Shqiperia

KSA: Shqipëria ka bërë progres me 5 prioritetet

“Reforma gjyqësore mbetet thelbësore në procesin e pranimit të Shqipërisë në BE dhe mund të jetë transformuese për reforma të tjera”.

Këshilli i Stabilizimit dhe Asociimit (SA)  evidenton progresin e arritur nga pala shqiptare drejt përmbushjes së kritereve politike për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Këshilli i SA  thekson se ka vazhduar progresi i qëndrueshëm për pesë përparësitë kryesore për hapjen e negociatave të anëtarësimit. Këshilli i SA-së midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian mbajti sot takimin ku dhe vuri gjithashtu në dukje se komunikimi i Komisionit për vitin 2016 mbi politikën e zgjerimit të BE-së, duke pasur parasysh progresin në përmbushjen e prioriteteve kyçe dhe në varësi të progresit të besueshëm dhe të prekshëm në zbatimin e reformës në drejtësi, në veçanti rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve (vetingu), rekomandoi hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë. Që atëherë Shqipëria ka bërë progres të madh shtesë.Këshilli i SA-së vuri në dukje angazhimin e vazhdueshëm të Shqipërisë ndaj agjendës së reformave. Me këtë rast, Këshilli theksoi se, së bashku me përparësitë e tjera kyçe, reforma gjyqësore mbetet thelbësore në procesin e pranimit të Shqipërisë në BE dhe mund të jetë transformuese për reforma të tjera. Në këtë kontekst, BE-ja përshëndeti emërimin e institucioneve të verifikimit në qershor 2017 dhe theksoi se ky sukses i rëndësishëm paraqet një hap përpara në zbatimin e reformës së drejtësisë në Shqipëri. Gjithashtu, përshëndeti vendosjen e vëzhguesve të operacionit ndërkombëtar të monitorimit, që ka filluar nën drejtimin e Komisionit Evropian. BE-ja mirëpriti gjithashtu hapat e mëtejshëm në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, veçanërisht rezultatet pozitive të arritura në luftën kundër kultivimit të kanabisit. Për më tepër, Këshilli vërejti pozitivisht hapat e ndërmarrë për çështjet e të drejtave të njeriut, përfshirë miratimin e ligjit kornizë për mbrojtjen e pakicave kombëtare.

Këshilli i SA-së konfirmoi se Shqipëria ka mbajtur një ritëm të qëndrueshëm në zbatimin e masave të reformës së administratës publike dhe mirëpriti në veçanti konsolidimin e masave që synojnë forcimin e transparencës dhe meritokracinë e shërbimit civil, si dhe përmirësimin e efektivitetit në ofrimin e shërbimeve.

Këshilli i SA-së njohu rolin e Shqipërisë në rajon si një partnere pro-aktive dhe konstruktive. Këshilli i SA-së lavdëroi gjithashtu pjesëmarrjen e vazhdueshme të Shqipërisë në nismat dhe strukturat rajonale në Evropën Juglindore, si dhe marrëdhëniet e mira të fqinjësisë dhe qëndrimin rajonal konstruktiv. BE-ja përsëriti se marrëdhëniet e mira të fqinjësisë dhe stabiliteti rajonal janë elementë thelbësorë të procesit të Stabilizimit dhe Asociimit.

Këshilli i SA-së përshëndeti përshtatjen e plotë të Shqipërisë me vendimet e Këshillit dhe politikat e përbashkëta të jashtme dhe të sigurisë.

Takimi u kryesua nga Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë Federica Mogherini. Delegacioni shqiptar u drejtua nga Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, zoti Ditmir Bushati. Drejtori i Përgjithshëm për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, zoti Christian Danielsson përfaqësoi Komisionin Evropian.

OPINIONE