, por jo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).

“Për fat të keq, armëpushimi (në Gaza) u refuzua në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, vetëm Amerika e refuzoi atë. E vetme. A është kjo drejtësi?…Një botë e drejtë është e mundur, por jo me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Sepse Amerikë po radhitet në anën e Izraelit”, tha Erdogan duke folur në Istanbul në një program të organizuar nga Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AK Parti) me rastin e Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut.

“Për shkak të vetos nga ShBA-ja, nuk u arrit asnjë vendim. Është thelbësore që Këshilli i Sigurimit i OKB-së të reformohet”, tha Erdogan. “Kemi humbur shpresën dhe pritjet tona nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së. Që nga 7 tetori, Këshilli i Sigurimit i OKB-së, misioni i të cilit është të vendosë paqen globale, është kthyer në një mbrojtës të Izraelit”, shtoi ai.

ShBA-ja vuri veto të premten ndaj një rezolute, e cila u paraqit nga Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe u mbështet nga mbi 90 shtete anëtare, që bënte thirrje për armëpushim të menjëhershëm në Gaza. Pati 13 vota pro, kurse Mbretëria e Bashkuar abstenoi. Izraeli rifilloi ofensivën e tij ushtarake në Rripin e Gazës më 1 dhjetor pas përfundimit të një pauze humanitare njëjavore me grupin palestinez Hamas.

Rreth 17.500 palestinezë janë vrarë në enklavën e rrethuar nga sulmet ajrore dhe tokësore izraelite që nga ofensiva e Hamasit më 7 tetor. Erdogan theksoi se qeveria izraelite, me mbështetje të plotë të Perëndimit, po kryen mizori dhe masakra në Gaza që turpërojnë njerëzimin në tërësi. “Kasapat e Gazës” duhet të mbajnë përgjegjësi për krimet kundër njerëzimit, tha Erdoğan, duke shtuar se ata do të mbajnë përgjegjësi “herët a vonë”.

Presidenti turk tha se Deklarata Universale e OKB-së për të Drejtat e Njeriut po shkelet hapur në Gaza dhe në territoret e pushtuara palestineze. “Ata (Perëndimi) legjitimuan, miratuan, inkurajuan veprime kundër Islamit dhe muslimanëve nën pretekstin e lirisë”, tha po ashtu Erdogan./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne