Opinion

Iran: Përgatitja për ‘sheshin e luftës’

nga Alastair Crooke.

Bernard Lewis, një historian britaniko-amerikan për Lindjen e Mesme, ka qenë jashtëzakonisht ndikues në Amerikë. Idetë e tij mbi politikat kanë depërtuar tek presidentët, politik-bërësit dhe institucionet e studimeve strategjike, dhe ende vazhdojnë të kenë ndikim. Edhe pse ai vdiq vitin e kaluar, pikëpamjet e tij të liga ende formësojnë mendimin amerikan rreth Iranit. Mike Pompeo, për shembull ka shkruar: “E kam takuar vetëm një herë, por lexoj shumë nga ato që ka shkruar. I kam një borxh të madh punës së tij për të kuptuarin tim të Lindjes së Mesme. Ai, sikurse dhe unë, ishte gjithashtu një njeri që besonte se amerikanët duhet të kenë më shumë besim tek madhështia e vendit.”

Plani “Bernard Lewis”, siç njihej, ishte një projekt që i ndante të gjitha vendet e rajonit, nga Lindja e Mesme në Indi, përgjatë linjave etnike, sektare dhe gjuhësore. Një ballkanizim radikal i rajonit. Ralph Peters, një oficer në pension i ushtrisë amerikane, tërhoqi vemendje pasi bëri një hartë ku tregohej se si do të dukej një Lindje e Mesme e ‘ballkanizuar’. Edhe Ben Gurion kishte gjithashtu një ambicie të ngjashme strategjike për interesat e Izraelit.

Megjithatë, ndikimi i Lewisit arriti majat: Presidenti Bush u pa tek mbante në dorë artikuj nga ato të Lewisit gjatë një takimi në Zyrën Ovale menjëherë pas 11 Shtatorit, dhe vetëm tetë ditë pas sulmeve në Qendrën Tregtare Botërore dhe Pentagonit, Lewis u pa tek Bordi i Politikave të Mbrojtjes së Richard Perle, i ulur pranë shokut të tij Ahmed Chalabit, kreut të Kongresit Kombëtar të Irakut. Në atë takim specifik të atij bordi shumë të rëndësishëm edhe për Sekretarin e Mbrojtjes Donald Rumsfeld, ata të dy kërkuan pushtimin e Irakut.

Lewis mbolli gjithashtu farën e idesë më të gjerë të një bote myslimane të prapambetur, qe ziente nga urrejtja kundër një Perëndimi modernizues dhe të virtytshëm. Ishte ai dhe jo Samuel Huntingtoni, i cili shpiku frazën “Përplasja e civilizimeve”, ​​duke nënkuptuar më tej se Islami dhe Perëndimi janë të përfshirë në një betejë ekzistenciale për mbijetesë.

Përmes prizmit ungjillor të politikëbërësve të sotëm të tillë si Pompeo dhe Mike Pence, kjo prognozë e errët është transformuar nga një “përplasje” civilizuese në betejën kozmike të së mirës dhe së keqes (me Iranin e theksuar veçanërisht si burim i së keqes kozmike në botën e sotme ).

Kjo është pika kyçe: Të sjellësh ndryshimin e regjimit në Iran – kërcënimin e qëmotshëm, sipas termave të Lewisit – ka qenë gjithmonë një fantazi prej Lewisi. “A duhet të negociojmë me Ajatollahët e Iranit?” E pyeti atë në një rast Henry Kissinger; “Sigurisht që jo!” Ja ktheu me të prerë dhe pa kompromis Lewisi. Qëndrimi i përgjithshëm që Amerika duhet të adaptojë për rajonin u paraqit me pak fjalë nga Dik Çeni: “Unë besoj se një nga gjërat që duhet tu bëni arabëve është ti godisni mes syve me një shkop të madh. Ata e respektojnë forcën. Kjo këshillë orientaliste aplikohet në mënyrë të natyrishme kundrejt Iranit dhe ‘Ajetollahëve’ të tij me anë të shpatës”, ka mendimin Lewis. “Megjithatë pyetja që ne duhet të bëjmë është, pse ata as që nuk na frikësohen dhe as që nuk na respektojnë?”.

Të frymëzuar tani nga heroi i tyre intelektual (Lewis), Pompeo së bashku me kolegun e PNAC-ut të Richard Perle, John Boltonin, duket që recetën e Lewisit për goditjen në mes të syve po përpiqen ta përdorin kundër Iranit (me sanksione).

Ne kemi qenë këtu më parë. SHBA-ja jo vetëm që i ka shfletosur librat e Lewisit, por ajo ka vepruar sipas mesimeve te tij për dekada me radhë. Që në fillim të viteve 60, Lewis kishte botuar një libër i cili fliste për shumë dobësi potenciale dhe për këtë arsye përdorimi i mundshëm i tyre si dallimet fetare, klasore dhe etnike ishte një mjet për dhënien fund të shteteve të Lindjes së Mesme.

Raportohet se Seymour Hersh shkroi në vitin 2008:

Sipas burimeve të tanishme dhe atyre të mëparshme të ushtrisë, inteligjencës dhe kongresit, në fund të vitit të kaluar [2007], Kongresi ra dakord për një kërkesë të Presidentit Bush për të financuar një përshkallëzim të madh të operacioneve të fshehta kundër Iranit. Këto operacione, për të cilat Presidenti kishte kërkuar deri në katërqind milionë dollarë, ishin përshkruar në një dokument presidencial të nënshkruar nga Bush dhe ishin të dizajnuara për të destabilizuar lidershipin fetar të vendit. Aktivitetet e fshehta përfshinin mbështetjen e grupeve pakica, si arabët ahwazë dhe baluçët si dhe organizatat e tjera disidente …

“Operacionet e fshehta kundër Iranit nuk janë të reja. Forcat e speciale të Shteteve të Bashkuara kanë kryer operacione ndërkufitare nëpër gjithë jugun e Irakut që prej vitit të kaluar. Por sipas zyrtarëve aktualë dhe atyre të mëparshëm, shkalla dhe fushëveprimi i operacioneve në Iran, ku përfshihet CIA dhe Komanda e Përbashkët Operacionale Speciale (JSOC), janë zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme këto kohë. Shumë nga këto aktivitete nuk janë të specifikuara në dokumentet e zbuluara, ndërsa disa kongresistë kanë ngritur pyetje serioze edhe për natyrën e tyre “.

Këto operacione janë zgjeruar tani edhe më tej, siç ka konfirmuar drejtuesja e tanishme e CIA-s, Gina Haspel. Ajo po i zhvendos burimet e agjencisë për t’u përqëndruar tek Rusia dhe Irani. Dhe SHBA-ja ka këmbëngulur që bazat e saj ushtarake ti pozicionojë sa më afër Iranit me qëllim që të mbështesë minoritetet etnike.

Pra, cili është ‘fundi i lojës’? A janë zgjedhjet në SHBA, me qellimin kryesor për konsumim të brendshëm? A është vetëm frenimi dhe dobësimi i Iranit? A mos duhet detyruar Irani që të negociojë një marrëveshje më të mirë nga JCPOA? Apo mos duhet të nisë ndryshimi i regjimit?

E pra, kështu duket: Pompeo ka refuzuar të rinovojë dy përjashtime të rëndësishme të sanksioneve amerikane (përveç përjashtimeve të ndryshme për naftën). Këto dy refuzime përjashtimesh duken më shumë si arma reale që tregon qëllimin e vërtetë të Pompeos dhe Boltonit. Një tërheqje nga përjashtimet lidhet me eksportin e uraniumit të pasuruar të Iranit dhe tërheqja tjetër lidhet me eksportin e ‘ujit të rëndë’ nga reaktori Arak.

Çështja është se në kuadër të JCPOA-s, Iranit nuk i lejohet të grumbullojë substancën përtej masës 300kg dhe 300l. Pra, Irani detyrohet nga marrëveshja që të eksportojë çdo tepricë potenciale që mund të shkelë këto kufizime. E para shkon në Rusi (në këmbim të kekut të verdhë të papërpunuar), dhe e fundit vendoset në Oman.

Le të jemi më të qartë: Për Iranin nga këto eksporte nuk ka asnjë përfitim bërthamor. Ato i shërbejnë vetëm interesave të atyre që kanë nënshkruar JCPOA-n. Ato janë sende shtëpiake të JCPOA-s, dmth, i shërbejnë vetëm atyre që mbrojnë mos përhapjen e materialeve bërthamore. Eksporti bëhet sipas marrëveshjes së akorduar dhe kështu i kërkohet edhe Iranit.

Nëse këto eksporte përfaqësojnë pikërisht punën e arritur nga marrëveshja bërthamore, atëherë pse Pompeo duhet të refuzonte rinovimin e përjashtimit nga komponentë të tillë strukturorë të mospërhapjes? Ata në vetvete nuk kanë ndonjë rëndësi ekonomike.

Përgjigjja e vetme duhet të jetë që Pompeo dhe Bolton po përpiqen që Iranin ta pozicionojnë në një shkelje të JCPOA-s: Ata po përpiqen qëllimisht të provokojnë moszbatimin nga Irani dhe po e shtyjnë Iranin në mënyrë efektive drejt përhapjes. Sepse, nëse këto substanca nuk mund të eksportohen, Irani do detyrohet t’i akumulojë ato, duke shkelur në anën tjetër JCPOA-n.

Por, duke e shtyrë Iranin drejt një shkeljeje formale, hapen mundësitë që Bolton të provokojë më tej Iranin dhe ndoshta edhe ta shtyjë SHBA-në që ti rrafshojë në tokë objektet e pasurimit të Iranit. Kush e di?

Pra, si i përshtaten kësaj tabloje pakicat etnike të Iranit? (Pjesa më e madhe e popullsisë iraniane është perse, e vlerësuar nga 51% deri në 65%, ndërsa grupet më të mëdha etno-gjuhësore janë azerët (16-25%), kurdët (7-10%), lurët %), mazandaranisët dhe gilakisët (rreth 7%), arabët (2 -3), baloçët (rreth 2%) dhe turkmenët (rreth 2%). Këto grupe janë “materialet” që SHBA shpreson ti kthejë në separatistë të armatosur dhe kryengritës anti-iranianë, nën trenin e CIA-s dhe programit të ndihmave. Kur ky program u diskutua në vitin 2007, kishte një mospajtim të konsiderueshëm brenda administratës amerikane (përfshirë këtu edhe sekretarin Gates dhe gjeneralin Fallon). Ndërsa Seymour Hersh theksoi:

“Sipas Vali Nasrit, i cili shpjegon politikën ndërkombëtare në Universitetin Tufts dhe është edhe një anëtar i lartë në Këshillin për Marrëdhëniet me Jashtë, një strategji e përdorimit të pakicave etnike për të minuar Iranin është me të meta. “Vetëm për shkak se Libani, Iraku dhe Pakistani kanë probleme me etnitë, kjo nuk do të thotë që Irani të vuajë nga e njëjta çështje”, tha Nasr. “Irani është një vend i vjetër sikurse Franca dhe Gjermania dhe qytetarët e tij janë po aq nacionalistë.

“Shtetet e Bashkuara po mbivlerësojnë tensionin etnik në Iran.” Grupet minoritare që SHBA synon të arrijë, janë ose të integruara mirë ose të vogla dhe pa peshë, ose pa shumë ndikim në qeveri dhe nuk kanë shumë aftësi për të paraqitur një sfidë politike, tha Nasr.

“Gjithsesi, ju gjithmonë mund të gjeni disa grupe aktiviste që do të vrasin ndonjë polic, megjithatë puna me pakicat të jep efekt të kundërt dhe të armiqëson me shumicën e popullsisë”.

Dhe, siç tregon edhe Profesor Salehi Isfahani në Brookings, elementët më të varfër të shoqërisë iraniane janë mbrojtur disi nga ndikimi i ashpër ekonomik i sanksioneve (më shumë se klasa e mesme), kështu që me të drejtë mund të konkludohet se Irani mund ta përballojë rrethimin ekonomik.

Po … por … ‘Ne kemi qenë këtu prezent edhe më parë’, në një tjetër mënyrë të rëndësishme:

Iraku dhe ‘Curveball’ (emri i koduar për agjentin irakian të inteligjencës gjermane, i cili ofroi informacione sekrete të rreme për armët e shkatërrimit në Irak); të mërguarit irakianë, të cilët i siguruan amerikanët se do të priteshin në Bagdadin e mbushur me lule si ‘çlirimtarë’; dhe skuadra ‘Team B’ (njësia e inteligjencës, e themeluar nga Zëvendëspresidenti Cheney për të siguruar raportime të njëanshme të inteligjencës që kundërshtonin ato të CIA-s dhe mbështesnin pikëpamjen botërore të Cheneyt). Rezultati nga shkëputja e Amerikës nga realitetet e Irakut ishte pa dyshim një katastrofë.

Këtu jemi përsëri, me historinë që duket sikur po përsëritet: Ekipi i mëparshëm ‘Team B’ tani nuk është më një njësi e futur në DOD, por është një rrjet i ish zyrtarëve të inteligjencës të një lloji që vepron së bashku me emigrantët iranianë të zemëruar, MEK-un, komunitetin në mërgim. Është histori e vjetër e inteligjencës: Fillon me paragjykimet e thella orientaliste dhe mendime të paragjykuara për natyrën e ‘tjetrit’; Bindni veten se asnjë burrë apo grua ‘modern’ nuk do të mbështeste ‘ajetollahët’; Dhe e merrni me mend se çfarë? Ju gjeni atë që keni dashur të shihnit: që Irani është në prag të “kolapsit të brendshëm”; se pakicat janë gati të ngrihen kundër elitës mbizotëruese persiane; dhe se ndërhyrja amerikane për të larguar këtë ‘regjim’ të urryer do të mirëpritej ‘me lule dhe oriz’. Sigurisht që është e pakuptimtë. Por aftësia e vetë-mashtrimit është e mjaftueshme në vetvete për të filluar luftërat.

Historia amerikane e skuadrës origjinale ‘Team B’ shërben si një paralajmërim i ashpër: Cheney nuk pëlqente, ose nuk besonte ato që thoshin shërbimet inteligjente të mëparshme. Kështu që ai krijoi një “shërbim intelligent alternativ” (Team B) analistësh të cilët ‘gjetën’ atë që ai donte të shihte për Irakun (dhe Rusinë).

Pikërisht për shkak të përvojës së tij me ‘shtetin e thellë’, Trump nuk ka besim tek niveli i lartë i shërbimeve amerikane, dhe prandaj lexon pak nga ato që ata prodhojnë. Ai gjithashtu nuk i sheh ata si “të të njëjtit mendim” për pikëpamjen e tyre globaliste në botë dhe në përgjithësi i refuzon mendimet e tyre. Këtu ekziston ndjeshmëria reale.

Ndërkohë që është e vërtetë që Trump në ditët e kaluara kishte pranuar se Bolton dëshironte që ta futste atë “në luftë” dhe ka shprehur shqetësim se, siç komenton edhe Washington Post, “Bolton e ka futur atë në një qoshe të ringut përtej vendit të rehatshëm (të Trumpit)”. Paragjykimet e Trumpit mbi Iranin janë të thella dhe ushqehen vazhdimisht nga të tjerët, duke përfshirë jo vetëm Boltonin por edhe familjen e tij.

Trump vepron në politikën e jashtme kryesisht si një manjat i pasurive të patundshme nga Nju Jorku, që kujdeset vetëm për ‘marrëveshjen’ dhe imazhin e tij, dhe me zero angazhim emocional ose moral. Kjo ndoshta është e vërtetë për përfshirjen e SHBA-së në Siri dhe Afganistan. Por a është kështu edhe për Iranin? A mundet që Irani të jetë një përjashtim pikërisht sepse qëndron në rrugën e ‘projektit të trashëgimisë’ së Trumpit, për të aktivizuar ‘Izraelin e Madh’ (të njohur ndryshe si Marrëveshja e Shekullit)?

Bolton mund të jetë qortuar butësisht nga Trump për gabimin e arritur në Venezuelë, por ka mundesi që kur bëhet fjala për Iranin, Pompeo dhe Bolton ta shtyjnë derën dhe ta lënë gjysmë të hapur./strategic-culture/Gazeta Impakt

OPINIONE