Kamera e AA në Gaza, dëshmitare dhe viktimë

YASİR EL-BENNA

Kamera e Anadolu Agency (AA) e cila prej 7 viteve nga çdo anë e Rripit të Gazës dokumenton shkeljet e të drejtave të njeriut të Izraelit kundër palestinezëve duke transmetuar detajet e jetesës në rajon, ajo nuk është vetëm dëshmitare e sulmeve të Izraelit por herë pas here edhe viktimë e tyre.

Ushtria izraelite gjatë sulmeve të ndërmarra në Gaza më 4 maj sulmoi ndërtesën ku ndodhej Zyra e AA-së. Duke bërë kështu që agjencia të ishte vetë temë e lajmit, duke dalë nga të qenit një institucion mediatik që ndjek ngjarjet në rajon dhe ia përcjell botës.

Në sulm ndërtesa u shemb plotësisht, po ashtu u bënë të papërdorshme shumë prej pajisjeve të fotoreporterëve të AA-së të cilët krahas krimeve të kryera nga Izraeli dokumentonin edhe dhimbjet dhe shpresat e përjetuara nga palestinezët.

Por, sulmi i Izraelit nuk e ndali rrjedhën e lajmeve të AA-së nga rajoni dhe agjencia vazhdoi të përcjellë moment pas momenti zhvillimet në rajon pavarësisht shembjes së zyrës së saj dhe mundësive të kufizuara.

Izraeli edhe më parë ka patur në objektiv punonjësit e AA-së në Gaza

Ky nuk ishte sulmi i parë me të cilin AA-ja është përballur në Palestinë. Avionët luftarakë të Izraelit edhe më 29 korrik 2014 dhe 3 gusht 2014 kanë goditur Zyrën e AA-së në Gaza duke dëmtuar ndërtesën.

Në sulmin e ndërmarrë nga njësia artilerike e Izraelit më 21 korrik 2014 ndaj spitalit Shuheda el-Aksa në Gaza u plagos rëndë kameramani i AA-së Enes Ebu Muaylik i cili u dërgua më pas në Turqi me udhëzim të presidentit Recep Tayyip Erdoğan. Sërish në një sulm të ndërmarrë në vitin 2014 u dëmtua edhe një automjet i AA-së.

Kameramani Metin Yüksel Kaya dhe fotoreporteri Onur Çoban, u sulmuan derisa përpiqeshin të merrnin pamje nga kthimi në shtëpi i palestinezëve pas armëpushimit më 1 gusht 2014. Si pasojë e hapjes së zjarrit nga ushtarët izraelitë Kaya u plagos lehtë në dorë.

Kaya gjithashtu edhe gjatë ndërhyrjes së ushtarëve izraelitë më 9 tetor 2015 u plagos në dorën e majtë teksa po ndiqte konfliktet në lagjen Shuxhaije, ku gjatë sulmit u thye edhe kamera e kameramanit Kaya.

Një tjetër viktimë e sulmeve izraelite është edhe Fadi el-Katati me detyrë shofer në Zyrën e AA-së në Gaza i cili u plagos pasi një plumb goditi në gjurin e tij teksa ndodhej në ndjekje të protestave në vijën kufitare më 25 dhjetor 2015.

Shumica e gazetarëve të AA-së janë plagosur në sulmet izraelite gjatë protestave ‘Marshimi i Kthimit të Madh‘ i cili vazhdon në kufirin e Gazës që prej datës 30 mars 2018. Një prej tyre është edhe Ali Cadallah, i cili pasi u godit në gjoks nga një kapsollë e gazit lotsjellës më 25 maj 2018 ai u godit sërish një muaj më vonë në dorë por këtë herë me plumb të vërtetë. Cadallah gjithashtu është plagosur edhe gjatë protestave më 22 mars 2019.

Ndërsa Mustafa Hassune u plagos si pasojë e bombës së gazit që ushtarët izraelitë hodhën më 14 dhjetor 2018.

