Liga Arabe, nga gënjeshtrat deri te narracionet e gabuara

AREK CHERKAOUI

Autori i shkrimit është menaxher në Qendrën Kërkimore të “TRT World” dhe autor i “Mediat e lajmeve në luftë: Përplasja e Rrjeteve Perëndimore dhe Arabe në Lindjen e Mesme”. Dr. Cherkaoui është një ekspert në fushën e komunikimeve strategjike.

Nuk është sekret se Bota Arabe është në pikën e saj më të ulët. Organizata përgjegjëse për modelimin e marrëdhënieve ndër-shtetërore arabe, përkatësisht Liga Arabe, ka qenë një fiasko e plotë që nga themelimi i saj në vitin 1945 me nxitjen e oficerëve kolonialë britanikë. Organizata dështoi të parandalojë ose zgjidhë mosmarrëveshjet midis vetë vendeve anëtare, e lëre më me forcat e jashtme. Edhe kauza palestineze, e cila supozohet të ishte një faktor unifikues për vendet arabe, është hedhur anash. Si rezultat, kuazi-shumica e samiteve arabe nuk nxorri asnjë përfundim.

Kjo gjendje është rezultat i shpërthimit të kryengritjeve arabe në vitin 2011, e cila ekspozoi situatën e rëndë në botën arabe. Sidoqoftë, në vend që të përfshiheshin në reforma domethënëse dhe të mundësonin një proces të demokratizimit, në shesh doli një bosht antidemokratik. Kjo e fundit, e përfaqësuar kryesisht nga Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe (EBA) dhe Egjipti, zgjodhën të dyfishojnë shtypjen dhe korrupsionin. Kjo u bë duke nxitur aktorë të ndryshëm shtetërorë dhe joshtetërorë dhe duke përdorur një panoramë të gjerë veprimesh të hapura dhe të fshehta për të përkeqësuar klimën politike dhe për të parandaluar mbizotërimin e forcave pro-demokratike.

Paralelisht me këtë, ky bosht helmoi sferën publike me retorikë toksike. Një veprim i tillë synonte të maskonte natyrën retrograde të projektit politik të boshtit, duke krijuar armiq iluzorë në psiqikën publike, si Katari dhe Turqia. Në rastin e kësaj të fundit u orkestrua një fushatë demonizimi për të denigruar vendin dhe udhëheqjen e tij në mënyra të ndryshme.

Një nga narrativat kryesore që janë përhapur nga ky koalicion është mobilizimi i boshtit kundër të ashtuquajturit agresion që synon tokat arabe. Për shembull, në një pjesë të botuar nga gazeta saudite “Okaz” më 26 tetor 2019 me titull “Ata që qëndrojnë me Rijadin nuk do të zhgënjehen”, autori përshkruan një “projekt të udhëhequr nga Arabia Saudite për të ruajtur interesat e tokave arabe dhe shtetet-kombe të centralizuara arabe”. Një temë e ngjashme u përdor nga ministri i Jashtëm i EBA-së për të kritikuar operacionin e Turqisë “Burimi i Paqes”, duke përshkruar operacionin si një “agresion të ashpër dhe të papranueshëm kundër sovranitetit të një shteti arab” (The National, 13 tetor 2019).

Përtej natyrës së cekët të këtyre akuzave, lindin dyshimet nëse këto pretendime burojnë nga memorja e shkurtër, hipokrizia politike ose nga dashakeqësia. Shumë njerëz ende kujtojnë se Arabia Saudite, EBA dhe Egjipti ishin kundërshtarët më të fortë të pushtimit të Irakut të drejtuar nga SHBA në vitin 2003. Kjo e fundit paraqet një shembull tipik të një agresioni të padrejtë dhe të drejtpërdrejt kundër një kombi arab, i cili u krye duke përdorur gënjeshtra të kulluara, mashtrime dhe obstruksione.

Në të njëjtën mënyrë, këto regjime nuk bënë asgjë për të parandaluar apo edhe zbutur dy agresionet kundër Gazës (2008-2009), dy luftëra kundër Libanit (1982 dhe 2006). Ata gjithashtu prolonguan trazirat e përsëritura politike në Jemen. Në mënyrë të ngjashme, ata kurrë nuk lëvizën as gishtin, madje as një herë, për të ndaluar luftën civile në Sudan, e cila çoi në shkëputjen e Sudanit të Jugut. Po ashtu, ata kishin kthyer shikimin diku tjetër ndërsa Somalia u shndërrua në një shtet të dështuar pas luftës civile të vitit 1991.

Në epokën pas “Pranverës Arabe”, boshti antidemokratik u përfshi drejtpërdrejt në agresione kundër kombeve të ndryshme. Ata bllokuan padrejtësisht Katarin, përhapën kaosin në Siri, Somali, Libi dhe Jemen, duke minuar sovranitetin e këtyre vendeve, duke bombarduar civilë [1], dhe duke mbështetur grupe terroriste (p.sh. PKK/YPG në Siri, Al Kaeda në Jemen) [2] . Në një mënyrë të ngjashme, raportet e mediave sugjerojnë se sauditët luajtën një rol kryesor në financimin e [3] grupit terrorist DEASH, udhëheqësi i të cilit Abu Bakr al-Bagdadi u vra kohët e fundit në një sulm të forcave amerikane (27 tetor 2019).

Kur bëhet fjalë për kauzën palestineze, këto regjime u bënë ndërmjetësit e të ashtuquajturës “Marrëveshje e Shekullit”. Ata luajtën një rol kryesor në ndarjen e ryshfetit [4] duke detyruar palestinezët të pranojnë një mashtrim të tillë, i cili u etiketua me të drejtë nga disa ekspertë si “Shuplaka e shekullit”. Ndërkohë, disa individë dhe organizata të lidhura me EBA-n kaluan në masën e blerjes së pronave në Kudsin Lindor dhe ua shisnin [5] kolonëve izraelitë për të dobësuar pozitat dhe të drejtat e palestinezëve në qytetin e shenjtë.

Është e qartë se boshti antidemokratik ka humbur busullën e saj ligjore dhe morale. Këto regjime kanë një listë të gjatë “të çështjeve që i mbajnë të fshehura, të cilat nëse ekspozohen mund të jenë shkatërruese për ta” ndërsa të dhënat tregojnë se ata nuk kanë shfaqur asnjë intersim për tokat arabe apo sovranitetin e shteteve-kombe arabe.

Nga ana e saj, Turqia ka bërë shumë më tepër për vendet arabe në problemet e tyre sesa të gjitha këto regjime së bashku. Turqia ka strehuar 3.5 milionë refugjatë nga Siria në një kohë kur u mohuan vizat e thjeshta nga sauditët dhe EBA për biznesmenë dhe profesionistë sirianë. Ankaraja gjithashtu po ndihmon qeverinë e mbështetur nga OKB-ja në Libi, ndërsa ofron gjithashtu mbështetje të konsiderueshme në rindërtimin e Somalisë. Për më tepër, Ankaraja i dha Irakut një ndihmesë ekonomike jetike pas pushtimit të vitit 2003 dhe ofroi zhvillim dhe ndihmë humanitare për Sudanin, veçanërisht në Darfur. Ndërkohë, Turqia ishte një nga kundërshtarët më të zëshëm të “Marrëveshjes së Shekullit”, duke ekspozuar gabimet e saj në tubime ndërkombëtare dhe rajonale.

Me pak fjalë, Turqia është një aleat natyror i botës arabe. Kjo është një forcë për të mirë në një botë të trazuar dhe të rrezikshme dhe shembujt e përmendur ilustrojnë politikën e jashtme të Ankarasë të drejtuar nga vlerat. Prandaj, gënjeshtrat e boshtit dhe narrativat e gabuara nuk mund të mashtrojnë askënd. Siç thotë proverba, është e kotë të “përpiqesh ta mbulosh diellin me shoshë”.

* Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht politikën editoriale të Anadolu Agency.

[1] https://edition.cnn.com/2019/07/05/africa/libya-uae-migrant-center-intl/index.html

[2] https://www.apnews.com/f38788a561d74ca78c77cb43612d50da

[3] https://www.theatlantic.com/international/archive/2014/06/isis-saudi-arabia-iraq-syria-bandar/373181/

[4] https://www.middleeastmonitor.com/20190501-saudi-arabia-offers-abbas-10bn-to-accept-us-peace-plan/

[5] https://www.aljazeera.com/indepth/features/selling-jerusalem-palestinian-homes-settler-hands-190206112317535.html

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne