Guvernatori i BSH: Ekonomisë shqiptare i duhet ekuilibër mes specializimit dhe diversifikimit

Zhvillimi i ekonomisë shqiptare duhet të gjejnë një ekuilibër të drejtë midis specializimit dhe diversifikimit. Gjatë fjalës së tij Konferencën Ndërkombëtare të Fakultetit të Ekonomisë të Universitetit të Tiranës, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se një specializim ekstrem në sektorë apo industri në të cilat vendi ka avantazhe konkurruese, nga natyra apo falë investimeve njerëzore, mund ofrojë një rrugë më të shpejtë zhvillimi, por ajo e bën një ekonomi më të ndjeshme ndaj goditjeve.

“Nga ana tjetër, një diversifikim ekstrem e bën një ekonomi më të qëndrueshme ndaj goditjeve specifike, por edhe më ineficiente dhe më pak të begatë. Gjetja dhe ruajtja e një ekuilibri të drejtë midis këtyre ekstremeve nuk është detyrë e lehtë. Vendet e mëdha mund ta kenë luksin e të pasurit të strukturave ekonomike më të diversifikuara e komplekse, por për vende të vogla e në zhvillim – si Shqipëria – kjo alternativë është shpesh e pamundur ose jorealiste. Megjithatë, jam i bindur se midis dy ekstremeve të parashtruara më sipër, ne do të dimë të gjejmë një strukturë ekonomike, e cila na mundëson një zhvillim jo vetëm të shpejtë por edhe të qëndrueshëm,” tha Sejko.

Sipas tij, rikonfigurimi i deritanishëm i ekonomisë shqiptare ka sjellë një rritje të ndjeshme të peshës relative të sektorit të shërbimeve dhe të ndërtimit, si dhe një rënie korresponduese të peshës së sektorit të bujqësisë dhe të industrisë.

“Në një këndvështrim të përgjithshëm, këto tendenca përbëjnë një lëvizje konverguese drejt strukturës ekonomike të vendeve të zhvilluara. Në një këndvështrim më specifik, zhvillimi i sektorit të shërbimeve ka përfituar nga avantazhet konkurruese që ofron Shqipëria, ndërsa zhvillimi i sektorit të ndërtimit është diktuar nga nevoja për një përmirësim sasior e cilësor të infrastrukturës së vendit. Nga ana tjetër, rënia progresive e peshës së sektorit bujqësor është në linjë me problemet specifike të këtij sektori dhe zhvendosjen e popullsisë drejt zonave urbane, ndërsa zhvillimi i sektorit të industrisë është frenuar pjesërisht nga baza ineficiente e trashëguar nga e kaluara dhe pjesërisht nga suksesi i pakët që kemi pasur në tërheqjen e investitorëve strategjikë,” shtoi Guvernatori.

Ai nënvizoi se flukset hyrëse turistike janë zgjeruar, nga 1.2 miliardë euro në vitin 2010, në 2.8 miliardë euro në vitin 2022 dhe janë në rrugë të mbarë për të arritur 4 miliardë euro në vitin 2023.

“Ky rrugëtim është pasqyruar në një përmirësim gradual dhe të vazhdueshëm të bilancit të shkëmbimeve korrente të vendit, bilanc i cili u përmirësua nga nivele dyshifrore deficiti në fillim të dekadës paraardhëse në një suficit gjatë tremujorëve të parë të vitit 2023. Duke u bazuar në trendet aktuale, investimet e vazhdueshme në infrastrukturë dhe përmirësimin e mëtejshëm të ofertës sonë turistike, jam i bindur se ky sektor do të vijojë të mbetet një faktor mbështetës i rritjes së mirëqenies ekonomike dhe shoqërore edhe në të ardhmen,” tha Sejko.

Guvernatori shtoi se një zhvillim i qëndrueshëm duhet të jetë dhe një zhvillim i drejtë e i balancuar midis shtresave ekonomike e shoqërore, si dhe midis rajoneve gjeografike. “Çdo ristrukturim, qoftë ky dhe i natyrshëm e i dobishëm, është premisë tensioni midis sektorëve të ndryshëm të ekonomisë apo midis rajoneve të ndryshme gjeografike, ashtu sikundër shpesh zhvillimi i shpejtë tenton të thellojë diferencat sociale. Në gjykimin tim, detyra jonë e përbashkët, si politikëbërës dhe si shoqëri, është të kujdesemi që këto procese të nevojshme të mos lenë pas asnjë segment të shoqërisë shqiptare,” tha Guvernatori./Monitor

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne