INTRIGAT E SHTYPIT PËR PËRÇARJEN E FAKTORIT SHQIPTAR

Xhafer Sadiku

Që kur u formua shteti shqiptar, shtypi intensifikoi propagandën për të përçarë faktorin shqiptar. Gjatë muajve mars-prill 1913 shtypi e përqendroi sulmin kundër Esad Toptanit që po komandonte luftën për mbrojtjen e Shkodrës. Ditët e para të majit, Myfid bej Libohova, në cilësinë e ministrit të qeverisë së Vlorës, i shkruante një letër Esad Toptanit në lidhje me shkrimet e shtypit kundër tij. Në fakt, në atë periudhë, rrethet patriotike që kishin luftuar për pavarësinë e Shqipërisë, kërkonin që selia e qeverisë së përkohëshme të zhvendosej nga Vlora në Durrës, kërkesë që ia kishin adresuar edhe Esad Toptanit. Ky i kishte shkruajtur një letër qeverisë së Vlorës duke i përcjellë kërkesën e tyre.
Në përgjigjen e tij që mbante datën 12 maj 1913, Esad Toptani përgënjeshtronte shpifjet e shtypit dhe e sqaronte Myfid beun.
Esad Toptani përkrahte kërkesën e patriotëve të shumtë dhe jepte arsyet pse duhej që qeveria ta kishte qendrën e saj në Durrës. Sipas tij, në Shqipërinë e Mesme e të Veriut kishte vise që nuk e dinin se kishte kund një qeveri shqiptare e se po të liheshin ashtu, shumë punë të këqija mund të ndodhnin. Kështu, ishin krejt malsitë e Tiranës, Krujës, Lezhës, krahinat e Mirditës, Matit, Lumës, Dibra e ndoshta malsija e Elbasanit.
Më poshtë, Esad Toptani, arsyetonte: “Zotni, a dëshironi që në secilën skutë të Shqipërisë të ngrihet një fuqi feudale, që në të katër anët të mbretnojë nji anarki e përgjakshme? Unë i quaj të domosdoshme e të sigurta këto përfundime e prandaj e pashë me udhë që të ju ftoj me e sjellë qendrën në Durrës e me i qeverisun nga afër ato krahina dhe me i bamë ta ndiejnë erën e qeveris. M’u duk se e kishim për detyrë me Ju a shfaqun mendimin t’em haptas. Si ky janë edhe shumë shkaqe tjera të serta qi s’asht nevoja t’i përmend. Ju, siç kuptohet prej sa shkrueni në letrën t’Uej, i keni dhanë nji vështrim tepër të padrejtë atij proponimi qi ju bana vetëm për të shpëtue atdhen t’onë prej mjerimesh të soçme e të nesërme e për me sigurue të mbarën e të mirën e tij. Ju siguroj me nderim t’em Zotni; se asnji nga ato lakmi politike qi përfliten e qi mund të Ju- shkojnë për mendsh për mue nuk gjejnë vend në shpirtin t’em. Patrijotizma e ime nuk më len të ndjek aso qëllimesh. Le qi un tashti gjindem aq i lodhuri e i këputun nga- mundimet e gjata e të shuma qi kam vuejtun, qi më duhet me pushue e mos me u marrë me kurrfarë pune për nji kohë të gjatë. Pra nuk dij se si Ju ka lanë ndërgjegja me mendue për mue qi për disa interesa të shkreta mund të bie aq poshtë sa me u bamë vegël e atyne Sllavëve, të cilët më kanë pi gjakun e kombit e s’kanë lanë dy gurë bashkë në vendin t’em. Më vjen tepër keq. Ju siguroj se mue do të më gjeni gjithmonë mu në radhët e para t’atyne që e shohin shpëtimin e Shqipnis në pështetjen e Austris e t’ltalisë e qi nuk lëshojnë pe aspak në këtë pikë.
Mik i dashun, nuk asht e mundun me i përgënjeshtrua gjithmonë ato lajme gazetash të botueme kush e di me çfarë qëllimesh e të daluna prej burimesh t’interesueme. Me rasën e çështjes së Shqipnis, qi asht tue kalue nji kohë tepër delikate, shtypi po merret aqë tepër me mue këto dit qi asht e pamunduri të ndjekë njeriu gjithça botohet. Prandej po Ju lutem, pa pasun kurrnji nevojë për veten t’eme e vetëm për të mirën e atdheut, qi mos t’ua veni ma veshin atyne rrenave e mos të dyshoni në patrijotizmën t’eme”.
__________________
Për më tëpër, lexo: Gazeta “Leka”, viti 1940, f. 144-145.

NDANI KËTË POSTIM

Leave a Comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Mund tju interesojne