AA përballet me shkelje të ngjashme edhe në Bregun Perëndimor

Edhe punonjësit e AA-së në Bregun Perëndimor për vite me radhë kanë qenë subjekt i shumë shkeljeve të ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj të tilla si arrestime, pengesë për filmime, ndalime dhe plagosje.

Kameramani i AA-së Hisham Ebu Shakra u plagos në këmbë nga plumbi i ushtarëve izraelitë më 5 shkurt 2016 në Betlehem.

Ebu Shakra poashtu më 12 maj të këtij viti u ndalua për disa orë nga ushtarët izraelitë derisa përpiqej të merrte pamje nga procesi i evakuimit nga rajoni të 15 familjeve të jetojnë në zonën Hırbet Hıms el-Fuga në Agvarin verior.

Ai është goditur dhe ndaluar për disa herë nga ushtarët izraelitë.

Isam Rimavi, fotoreporteri i AA-së që ndjek konfliktet në Ramallah të Bregut Perëndimor nën okupim u plagos pasi u qëllua me një plumb gome nga ushtarët izraelitë më 10 tetor 2015.

Edhe më 3 mars 2018 Rimavi u plagos pasi u godit në dorë nga një kapsollë e gazit lotsjellës që hodhën ushtarët derisa përpiqej të merrte pamje nga ngjarjet në ndërhyrjen e ushtarëve izraelitë ndaj protestave të zhvilluara në Bregun Perëndimor.

Sërish Rimavi u plagos pasi u qëllua nga një plumb gome nga ushtarët, kur ai po ndiqte ndërhyrjen e ushtarëve izrelitë ndaj palestinezëve më 4 shtator 2014 në Ramallah.

Ndërkohë edhe fotoreporteri i lirë (freelancer) i AA-së, Nidal Ishtije u plagos me plumb gome derisa po ndiqte protestat në fshatin Kafr Kaddum në qytetin Nablus.

Fotoreporteri i AA-së që prej 119 ditësh nën arrest

Forcat izraelite më 22 janar arrestuan fotoreporterin e AA-së, Mustafa Kharouf në shtëpinë e tij në Kudsin Lindor me arsyetimin se “nuk ka leje qëndrimi”.

Derisa beteja ligjore e Kharoufit vazhdon që prej 119 ditësh, Izraeli me arsyetimin se nuk ka leje qëndrimi dëshiron ta dërgojë në Jordani duke e dëbuar me forcë fotoreporterin e AA-së nga Kudsi Lindor në të cilin ai ka lindur dhe ka jetuar për shumë vite.

Shkeljet kundër gazetarëve

Organizatat e të drejtave të njeriut thonë se Izraeli ka ndjekur një politikë arbitrare me qëllimin që t’i trembin dhe t’i bëjnë gazetarët palestinezë të tërhiqen nga ushtrimi i detyrë së tyre.

Sipas raportit të Qendrës Palestineze për Lirinë dhe Zhvillimin e Medias (MADA), e cila është duke punuar në dokumentimin e shkeljeve ndaj mediave palestineze, mësohet se Izraeli ka vrarë 41 gazetarë që nga viti 2000.

Po ashtu MADA ka thënë se janë shumë të qarta sulmet e ushtrisë izraelite, kundër punonjësve të shtypit që janë me detyrë në kuadër të protestave “Marshimi i Kthimit të Madh” i cili zhvillohet që prej 30 marsit e deri më tani në rajonet e kufirit lindor të Gazas.

Në raport, gjithashtu thuhet se gjatë sulmeve në fjalë kanë humbur jetën Yasir Murteca dhe Ahmed Abu Hussein si dhe janë plagosur dhjetëra gazetarë.

Sipas informacioneve të marra nga burimet lokale, gjatë protestave në fjalë janë plagosur 46 gazetarë me plumba me majë shkatërruese (me shpërthim të dyfishtë) dhe me plumba të vërtetë ndërsa 139 punonjës të shtypit janë sulmuar nga ushtarët izraelitë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne