Gazetari skeptik thotë se vizita në kampet e internimit në Xinjiang konfirmon raportet e mediave perëndimore

Gazetari skeptik thotë se vizita në kampe internimi në Xinjiang konfirmon raportet e mediave perëndimore. Një studiues dhe komentues shqiptar që udhëtoi për në Kinë me ftesën e Pekinit këtë muaj për të hedhur poshtë atë që ai besonte se ishte një anshmëri e mbulimit të mediave perëndimore të burgosjeve masive të ujgurëve në rajonin autonome Xinjiang Ujgur (XUAR), tha se përvoja e tij atje konfirmoi raportet si të vërteta.

Olsi Jazexhi, një pedagog universiteti me doktoraturë në studime të nacionalizmit, u zgjodh nga Kina për të marrë pjesë në një konferencë për gazetarët në XUAR nga 16-24 gusht, gjatë së cilës ai vizitoi disa kampe internimi, ku autoritetet besohet të kenë mbajtur më shumë se 1.5 milion ujgur dhe pakica të tjera myslimane të akuzuar për mbajtjen e “pikëpamjeve të forta fetare” dhe “politikisht të pasakta” që nga prilli 2017.

“Kam pasur pikëpamje pozitive në lidhje me Kinën dhe politikat e jashtme të Kinës, dhe ndonjëherë mendoj se Kina po trajtohet padrejtësisht nga Perëndimi, “i tha ai RFA-së ujgure në një intervistë dhënë se fundmi, duke shtuar se “kjo është ndoshta një nga arsyet që unë u zgjodha për të marrë pjesë në këtë konferencë”.

“Lajmet që Kina po ndërtonte kampe internimi dhe po përndiqte ujgurët dukej e pabesueshme … Unë mezi prisja të shkoja në Xinjiang sepse doja të hulumtoja për veten time se çfarë po ndodh atje. Por pasi shkova, zbulova se shumë nga ato që dëgjojmë në Perëndim për Kinën në fakt nuk janë lajme të rreme”.

Jazexhi tha se pas mbërritjes, atij iu prezantua guida në kryeqytetin XUAR Urumqi, si dhe qytetet rajonale të Aksu (në gjuhen kineze, Akesu) dhe Kashgar (Kashi), gjatë së cilës atij dhe vizitorëve të tjerë shoqëruesi ju tha se historikisht ky rajon i përkiste Kinës, ndërsa ujgurët dhe muslimanët e tjerë etnikë që jetojnë atje janë pasardhësit e “pushtuesve”, kultura e të cilëve është në varësi të asaj të Hanit Kinez.

“Ky rrëfim zyrtar ishte shumë tronditës për ne, dhe ne e shikuam atë të zbatuar kur vizituam qendrat e paraburgimit masiv … që miqtë tanë kinezë i quajnë institucione të formimit profesional, por ne pamë se ato ishin një ferr i vërtetë,” tha ai. Ndërsa Pekini fillimisht mohoi ekzistencën e kampeve, Kina këtë vit ndryshoi zgjidhje dhe filloi të përshkruaj objektet si “shkolla të konviktit” që ofrojnë aftësim profesional për ujgurët, dekurajojnë radikalizmin dhe ndihmojnë në mbrojtjen e vendit nga terrorizmi.

Por raportimi nga shërbimi ujgur i RFA-së dhe mediave të tjera thonë se ata që ndodhen në kampe mbahen kundër vullnetit të tyre dhe i nënshtrohen indoktrinimit politik, përballen çdo ditë me trajtim të ashpër nga mbikëqyrësit e tyre dhe trajtohen me dieta dhe kushte shumë të këqija në objekte shpeshherë të mbipopulluara.

Jazexhi tha se orientuesit e grupit të tij i kundërshtuan vlerësimet perëndimore për numrin e ndalimeve si “ekzagjerime”, dhe i tha atij se aktualisht “vetëm 500,000 ujgurë” mbahen në gjithsej 68 kampe, në disa prej të cilave u dërguam më vonë për të kryer vizitat organizuara.

Në Shkollën e Formimit Profesional të Qarkut Onsu (Wensu) në prefekturën Aksu kampi i parë që grupi vizitoi, Jazexhi tha që ai ishte “duke pritur të shihte bomba vetëvrasëse, terroristë, vrasës dhe gjëra të tjera si këto, por… ne zbuluam se “të burgosurit” ishin njerëz të pafajshëm.

“I vetmi krim që ata kishin kryer ishte se ata ishin ujgurë muslimanë,” tha ai.

Udhëtimet e organizuara nga qeveria në kampin Aksu dhe pranë tij ishin rregulluar para kohe, sipas Jazexhi, dhe grupe të zgjedhura burrash dhe grash të rinjsh ujgurë u sollën për të luajtur muzikë dhe valle për të dhe përfaqësuesit e tjerë të mediave nga India, Turqi, Afganistani dhe vende të tjera.

“Ne e kuptuam që ishte një organizim dhe u thamë miqve tanë kinezë se ne nuk kishim ardhur për një parti … Ne donim të hulumtonim se çfarë po ndodhte, cilët ishin këta njerëz, çfarë krimesh kishin kryer dhe pse po mbaheshin atje”, tha ai në lidhje me vizitën në kampin e internimit Aksu.

“Unë u largova nga ahengu i vallëzimit dhe dola për të bërë gjëra të tjera atje, për të inspektuar kushtet në qendrën e paraburgimit dhe u përpoqa të intervistoja disa fëmijë, por miqtë tanë kinezë u mërzitën shumë me mua se pse po e bëja këtë dhe duke u justifikuar nuk më lanë të flisja me ta.

Mbajtësit e “Paranojës”

Më vonë, Jazexhi dhe të tjerët u dërguan për të parë të paraburgosurit duke studiuar dhe ai pyeti instruktorin e tyre se përse po mbaheshin atje kundër dëshirës dhe vullnetit së tyre.

“Instruktori po më thoshte se ishte një shkollë profesionale, por kur e pyeta nëse ishin të lirë të shkonin në shtëpi, ai tha:” Jo, ata nuk mund të largohen”.

“Në një farë mënyre, na vërtetoi se këto janë burgje ku këta fëmijë mbahen kundër vullnetit të tyre.”

Kur Jazexhi iu drejtua ujgurëve në kamp me përshëndetjen tradicionale myslimane “Es-selamu Alejkum”, ose “paqja e Zotit qoftë mbi ju”, ai tha se ata ju përgjigjën me përshëndetjen mandarine kineze “ni hao”, dhe tha që ata nuk identifikohen si muslimanë që besojnë All-llahun sepse ata “besojnë në shkencë dhe Partinë Komuniste Kineze në pushtet”.

“Ajo që kuptuam nga vizita në këto qendra të paraburgimit masiv është se të arrestuarit janë plotësisht të ndaluar të flasin gjuhën ujgure dhe janë të detyruar të flasin gjuhën kineze gjatë gjithë kohës, si dhe të heqin dorë nga feja e tyre,” tha ai.

“Fillova të kuptoj se Kina i ndërtoi këto qendra për të tjetërsuar ujgurët. Nëse ata duan të dalin nga kampet e internimit, kushti është që ata të heqin dorë nga identiteti i tyre ujgur, Zoti, besimi i tyre në Islam, gjuha e tyre ujgure, dhe në vend të kësaj gjithmonë të flasin gjuhën kineze dhe të pranojnë epërsinë e partisë komuniste. ”

Jazexhi tha se shoqëruesit e tij sqaruan se autoritetet gjithashtu shpresojnë të asimilojnë ujgurët duke sjellë punëtorë dhe kolonë kinezë të Han në XUAR, duke i stimuluar ekonomikisht që të ndihmojnë në bashkimin e ujgurëve dhe kinezëve të Han, dhe indoktrinimin e ujgurëve me kulturën kineze Han dhe respektimin e qeverisë përmes burgosjes masive, duke shtuar se ata ishin penduar që nuk i zbatuan këto politika gjatë viteve 1970.

Ai i quajti ata “paranojakë” dhe tha që ata nuk i lejuan anëtarët e grupit të intervistojnë askënd, madje as njerëzit që kalonin në rrugë, ndërsa anëtarët e komunitetit ujgur “kishin frikë të flisnin me ne.”

“Ata na thanë që e dinin se kishim parë gjëra që nuk na pëlqenin gjatë vizitës tonë, por ata nuk donin që ne të raportonim ndonjë gjë të keqe rreth tyre”, tha Jazexhi.

“Unë shkova në Kinë me qëllimin e mirë për të kundërshtuar ato që dëgjojmë nga Perëndimi, por ajo që pashë vehtë ishte me të vërtetë e tmerrshme. Ajo që mësuam nga vizita jonë është se qeveria e Xinjiang ishte duke zbatuar politika selektive për të ndëshkuar muslimanët e Ujgurit.”

Udhëtime të komanduara

Në një intervistë të fundit për ABC News, Adrian Zenz, një studiues i pavarur që studion politikat e pakicave të Kinës së pari dha vlerësimin e pranuar gjerësisht prej 1.5 milion Ujgurëve dhe pakicave myslimane që besohet të jenë mbajtur në kampe, duke u shprehur se vizitat në këto objekte janë të kontrolluara përpara se të shkojë media.

“Hulumtimi im ka treguar që këto kampe janë duke u modifikuar përpara vizitave,” i tha Zenz ABC, e cila kohët e fundit dha pamje të rralla nga kamera të një qendre në qarkun Yengisheher (Shule) të prefekturës Kashgar dhe të një tjetre në qytetin Atush (Atushi), në prefekturën autonome Kizilsu Kirghiz (Kezileisu Keerkezi).

“Imazhet satelitore para dhe pas tregojnë se disa muaj para vizitave ka kulla vrojtimi dhe tipare të tjera të sigurisë si gardhe me tela me gjemba që u hoqën nga këto kampe”, tha ai.

Në fund të vizitës të drejtuar nga qeveria, ABC News tha që u kërkoi zyrtarëve kinezë të shohin qendra të tjera në XUAR, konkretisht ato që imazhet satelitore treguan se kishin gardhe teli me gjemba dhe kulla vrojtimi, por kërkesat e saj u refuzuan.

Arrestimet masive në XUAR, si dhe politikat e tjera për të shkelur të drejtat e ujgurëve dhe muslimanëve të tjerë, kanë çuar në rritje të thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar ndaj Pekinit mbi përgjesitë për veprimet e tij në rajon.

Muajin e kaluar, në Ministrinë për Avancimin e Lirisë Fetare në Uashington, Sekretari i Shtetit amerikan Mike Pompeo i quajti kampet e internimit në XUAR “një nga krizat më të këqia të të drejtave të njeriut të kohës sonë” dhe “me të vërtetë njollën e shekullit”.

Zëvendëspresidenti i Sh.B.A. Mike Pence gjithashtu kundërshtoi kampet për të cilat tha se: “ujgurët durojnë shpëlarjen e trurit gjatë gjithë kohës” dhe të mbijetuarit e kanë përshkruar përvojën e tyre si “një përpjekje e qëllimshme e Pekinit për të mbytur kulturën e ujgure dhe larguar nga besimin muslimanët”.

Ambasadori i përgjithshëm amerikan për Lirinë Fetare Ndërkombëtare Sam Brownback kohët e fundit i tha RFA-së gjatë një interviste se vendet në mbarë botën duhet të flasin për kampet ujgure, ose ndryshe rrezikojnë të inkurajojnë Kinën dhe regjimet e tjera autoritare.

Gjithashtu, Kongresi Amerikan është bashkuar në përpjekjet për të ndaluar burgosjet, duke debatuar mbi legjislacionin që kërkon përgjegjsi për goditjen e ashpër të Kinës ndaj ujgurëve. Akti për Politikat e të Drejtave të Njeriut ujgur do të caktonte një koordinator special të Departamentit të Shtetit në Xinjiang dhe do të kërkonte raporte të rregullta për kampet, rrjetin e mbikëqyrjes dhe kërcënimet e sigurisë që ata paraqesin./gazetaimpakt/RFA

 

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne