Kryediplomati francez në Egjipt bën thirrje për zgjidhje me dy shtete për Palestinën

Ministri i Punëve të Jashtme të Francës, Stephane Sejourne u takua me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah al-Sisi dhe bëri thirrje për zgjidhjen me dy shtete për Palestinën. Sejourne zhvilloi takime në Egjipt në kuadër të ndalesës së parë të vizitës së tij 3 ditore në Lindjen e Mesme. Ai bëri një postim nga llogaria e tij në median sociale X lidhur me takimin e zhvilluar me presidentin egjiptian Al-Sisi në kryeqytetin Kajro.

Duke vënë theksin se në vizitën e parë të tij në Lindjen e Mesme ka vizituar fillimisht Egjiptin “partnerin strategjik të Francës” dhe se u takua me presidentin Sisi, ministri francez tha se “Franca ka përsëritur angazhimin e saj për armëpushim në Gaza dhe për fillimin sërish të zgjidhjes politike me dy shtete”. Sejourne u takua gjithashtu edhe me homologun e tij egjiptian, Sameh Shoukry.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme egjiptiane, Ahmed Ebu Zeid në një postim nga llogaria e tij në median sociale X tha se dy ministrat diskutuan për çështjet si bashkëpunimin ekonomik, investimet, ndalimin e luftës dhe përshpejtimin e ndihmave humanitare në Gaza.

Në kuadër të vizitës në rajon, Sejourne pas Egjiptit pritet të zhvillojë takime në Izrael, Jordani, Palestinë dhe Liban. Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në avion gjatë udhëtimit për në Egjipt, Sejourne u bëri thirrje palëve në Gaza për vetëpërmbajtje.

Ai potencoi se të sillesh me vetëpërmbajtje “do të nënkuptojë të marrësh parasysh situatën humanitare, problemin e Gazës dhe problemin e sigurisë së Izraelit”. Ministri francez shtoi se “ky ka qenë zëri dhe pozicioni i Francës që në fillim”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne