Israeli synon që të shmangë ministrin e ri grek me të shkuar antismite

nga Herb Keinon.

Izraeli nuk do të bashkëpunojë me ministrin e ri grek të bujqësisë dhe të ushqimit, Makis Voridis, për shkak të së kaluarës së tij antisemite, tha të mërkurën për The Jerusalem Post një diplomat i lartë izraelit.

Voridis u betua të martën së bashku me 50 ministrat e rinj pas zgjedhjeve të së dielës, që dëshmuan fitoren për partinë Demokracia e Re që udhëhiqet nga kryeministri i ri Kyriakos Mitsotakis.

Mitsotakis konsiderohet si një pro-izraelit i fortë. Të dielën mbrëma, kryeministri Benjamin Netanjahu e telefonoi atë për ta përgëzuar për fitoren.

Kreu i Kongresit Botëror të Hebrenjve (World Jewish Congress), Ronald Lauder, lëshoi ​​një deklaratë pas zgjedhjeve ku thoshte se Mitsotakis “është një aleat i vërtetë i Izraelit dhe gjithmonë ka treguar përkrahje dhe miqësi të thellë për komunitetin hebre në Greqi”.

“Ne presim që të punojmë së bashku me të në muajt dhe vitet e ardhshme dhe besojmë se ai do të përfshijë në mesin e prioriteteve të tij nevojën serioze për të zhdukur të gjitha mbetjet e antisemitizmit dhe ideologjisë neo-naziste brenda vendit”.

Por Voridis, i emëruari i tij i ri, ​​ka një histori me veprimtari dhe deklarata antisemite.

Lauder vuri në dukje se partia antisemite e ekstremit të djathtë, Agimi i Artë, nuk arriti të kalojë pragun zgjedhor prej 3%, dhe kështu nuk do të ketë përfaqësim në parlamentin e ri. Ajo kishte 18 vende në parlamentin që shkoi.

Megjithatë, sipas Filippa Chatzistavrou, një profesore asistente e shkencave politike në Universitetin e Athinës, një pjesë e rëndësishme e votuesve të Agimit të Artë u zhvendosën tek Demokracia e Re (ND). Në një intervistë për median franceze France24, ajo tha se ND nuk është më partia liberale që ishte dikur, pasi sot ka një “profil të ri ideologjik” që përfshin zëra nga e djathta ekstreme.

Voridis konsiderohet si një nga ato zëra. Ai themeloi partinë ultranacionaliste Fronti Helen dhe garoi për në zgjedhjet parlamentare të vitit 2000 së bashku me një politikan që kishte shkruar një material prej 1,400 faqesh për hebrenjtë. Dhe në vitin 2005, ai u bë bashkë me partinë, lideri i së cilës George Karatzaferis fajësoi hebrenjtë për 11 shatorin dhe pas operacionit Cast Lead në Gaza të vitin 2008 tha se “hebrenjtë mbanin erë gjak”.

Sabby Minos, një hebre grek i cili ka emigruar ne Izrael, shkroi në Haaretz në vitin 2012 se Voridis ka “një histori të gjatë me mohim të holokaustit, antisemitizëm dhe ksenofobi, ku përfshihen edhe kërcënimet fizike ndaj familjeve hebraike dhe drejtimet e grupeve të banditëve kundër emigrantëve dhe majtistëve”.

Minos shkroi se kur ministri i ri grek i bujqësisë ishte student në Athens College high school të Athinës, një shkollë të cilën ai vetë e kishte ndjekur, “Voridis formoi grupin fashist studentor ‘Studentë të Lirë’ të cilët vizatonin nëpër mure svastika naziste dhe e përshëndesnin njëri tjetrin me përshendetjen naziste ‘Heil Hitler’.”

Voridis ju bashkus Demokracisë së Re në vitin 2012 dhe u emërua ministër i shëndetësisë në vitin 2014 gjatë qeverisë së fundit ND nën kryeministrin e atëhershëm Antonis Samaras. Pasi që komuniteti i vogël hebraik protestoi këtë emërim, Voridis shkroi një letër ku shprehte angazhimin e tij për “t’i dhënë fund paragjykimeve raciste antisemite, gjë që ishte një shkelje e hapur e dinjitetit njerëzor”.

Në atë kohë, emërimi i Voridis zëvendësoi një tjetër politikan të ekstremit të djathtë me një të kaluar antisemite, Adonis Georgiadisin, i cili gjithashtu u emërua të martën në qeverinë e re, por këtë herë si ministër i zhvillimit dhe investimeve.

Georgiadis ka në pronësi një shtëpi botuese që shiti dhe promovoi librin antisemit, ‘Çifutët, e gjithë e vërteta’ – i shkruar nga Konstantinos Plevris, i cili e përshkruan veten si “nazist, fashist, racist, antidemokrat dhe antisemit.” Sipas agjensisë JTA, Georgiadis në e kaluarën ka thënë se “të gjitha bankat e mëdha i përkasin hebrenjve” dhe se “lobi hebre” ka për ta përcaktuar fatin e borxhit të jashtëm të Greqisë.

Ministria e Jashtme në Jeruzalem lëshoi ​​një deklaratë të mërkurën ku thoshte se po e “studjonte” përbërjen e re të qeverisë greke dhe rëndësinë e emërimit të Voridisit. Edhe pse nuk e përmendi atë me emër, deklarata thoshte se ministri i ri është i njohur për “pozicionet raciste dhe antisemite”.

Përkundër mospëlqimit ndaj Voridisit, deklarata gjithashtu përgëzonte Mitsotakisin për fitoren e tij dhe theksonte se Netanyahu kishte biseduar me të në lidhje me vazhdimin e “marrëdhënieve të shkëlqyera” midis dy vendeve.

Megjithatë, një tjetër reagim erdhi nga Yaakov Hagoel, nënkryetar i Organizatës Botërore Zioniste (the World Zionist Organization Yaakov Hagoel), i cili i bëri thirrje Mitsotakisit që ta anulonte emërimin. Hagoel tha se ishte “habitur që Mitsotakis, një mbështetës i Izraelit dhe i çifutëve, të emëronte në qeveri një ministër qartësisht antisemit”./jeruzalempost/Gazeta Impakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne