Jordania dhe Gjermania paralajmërojnë kundër sulmit tokësor izraelit në Rafah

Jordania dhe Gjermania kanë paralajmëruar se një sulm tokësor izraelit në qytetin Rafah do të përkeqësojë kushtet humanitare në Rripin e Gazës jugore. Gjykata mbretërore njoftoi se mbreti jordanez Abdullah II zhvilloi bisedime me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, në qytetin port Aqaba të Detit të Kuq për të diskutuar zhvillimet në Gaza.

Mbreti Abdullah II theksoi nevojën që komuniteti ndërkombëtar “të lëvizë urgjentisht për të arritur një armëpushim të menjëhershëm dhe të përhershëm në Rripin e Gazës”. Ai bëri thirrje për dyfishimin e përpjekjeve për të mbrojtur civilët dhe për të ofruar ndihmë të mjaftueshme humanitare me të gjitha mjetet e mundshme.

Të dy udhëheqësit po ashtu paralajmëruan se një sulm tokësor izraelit në Rafah, ku 1.4 milionë njerëz janë strehuar nga lufta e vazhdueshme izraelite, do të “përkeqësonte krizën humanitare në Gaza”. Izraeli ka zhvilluar një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit i udhëhequr nga Hamasi, në të cilin sipas Tel Avivit u vranë afër 1.200 njerëz.

Më shumë se 31.600 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë në Gaza dhe të paktën 73.676 të tjerë janë plagosur në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore. Sipas Kombeve të Bashkuara (OKB), lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes një bllokade të shumicës së ushqimeve, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të sigurojë që forcat e tij të mos kryejnë akte gjenocidi dhe të garantojë që ndihma humanitare të ofrohet për civilët në Gaza./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne