Fillon Samiti i Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore në Mal të Zi.

Ministri i Jashtëm i Türkiye-s, Hakan Fidan, po merr pjesë në Samitin e krerëve të Shteteve dhe Qeverive të (SEECP) që mbahet në kryeqytetin e Malit të Zi, Podgoricë, raporton Anadolu.

Samiti mbahet në mikpritjen e presidentit malazez Jakov Millatoviq në Pallatin Presidencial të Malit të Zi, ndërsa përveç Fidan marrin pjesë presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, presidenti i Bullgarisë Rumen Radev, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq, ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, komisioneri i Bashkimit Evropian (BE) për Fqinjësi dhe Zgjerim, Olivar Varhelyi, si dhe zyrtarë nga Rumania, Greqia dhe Sllovenia.

Pjesëmarrësit u pritën nga Millatoviq ndërsa pas fotografisë familjare kaluan në sallën ku do të mbahet samiti.

Pas samitit, Millatoviq dhe Pendarovski, vendi i të cilit do të marrë kryesimin e radhës me SEECP, do të mbajnë konferencë të përbashkët për media.

Para samitit ministri turk Fidan zhvilloi takim bilateral me presidentin malazez Millatoviq ndërsa pas samitit pritet të takohet edhe me presidentin e Shqipërisë, Begaj.

Procesi i Bashkëpunimit të Evropës Juglindore

SEECP, u themelua në vitin 1996 me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërmjet vendeve të rajonit në fushën politike dhe të sigurisë, nxitjen e bashkëpunimit ekonomik, zgjerimin e bashkëpunimit në institucionet demokratike, drejtësi, luftimin e veprimtarive të paligjshme si dhe zgjerimin e dimensioneve njerëzore.

Türkiye, është një nga vendet themeluese ndërsa ka qenë kryesuese e SEECP mes viteve 1998-1999, 2009-2010 dhe 2020-2021.

Anëtarë të tjerë të SEECP janë Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Mali i Zi, Moldavia, Rumania, Serbia, Sllovenia dhe Greqia./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne