Lista të hapura, lista të mbyllura

Nga Gjergj Erebara

Edi Rama dhe Sali Berisha ranë dakord një natë në prill 2008 që të ndryshojnë Kushtetutën dhe sistemin zgjedhor të vendit, duke krijuar sistemin aktual proporcional rajonal me lista të mbyllura, në të cilat, shqiptarët zgjedhin një parti, ndërsa partia zgjedh deputetët që do të dërgohen në parlament. Mbrojtësit e saj sugjerojnë se marrëveshja krijon një stabilitet në qeverisjen e vendit, duke i varur deputetët me partitë përkatëse dhe duke kufizuar nevojën për të akomoduar në tortën e pushtetit më shumë deputetë e grupime deputetësh, gjë që kishte shkaktuar destabilitet në qeverisjen e vendit, veçanërisht në vitet 1997-2005 me tre kryeministra që u ulën dhe u ngritën në karrigen e kryeministrit pesë herë. Marrëveshja e vitit 2008 që krijoi listat e mbyllura u argumentua në atë kohë edhe si një masë kundër përfshirjes së gangsterëve në garat elektorale. Të dyja argumentet duket se u rrëzuan nga historia e gati 12 vjetëve të qeverisjes së vendit nga sistemi i listave të mbyllura. Në vitin 2016, Shqipëria u detyrua të miratojë një “ligj për dekriminalizimin” e politikës, për shkak të numrit të stërmadh të personave me precedentë të rëndë apo të lehtë penalë që hynë në parlamentin e vitit 2013 pikërisht përmes së ashtuquajturave ‘lista të mbyllura”, kryesisht në ato të Partisë Socialiste.

Ndryshe nga sa argumentohej më 2008 se partitë do të prireshin në listat e tyre të mbyllura të kandidonin me mençuri intelektualë dhe jo gangsterë, rezultati ishte krejt i kundërt.

Edhe argumenti i stabilitetit në qeverisje të krijuar nga sistemi i listave të mbyllura vështirë se u vërtetua. Në vitet 2009-2013 kur vendi u qeveris nga koalicioni PD-LSI, ministrat u ndryshuan në vazhdimësi, qeveria u përfshi nga skandale të njëpasnjëshme dhe në fund, tre deputetë socialistë kapërcyen gardhin për të mbështetur qeverinë, pasi mësuan se kryetari i tyre i partisë nuk kishte në plan t’i rivendoste në listat e deputetëve.

Por problemi më i madh me listat e mbyllura është që Kuvendi i Shqipërisë, institucioni që në një sistem demokratik duhet të kontrollojë qeverisjen, u kthye në një institucion të dobët dhe jopërfaqësues të publikut, të kontrolluar nga kryetarët e partive, të cilët, në të gjitha rastet, caktojnë vetë personalisht se kush do të jetë i pari e kush i fundit në listë.

Askush nuk e mohon dot faktin që Rama dhe Berisha ranë dakord më 2008 të krijojnë një sistem pushteti duopol, ku shanset për të bërë politikë jashtë partive të mëdha të ishin zero. Dhe kjo u vërtetua nga fakti që në tre palë zgjedhje, vendi nuk pati në asnjë rast, qoftë edhe një deputet të pavarur të vetëm.

Sistemi me lista të mbyllura nuk do të ishte ndonjë tragjedi për vendin, në rast se partitë politike do të kishin demokraci të brendshme, në rast se anëtarët e tyre do të kishin ndonjë rol në vendimmarrjen se kush do të dërgohet si përfaqësues në parlament e kush jo. Por fakti është që të trija partitë kryesore dukshëm nuk kanë kurrfarë demokracie të brendshme.

Kabllogramet e diplomacisë amerikane të zbuluara në vitin 2011 nga organizata Ëikileaks tregojnë se si, në zgjedhjet e vitit 2009, personat që ishin në listat e mbyllura të Partisë Socialiste nuk e dinin paraprakisht se ishin në këto lista, por e morën vesh pasi listat u dorëzuan nga kryetari i partisë në KQZ.

Në krahun tjetër të politikës, ish-kryeministri Sali Berisha hodhi edhe një hap tjetër tallës me demokracinë po në ato zgjedhje: në atë kohë, gazetat (në Shqipëri ka pasur edhe gazeta), kishin vesin që të hartonin paraprakisht lista me kandidatë të mundshëm të partive përkatëse. Dhe dukshëm, gazetarët që publikonin “lista” kishin pak ose aspak informacion por mbështeteshin më shumë te hamendësimi. Për ta vënë në dukje këtë gjë, Berisha komentoi në një rast se ai kishte dëshiruar të bënte një palë lista që t’i nxirrte blof të gjitha listat e publikuara nëpër gazeta, por dështoi në këtë plan për shkak se gazetat kishin publikuar sakaq kaq shumë lista, sa njëra apo tjetra mund të dilte e përafërt me atë të tij.

Me pak fjalë, listat e kandidatëve nuk ishin ato të Partisë Demokratike, ishin ato të Sali Berishës.

Listat e kandidatëve nuk ishin ato të Partisë Socialiste, ishin të Edi Ramës.

Sistemi me lista të mbyllura pati edhe anët e veta tallëse me demokracinë. Partitë e mëdha i imponuan të gjithë të tjerëve që, nëse duan të garojnë, ato duhet të garojnë me lista të plota. Nuk ka rëndësi nëse një parti e vogël ka apo jo ambicie për të fituar vetëm një apo dy deputetë. Këto parti duhej të garonin 140 deputetë. Dhe a mundet të jesh kaq i çmendur sa të garosh, fjala vjen, në listë në numrin 34, në një listë ku mund të fitojë vetëm kandidati në numrin 1?

PD, PS dhe ndonjë parti tjetër e kishte kollaj të gjente idiotë të tillë të dobishëm për të garuar në zgjedhje me zero shans për të fituar. Partitë e vogla u detyruan të bëhen qesharake vetëm për të fituar të drejtën për të garuar. Zyrtarisht në Shqipëri për 140 mandate deputetësh garonin mijëra kandidatë, shumica dërrmuese e të cilëve dukshëm as nuk e dinin se pse emri i tyre ishte në listë.

Për shembull, Partia Republikane në vitin 2017 kishte 141 kandidatë në garë, por jo kryetarin e saj, i cili garonte në listat e Partisë Demokratike.

Është ende herët për të konkluduar nëse vendi do të kalojë në një sistem demokratik pas autokracisë të kryetarëve të partive të 12 viteve të fundit. Nëse listat hapen, pyetja është se si do të hapen dhe sa do të hapen. Nëse hapen, siç pretendon Partia Socialiste, në “jo më pak se dy të tretat”, kjo do të thotë se numri i deputetëve të zgjedhur realisht nga votuesit do të jetë jo më shumë se sa një e treta e të gjithë deputetëve të parlamentit.

D.m.th, le të supozojmë se në zgjedhjet e vitit 2017 do të kishte lista të hapura në dy të tretat. Në Tiranë u zgjidhën 34 deputetë nga të cilët, PS mori 18, PD 11 dhe LSI 5. Nëse listat hapen për dy të tretat duke lënë një të tretën ose 11 deputetë nga 34 te listat e mbyllura të partive, atëherë 11 të PS-së, 11 të PD-së dhe 5 të LSI-së do të jenë nga kandidatët e listave të mbyllura ndërsa shtatë deputetë të tjerë të PS-së do të jenë nga listat e hapura. Me këtë logjikën e listave të hapura siç argumentojnë socialistët, pjesën më e madhe të deputetëve do të vijojë t’i ketë partia, ndërsa votuesit do t’i mbesin kusuret.

Argumenti i socialistëve pro listave pjesërisht të hapura, konkretisht nevoja për të pasur kuota gjinore dhe për të mbështetur praninë e deputeteve femra në parlament nuk qëndron. Shembulli është Kosova, e cila ka një sistem të tillë me lista të hapura dhe gjithashtu me kuota gjinore.

Nga ana tjetër, për shkak se palët politike kanë shprehur vullnetin të ruajnë sistemin me lista proporcionale, atëhere ka gjasa që shqiptarëve do t’u vihet përpara një fletë votimi e ngjashme me atë të Kosovës, ku qytetarët zgjedhin një parti dhe më pas shënojnë numrin e deputetit të përzgjedhur nga lista e kësaj partie. Kjo do të thotë që votat do të duhet të numërohen dy herë, një herë për të marrë vesh se cila parti ka fituar zgjedhjet dhe herën e dytë, për të parë se cili prej kandidatëve të asaj partie do të shkojë në parlament. Procesi i numërimit të këtyre votave ka gjasa do të bëhet edhe më me shumë telashe nga sa ka qenë deri më sot.

Dhe pavarësisht të gjitha këtyre, qytetarët ka gjasa do të kenë mundësi të zgjedhin vetëm mes kandidatëve që partitë kanë përcaktuar, ndërsa pragu i lartë prej 5% do të zhdukë sërish shanset për politikë jashtë partive të mëdha dhe gjithashtu, shanset që vendi të ketë ndonjë deputet të pavarur në të ardhmen e afërt, do të vijojnë të jenë të papërfillshme./ BIRN  -Reporter

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne