Kryediplomatja sllovene: Vrasjet në Gaza duhet të ndalen, mjaft është mjaft

Ministrja e Jashtme e Sllovenisë ka bërë thirrje për t’i dhënë fund krizës humanitare në Gaza, ku sulmet izraelite kanë vazhduar për mbi 100 ditë, duke thënë se “mjaft është mjaft”. Në një intervistë me Anadolu në New York, Tanja Fajon theksoi nevojën për një armëpushim të menjëhershëm dhe zgjidhje politike për të adresuar konfliktin në vazhdim, duke thënë se armiqësitë duhet të ndalen “sepse ka nevojë urgjente për ndihmë humanitare”.

“Ne shohim nga dita në ditë përkeqësimin e situatës humanitare dhe krizë humanitare. Mijëra fëmijë dhe gra u vranë dhe ne duhet ta ndalojmë atë. Mjaft është mjaft”, tha Fajon. Ajo tha se “duhet të jemi seriozë për zgjidhjen me dy shtete”, duke shtuar se kjo do të ishte e vetmja garanci për sigurinë e Izraelit dhe për sigurinë e izraelitëve dhe palestinezëve.

Fajon shtoi se konflikti midis Izraelit dhe Palestinës po diskutohet mes ministrave të Bashkimit Evropian dhe homologëve të tyre në Lindjen e Mesme në Bruksel. “Sigurisht se ka dallime të caktuara midis qëndrimeve, por ajo ku ne jemi të bashkuar është zgjidhja me dy shtete, kundër zhvendosjes së detyruar të njerëzve në Gaza dhe që Bregu Perëndimor t’i përket palestinezëve”, tha ajo.

Testi i humanizmit tonë

E pyetur nëse Këshilli i Sigurimit i OKB-së është efikas në gjetjen e zgjidhjes për konfliktin në vazhdim, Fajon tha se ai nuk ofron siguri, mbrojtje dhe paqe për të gjithë, gjë që sipas saj, ishte misioni kryesor i organizatës. “Pra, ne duhet të bëjmë më shumë. Ne kemi përgjegjësinë tonë kolektive. Këshilli i Sigurimit gjithashtu flet për të nesërmen kur bëhet fjalë për Lindjen e Mesme. Ne kemi një përgjegjësi kolektive dhe është një test i humanizmit tonë. Dhe është, them unë, një detyrë mjaft sfiduese”, tha ajo.

Duke kujtuar se Sllovenia mbështeti rezolutat në Këshillin e Sigurimit, duke përmendur atë të fundit që dënonte sulmet e Huthëve të Jemenit mbi anijet në Detin e Kuq, Fajon tha se vendi i saj do të mbështesë “çdo iniciativë që krijon kushtet për paqe dhe mundëson një plan paqeje”. “Pra, ne do të vazhdojmë ta bëjmë këtë dhe ne gjithmonë do të përpiqemi për paqen, respektimin e ligjit ndërkombëtar, respektimin e ligjit për të drejtat e njeriut dhe të drejtën ndërkombëtare humanitare”, tha ajo.

Izraeli filloi sulmet e pamëshirshme dhe pa dallim në Gaza që nga sulmi ndërkufitar i grupit palestinez të rezistencës Hamas më 7 tetor, duke vrarë të paktën 25.490 palestinezë dhe duke plagosur 63.354 të tjerë. Rreth 1200 izraelitë besohet se janë vrarë sipas shifrave zyrtare. Sipas OKB-së, ofensiva izraelite ka shkaktuar zhvendosjen e 85 për qind të popullsisë së Gazës brenda enklavës së bllokuar në mes të mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve, ndërsa 60 për qind e infrastrukturës është dëmtuar ose shkatërruar.

– Marrëdhëniet Turqi-BE

E pyetur për komente në lidhje me marrëdhëniet midis Turqis dhe BE-së, Fajon e quajti Turqin një “partner strategjik shumë të rëndësishëm” për bllokun. “Turqia gjithashtu është në tryezë kur diskutojmë arkitekturën e ardhshme të një Evrope të madhe dhe më të fortë. Kjo është diçka pozitive, dhe në aspektin dypalësh mund të them se Turqia dhe Sllovenia kanë marrëdhënie të mira dhe shpresoj se së shpejti do të vizitoj Türkiyen edhe me disa partnerë biznesi”, tha ajo./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne