Japoni – Trump: Nuk shqetësohem nga testet e raketave të Koresë së Veriut

Lideri amerikan, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Tokio me rastin e ceremonisë së inaugurimit të Perandorit të ri japonez, Naruhito, u prononcua nga rrjeti social “Twitter” për testet koreanoveriore të raketave me rreze të shkurtër veprimi.

“Koreja e Veriut shkrepi armë të vogla që shqetësuan një pjesë të vogël të popullit tim. Por këto nuk më shqetësuan mua”, shkroi presidenti amerikan në “Twitter” duke shprehur besimin se lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong-Un, do ta mbajë premtimin.

Gjatë qëndrimit në Tokio, Trumpi luajti golf me Kryeministrin japonez, Shinzo Abe, si dhe ndoqi Kampionatin e Sumos në sallën e famshme “Ryogoku Kokigikan”.

Ndërsa të shtunën kreu i Shtëpisë së Bardhë darkoi me drejtuesit e kompanive më të mëdha japoneze, ku vlen të përmenden Toyota, Nissan, Honda, SoftBank dhe Rakuten, të cilëve u tha se tani është koha më e mirë për të investuar në SHBA.

Trumpi tha gjithashtu se donte të bënte një marrëveshje të bazuar në drejtësi për të eliminuar mosbalancimin tregtar mes dy vendeve, nga e cila do të përfitonin si Japonia ashtu edhe SHBA-ja.

Si pjesë e vizitës së tij në Japoni, Presidenti Trump pritet të diskutojë me Kryeministrin Abe marrëdhëniet dypalëshe të tregtisë e sigurisë, si dhe çështjet që kanë të bëjnë me Iranin dhe Korenë e Veriut./trt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne