Hamasi fajëson sulmet ajrore izraelite për vdekjen e 6 pengjeve në Gaza

Një zyrtar i lartë i Hamasit ka bërë të ditur se gjashtë pengjet izraelite të gjetur së fundmi në Gaza u vranë si rezultat i sulmeve ajrore të vazhdueshme izraelite, duke kundërshtuar pretendimin e ushtrisë izraelite se Hamasi ekzekutoi pengjet derisa ata ishin në robëri.

Komentet e zyrtarit të Hamasit, Izzat al-Rishq, erdhën menjëherë pasi ushtria izraelite tha se ka zbuluar trupat e gjashtë pengjeve në Gaza, duke pohuar se ata ishin vrarë nga Hamasi.

“Ata që vrasin njerëzit tanë çdo ditë janë kolonizatorët izraelitë me armë amerikane. Pengjet e gjetura në Gaza nuk u vranë nga ne, por nga bombardimet e pamëshirshme sioniste”, tha Rishq.

Ai kritikoi më tej SHBA-në, duke theksuar se, “Nëse presidenti (Joe) Biden interesohet vërtet për jetën e pengjeve izraelite, ai duhet të ndërpresë mbështetjen e tij për këtë armik me para dhe armë dhe të bëjë presion ndaj Izraelit që t’i japë fund agresionit të tij menjëherë”.

Rishq theksoi se Hamasi ishte më i shqetësuar për jetën e pengjeve sesa vetë presidenti Biden, duke përmendur marrëveshjen e Hamasit për një propozim armëpushimi dhe rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, të dyja të refuzuara nga kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu.

Sot më herët, ushtria izraelite raportoi se kishte gjetur trupat e gjashtë pengjeve në Gaza, duke shtuar tensionin e vazhdueshëm derisa lufta hyn në muajin e saj të 11-të. Para zbulimit, Izraeli deklaroi se 107 pengje mbetën në Gaza, disa prej të cilëve besohej se tashmë ishin vrarë.

Hamasi ka deklaruar se dhjetëra pengje u vranë nga sulmet ajrore izraelite që shënjestronin Gazën./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne