Gjermania mbështet agjencinë e ndihmës së OKB-së për palestinezët mes kritikave izraelite

Përballë kritikave izraelite, Gjermania ka shprehur mbështetje për funksionin e agjencisë së OKB-së për refugjatët palestinezë (UNRWA) në Gaza.

Zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Christian Wagner, në një konferencë për media në Berlin tha se agjencia e OKB-së jep një “kontribut shumë të rëndësishëm në kujdesin humanitar të njerëzve në zonat palestineze të Bregut Perëndimor dhe Gaza dhe për këtë arsye është gjithashtu një partner i rëndësishëm për ndihmën tonë humanitare dhe për organizatat ndërkombëtare”

Wagner po reagonte ndaj komenteve të ministres izraelite të Inteligjencës, Gila Gamliel, e cila dje kritikoi UNRWA-në. “Në vend që të dërgohen para për të rindërtuar Gazën ose për UNRWA-në e dështuar, komuniteti ndërkombëtar mund të ndihmojë në kostot e zhvendosjes, duke ndihmuar njerëzit e Gazës të ndërtojnë jetë të reja në vendet e reja pritëse”, tha ministrja izraelite.

Dhjetëra punonjës të UNRWA-së janë vrarë në Rripin e Gazës ë nga 7 tetori si rezultat i sulmeve të pamëshirshme të forcave izraelite. UNRWA-ja është agjencia kryesore e OKB-së që vepron në Rripin e Gazës, ku shkollat e saj aktualisht strehojnë rreth 700 mijë palestinezë të zhvendosur që kërkojnë strehim nga sulmet izraelite. Rripi i Gazës ka qenë nën bombardime të rënda që kur grupi palestinez Hamas nisi një ofensivë të befasishme kundër Izraelit më 7 tetor.

Që kur Izraeli filloi bombardimet e Gazës më 7 tetor, sipas shifrave të autoriteteve të Gazës, të paktën 13 mijë palestinezë janë vrarë, përfshirë mbi 9 mijë gra dhe fëmijë, si dhe më shumë se 30 mijë të tjerë janë plagosur. Gjithashtu mijëra ndërtesa, përfshirë spitale, xhami dhe kisha, janë dëmtuar ose shkatërruar në sulmet e pamëshirshme ajrore dhe tokësore të Izraelit në enklavën e rrethuar.

Një bllokadë izraelite ka ndërprerë Gazën edhe nga furnizimet me karburant, energji elektrike dhe ujë, si dhe ka reduktuar dërgesat e ndihmave. Ndërkohë, sipas shifrave zyrtare, numri i të vdekurve izraelitë është rreth 1.200./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne