Ministrja palestineze e Shëndetësisë, Mai al-Kaila njoftoi se 340 mjekë dhe punonjës të kujdesit shëndetësor humbën jetën në sulmet që Izraeli filloi në Rripin e Gazës më 7 tetor 2023. Punonjësit e kujdesit shëndetësor në Palestinë u mblodhën para ndërtesës së OKB-së në qytetin Ramallah në Bregun Perëndimor të pushtuar, duke reaguar ndaj sulmeve izraelite.
Gjatë fjalimit të saj në protestë, ministrja palestineze Al-Kaila tha: “Izraeli në sulmet e tij në Gaza vrau 340 mjekë dhe punonjës të kujdesit shëndetësor, plagosi 900 njerëz dhe vazhdon të mbajë nën arrest 100 anëtarë të personelit mjekësor”. Ajo thekson se ekipet mjekësore në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor i janë nënshtruar shkeljeve të rënda. Al-Kaila i përshkroi praktikat si “mizore dhe të paligjshme” të cilat përbëjnë shkelje të qartë të shumë dispozitave të së drejtës ndërkombëtare humanitare.
Ministrja palestineze tha se shkeljet e Izraelit ndaj sektorit të shëndetësisë janë rritur pavarësisht vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND). Lidhur me sulmet në Gaza, Al-Kaila tha se “punonjësve të sektorit shëndetësor duhet t’u sigurohet mbrojtje”.
Në protestën e cila u organizua me thirrjen e Ministrisë palestineze të Shëndetësisë dhe në prani të përfaqësuesve të punonjësve të shëndetësisë dhe ambulancës palestineze, pjesëmarrësit hapën pankarta që dënonin sulmet e ushtrisë izraelite ndaj personelit mjekësor në Rripin e Gazës dhe Bregun Perëndimor duke kërkuar mbrojtjen e tyre dhe ndalimin e sulmeve./AA