Kryeministri francez, Gabriel Attal, pas bisedimeve me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, ka deklaruar se Gjermania dhe Franca kanë shprehur shqetësimin e tyre për përkeqësimin e situatës humanitare në Gaza. “Gjatë shkëmbimit tonë, ne edhe një herë shprehëm shqetësimin tonë për situatën humanitare në Rripin e Gazës dhe humbjen e jetëve të shumta civile nga pala palestineze”, tha Attal në një konferencë të përbashkët për media me kancelarin gjerman.
“Dëshiroj sërish ta bëj të qartë se duhet respektuar ligji ndërkombëtar dhe duhet të ketë një armëpushim humanitar në mënyrë që ndihma të vihet në dispozicion të civilëve. Zgjidhja e vetme paqësore është një zgjidhje paqësore e bazuar në dy shtete, ku njerëzit mund të jetojnë në paqe dhe siguri”, shtoi kryeministri francez. Scholz, nga ana e tij, kërkoi “qasje më të mirë në ndihma humanitare” për popullin e Gazës.
“Ne bëjmë thirrje që palestinezët në Gaza më në fund të kenë qasje më të mirë në ndihma humanitare dhe që popullata civile të mbrohet më mirë gjatë operacioneve ushtarake. Unë isha në gjendje t’ia bëj të qartë këtë përsëri kryeministrit izraelit, (Benjamin) Netanyahu, në një bisedë telefonike këtë pasdite”, tha Scholz. Sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, Netanyahu gjithashtu e informoi kancelarin Scholz për “situatën ushtarake në Rripin e Gazës dhe në kufirin izraelito-libanes”.
“Ai theksoi nevojën urgjente për të përmirësuar ndjeshëm qasjen dhe dhënien e ndihmës humanitare për popullin e Gazës. Situata aktuale e furnizimit dhe e sigurisë për popullatën civile palestineze është shumë shqetësuese”, shtoi Hebestreit. Sipas zëdhënësit të qeverisë gjermane, kancelari Scholz theksoi përsëri se “vetëm një zgjidhje e negociuar me dy shtete do të hapte perspektivën e një zgjidhjeje të qëndrueshme për konfliktin e Lindjes së Mesme”./AA