Kurti: Nuk e kam pranuar ende draft-statutin e Asociacionit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke raportuar në Kuvendin e Kosovës lidhur me takimin e 26 tetorit në Bruksel me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian (BE), ka thënë se draft-statuti i Asociacionit të komunave me shumicë serbe i prezantuar nga përfaqësuesit ndërkombëtarë nuk është “Zajednica” që e parashihnin marrëveshjet e vitit 2013/2015. Kurti në fjalën e tij para deputetëve tha se draft-statuti i Asociacionit i prezantuar nga emisarët ndërkombëtarë gjatë vizitës së tyre në Prishtinë më 21 tetor “e ndërpret trashëgiminë mosnjohëse të Kosovës që ishte çimentuar në marrëveshjet e 2013 dhe 2015”.

Sipas Kurtit, më 26 tetor në Bruksel ai ka theksuar jo vetëm prioritetin politik për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, por edhe urgjencën gjeopolitike, duke pasur parasysh “luftën mes Izraelit dhe Hamasit dhe luftën në Ukrainë, e cila nuk ka fund”. “Në atë moment unë kam thënë hapur se me qenë se qenka kaq çështje urgjente po e marrim Marrëveshjen Bazike, Aneksin e zbatimit, pra, tekstet e Brukselit dhe të Ohrit edhe këtë draft-statut për të cilin unë paraprakisht ua kam dërguar një faqe me vërejtjet e mia kapitale emisarit Lajçak dhe vetëm si një paketë ku janë të trija, me këtë rënditje që e thash dhe me kërkesën tonë për statusin e vendit kandidat në BE dhe për Programin e NATO-s për Partneritetin për Paqe po i nënshkruajmë sot”, tha Kurti.

Mirëpo, siç ka theksuar ai, liderët evropianë më pas janë takuar me presidentin e Serbisë, i cili ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjes dhe madje ka deklaruar se nuk e njeh integritetin territorial të Kosovës. Kurti tha se ende nuk e ka pranuar draft-statutin, të cilin e kanë prezantuar 5 delegatë amerikano-evropianë më 21 tetor dhe nuk bëhet fjalë për një pranim të draft-statutit pa e parë atë edhe deputetët.

“Një draft të tillë unë nuk e kam pranuar, nuk e kam pranuar ende. Dhe, kurrfarë pranimi nuk vjen në shprehje pa e parë jo. Për shkak se nuk e kam pranuar edhe nuk po e shihni. Ta pranosh nënkupton të pajtohesh dhe të ndërmarrësh obligime për zbatimin e draftit. Unë një përkushtim të tillë nuk e kam marrë. Ajo çfarë unë kam ofruar është që ta nënshkruaj dhe si rrjedhojë ta pranoj”, tha Kurti.

Kryetari i partisë më të madhe opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi tha se nuk ka ditur se a duhet të qajë apo të qeshë kur ka dëgjuar për pranimin e draft-statutit të Asociacionit. Ai kujtoi gazin-lotësjellës të hedhur nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin e Kosovës kundër marrëveshjes për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Krasniqi ka theksuar se në Kuvend kryeministri Kurti është thirrur të tregojë se çfarë përmban drafti i statutit të Asociacionit, por se deputetët nuk e dëgjuan këtë.

“Nuk të kemi thirr me të shpallë as tradhtar, as spiun, as nuk të kemi thirr me të shpallë mashtrues. Nuk të kemi thirr të të etiketojmë. Ti je ai njeri që gjithë karrierën e ke ndërtuar kështu. Vërtetë të kemi thirr për të diskutuar për një vendim të cilin ti e ke pranuar, për një vendim i cili mund ta ndryshojë trajektoren e të ardhmes së qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe shtetit tonë. Arsyeja themelore është transparenca”, theksoi Krasniqi.

Ai ka theksuar se opozita vazhdimisht ka paralajmëruar se duhet të koordinohen me aleatët ndërsa kërkoi nga Kurti që të tregojë se si do të quhet Asociacioni, cilat do të jenë organet e tij, çfarë simbolesh do të ketë, a do të ketë të drejtën të propozojë ligje, a mund t’i rrëzojë vendimet e tij Gjykata Kushtetuese e detaje të tjera.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku tha se për draft-statutin, Kurti dhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kanë dhënë qëndrime kontradiktore. Abdixhiku tha se derisa kryeministri pretendon se statuti i Asociacionit është në përputhje me Gjykatën Kushtetuese, presidentja ka kërkuar ta dërgojë fillimisht atë në Gjykatë Kushtetuese.

“Tani, draft-statuti i pranuar nga kryeministri Kurti ose do të shkelë Kushtetutën e Kosovës ose do të shkelë vijat e kuqe kushtetuese të Serbisë. Por, në të dyja anët nuk mund të jetë”, theksoi Abdixhiku. Ai tha se draft-statuti për Asociacionin nuk duhet të nënshkruhet me Serbinë “sepse është çështje e brendshme e Kosovës”. Kryetari i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri ka thënë se kryeministri me mungesën e transparencës ka krijuar klimë toksike në dialog dhe ka bërë që ndaj Kosovës të vendosen sanksione.

Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje mbi parimet për themelimin Asociacionit më 2013 dhe më 2015, por më 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka gjetur se marrëveshja nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Më 26 tetor në takimet e ndara në Bruksel të liderëve të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe përfaqësuesit e BE-së, me kryeministrin Kurti dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq, ata kërkuan që Serbia të njohë “de facto” Kosovën dhe Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne