Rajoni

Katar Airways promovon linjën Shkup-Doha

Gjigandi i trafikut ajror, Qatar Airways në një konferencë për media ka prezantuar vendosjen e linjës së re ajrore Doha-Shkup dhe anasjelltas, e cila nga e hëna ka filluar të qarkullojë katër herë në javë, të hënën, të mërkurën, të premten dhe të dielën.

Shefi i Zyrës Komerciale të Qatar Airways, Ehab Amin, tha se linja e re ajrore do të lehtësojë vizitat familjare të shtetasve të Maqedonisë në Katar, por njëkohësisht do të lehtësojë edhe udhëtimin e shtetasve të Maqedonisë në Australi dhe vende të tjera duke tranzituar përmes Katarit.

“Qytetarëve të Republikës së Maqedonisë do t’u mundësojmë lidhje më të mirë me qytetet Melburn, Perth, Adalaide, Singapor, Kuala Lumpur, Hong Kong, Nju Delhi dhe shumë destinacione të tjera. Në Katar aktualisht kemi rreth 2 mijë shtetas të Maqedonisë të cilët jetojnë dhe punojnë atje, nga të cilët rreth 100 punojnë për Qatar Airways, prandaj kjo linjë mundëson edhe vizita më të shpeshta familjare”, tha Amin.

Ai sqaroi se shtetasit e Maqedonisë mund të pajisen me vizë në aeroportin në Doha, ndërsa për ata që tranzitojnë, koha e pritjes mund të kalohet me ekskursione falas në qytet të cilat i ofron kompania.

Menaxheri kryesor i TAV-it Maqedoni, Alp Er Tunga Ersoy nga ana e tij tha se ky destinacion paraqet një mundësi të shkëlqyer për shtetasit e Maqedonisë në Australi dhe Zelandë të Re që të vijnë në vendlindje duke shkurtuar dukshëm kohën e udhëtimit, ndërkohë tha se shpreson që bukuritë natyrore të Maqedonisë t’i paraqesë një destinacioni atraktiv turistik për qytetarët e Katarit.

Ministri i Maqedonisë për Transport dhe Lidhje, Goran Sugarevski tha se kjo linjë ajrore hap perspektiva të shumta për të dyja shtetet në fushën e bashkëpunimit ekonomik, turistik dhe kulturor.

“Kjo përputhet me synimet e qeverisë sonë për tërheqjen e investitorëve të huaj që do të jetë në funksion të zhvillimit të vendit tonë, por paraqet një mundësi të mirë për kompanitë tona për të plasuar prodhimet e tyre në tregjet e treta”, tha Sugarevski, i cili falënderoi kompaninë për vendosjen e Maqedonisë në hartën e saj të destinacioneve atraktive.

Shefi i Zyrës Komerciale të Qatar Airways, Ehab Amin, njoftoi se pas promovimit të Shkupit, linja e re ajrore e kompanisë së tyre është Sarajeva, sepse siç tha ai, aktualisht njerëzit e tyre janë atje duke zhvilluar negociatat përfundimtare në Sarajevë.

Qatar Airways për herë të katërt u emërua kompania më e mirë ajrore në botë.

Ajo ka fituar edhe çmimet klasi më i mirë i biznesit dhe kompania më e mirë në Lindjen e Mesme./ AA

OPINIONE

INTERVISTA