Katari vlerëson përpjekjet e Turqisë për të drejtat e palestinezëve

Ministri i Punëve të Jashtme i Katarit, Mohammed bin Abdurrahman Al Thani, deklaroi se ata refuzojnë plotësisht qasjet me standarde të dyfishta në konfliktin palestinezo-izraelit dhe theksoi se vrasja e civilëve nuk mund të dënohet nga njëra anë dhe të justifikohet nga ana tjetër.

Al Thani diskutoi për zhvillimet në Rripin e Gazës me ministrin e Punëve Jashtme të Türkiyes, Hakan Fidan, në kryeqytetin Doha. Pas takimit të dy ministrat mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp.

Duke theksuar mbështetjen e Türkiyes për çështjen palestineze, Al Thani tha: “Ne e përgëzojmë qëndrimin e Türkiyes në mbështetje të të drejtave të popullit palestinez”.

“Ne refuzojmë plotësisht qasjet me standarde të dyfishta në këtë krizë. Vrasja e civilëve nuk mund të dënohet nga njëra anë dhe të justifikohet nga ana tjetër”, tha Al Thani.

Ai gjithashtu tha se Katari ka një qëndrim të palëkundur kundër synimit të civilëve, pavarësisht se kush është.

“Ne nuk mund të gjejmë vota të mjaftueshme pro për t’i dhënë fund shtypjes së njerëzve që jetojnë në Rripin e Gazës. Çështja e ndihmës humanitare po tentohet të politizohet dhe të kthehet në një mjet sanksionesh”, deklaroi ai.

Duke dënuar deklaratat akuzuese të zyrtarëve izraelitë kundër Katarit, duke i përshkruar ato si “provokative”, Al Thani tha: “Të gjitha palët e përfshira në shkeljen e ligjit ndërkombëtar (në konfliktin izraelito-palestinez) duhet të mbajnë përgjegjësi”.

Ministri i Jashtëm i Katarit theksoi se ata do të vazhdojnë përpjekjet e tyre për lirimin e të burgosurve të mbajtur nga Hamasi.

Al Thani deklaroi se Izraeli ndoqi politikat e ndëshkimit kolektiv duke synuar shkollat ​​dhe spitalet në sulmet e tij në Gaza.

“Me Türkiyen ne theksojmë se ndihma duhet të dërgohet në Rripin e Gazës dhe duhet të parandalohet shpërngulja e detyruar e njerëzve të rajonit”, tha Al Thani./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne