Këshilli i BE-së rinovon sanksionet ndaj Rusisë edhe për 6 muaj të tjerë

Këshilli i Bashkimit Evropian (BE) ka njoftuar se ka rinovuar sanksionet ndaj Rusisë edhe për 6 muaj të tjerë. “Këshilli sot rinovoi masat kufizuese të BE-së në funksion të veprimeve të vazhdueshme të Federatës Ruse që destabilizojnë situatën në Ukrainë për 6 muaj të tjerë, deri më 31 janar 2025”, thuhet në njoftim.

Sanksionet aktualisht përfshijnë masa sektoriale me një gamë të gjerë, të tilla si kufizime mbi tregtinë, financat, teknologjinë dhe mallrat me përdorim të dyfishtë, industrinë, transportin dhe mallrat e luksit.

Sipas Këshillit të BE-së, masat përfshijnë gjithashtu një ndalim të importit ose transferimit të naftës së papërpunuar nga deti dhe produkteve të caktuara të naftës nga Rusia në BE, përjashtimin e disa bankave ruse nga sistemi SWIFT dhe pezullimin e aktiviteteve të transmetimit dhe licencave të mediave të shumta ruse të lajmeve në BE.

“Përderisa veprimet e paligjshme nga Federata Ruse vazhdojnë të shkelin ndalimin e përdorimit të forcës, që është një shkelje serioze e detyrimeve sipas ligjit ndërkombëtar, është e përshtatshme të mbahen në fuqi të gjitha masat e vendosura nga BE-ja dhe të marrë masa shtesë, nëse është e nevojshme”, theksohet në njoftim.

Sanksionet ndaj Rusisë nga Këshilli i BE-së u miratuan për herë të parë më 31 korrik të vitit 2014, në përgjigje të pushtimit rus të Krimesë dhe pjesëve të Ukrainës lindore, duke përfshirë rajonet Donetsk dhe Luhansk.

Që nga 24 shkurt i vitit 2022, BE-ja ka miratuar 14 paketa gjithëpërfshirëse sanksionesh në përgjigje të sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne