Jemenasit e zhvendosur për shkak të luftës duan që vuajtjet e tyre të marrin fund.

Refugjatët jemenas, të cilët është dashur të largohen nga qytetet e tyre për shkak të luftës civile në Jemen, po luftojnë për të mbijetuar në kushte të vështira.

Për shkak të konfliktit tashmë tetëvjeçar midis rebelëve Houthi të mbështetur nga Irani dhe forcave qeveritare të mbështetura nga një koalicion i udhëhequr nga Arabia Saudite, shumë jemenas u detyruan të linin qytetet e tyre dhe të migronin në qytete të tjera.

Anadolu ka filimuar “kushtet e vështira të jetesës” në kampet e refugjatëve në Marib të Jemenit.

Gati tre milionë refugjatë në dhjetëra kampe refugjatësh në Marib presin përfundimin e luftës dhe një dorë ndihme.

Për shkak të krizës aktuale ekonomike, shërbimet bazë të infrastrukturës si energjia elektrike, uji dhe kanalizimi nuk mund të ofrohen pothuajse në asnjë nga kampet e refugjatëve, veçanërisht në kampin e refugjatëve Al-Jafina, ku rreth 100 mijë njerëz luftojnë për mbijetesë.

Qasja në ujë të pijshëm të pastër është gjithashtu e vështirë në rajonin, ndërsa ujërat e zeza derdhen në rrugë dhe rrugët janë jashtëzakonisht të ndotura.

Nevojat për ujë të pastër të banorëve të rajonit plotësohen nga cisternat e dërguara në rajon me donacionet e bamirësve.

Rreziku i shumë epidemive, si tifoja, dizenteria, verdhëza dhe kolera, është gjithashtu i shfrenuar në rajon.

Duke u shprehur se duan që vuajtjet e tyre të marrin fund, banorët e rajonit falënderojnë edhe organizatat joqeveritare turke për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar.

Jemeni është përfshirë nga dhuna dhe paqëndrueshmëria që nga viti 2014, kur rebelët Houthi të lidhur me Iranin pushtuan pjesën më të madhe të vendit, duke përfshirë kryeqytetin Sana.

Forcat e koalicionit të udhëhequr nga Arabia Saudite kanë mbështetur qeverinë e Jemenit kundër grupit Houthi që nga marsi i vitit 2015.

Sipas raporteve të Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, 73 për qind e popullit të Jemenit (afërsisht 23,4 milionë) janë në nevojë për ndihmë humanitare për shkak të luftës civile, kurse 4,3 milionë njerëz janë zhvendosur.

Ndërkaq, 377 mijë njerëz, prej të cilëve mbi 13 mijë civilë, kanë humbur jetën për shkak të konfliktit./AA

 

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne