Lufta SHBA-Izrael kundër Iranit shkaktoi një rritje të theksuar të urrejtjes anti-muslimane në internet. Ky raport i shkurtër analizon diskursin islamofobik, duke dokumentuar modele të dehumanizimit dhe nxitjes së dhunës.
ë nga fillimi i vitit 2026, përmbajtjet e dëmshme që kishin në shënjestër muslimanët në platformat e mediave sociale janë rritur me një ritëm alarmues. Gjatë pjesës më të madhe të janarit dhe shkurtit, postimet islamofobike kanë ruajtur një prani të qëndrueshme dhe të vazhdueshme, duke reflektuar klimën armiqësore që është ndërtuar që nga fillimi i luftës izraelite në Gaza në tetor 2023.
Fillimi i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit më 28 shkurt e përshpejtoi ndjeshëm këtë prirje, duke e çuar përmbajtjen islamofobike kundër muslimanëve amerikanë në nivele të reja ekstreme.
Retorika politike e ka përkeqësuar më tej krizën. Zyrtarë të lartë të administratës së Donald Trump-it dhe disa anëtarë të Kongresit e kanë përshkruar luftën në terma haptazi fetarë, duke iu referuar narrativave të nacionalizmit të krishterë dhe duke nxitur urrejtjen anti-muslimane. Sekretari i Luftës, Pete Hegseth, e përshkroi Iranin si të udhëhequr nga “iluzione profetike islamike”.
Organizata mbikëqyrëse amerikane Fondacioni për Lirinë Fetare në Forcat e Armatosura (Military Religious Freedom Foundation – MRFF) raportoi se ka marrë ankesa sipas të cilave komandantë ushtarakë u kanë thënë ushtarëve se lufta me Iranin është “pjesë e planit hyjnor të Zotit” dhe se ajo mund të “shkaktojë Armagedonin”.
Ndërkohë, Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Johnson, duke iu referuar Iranit, deklaroi se “në analogjinë e tyre ne jemi Satanai i Madh dhe kjo buron nga feja e tyre e gabuar”. Organizatat për të drejtat civile të muslimanëve e kanë dënuar këtë gjuhë si të rrezikshme dhe nxitëse. Kur liderë politikë në nivelet më të larta e paraqesin një fushatë ushtarake me gjuhë që fajëson një fe të tërë dhe që mbështetet në retorikë të nacionalizmit të krishterë, kjo kontribuon në krijimin e një mjedisi ku muslimanët – apo ata që perceptohen si të tillë – bëhen objekt dyshimi, armiqësie dhe dhune.
Më 1 mars, një sulm me armë zjarri në Austin, në shtetin e Teksasit, e intensifikoi më tej diskursin online. Një person i armatosur, me një histori të raportuar problemesh të shëndetit mendor, hapi zjarr në një bar, duke vrarë tre persona dhe duke plagosur pesëmbëdhjetë të tjerë. Sipas raportimeve, autori mbante veshje me referenca ndaj Iranit dhe Islamit.
Efekti i kombinuar i luftës SHBA-Izrael kundër Iranit dhe i sulmit në Austin rezultoi në një shpërthim të përmbajtjeve anti-muslimane në platformat e mediave sociale.
Analiza e të dhënave
Për të vlerësuar përmasat e diskursit islamofobik në internet, Qendra për Studimin e Urrejtjes së Organizuar (Center for the Study of Organized Hate) analizoi postimet në platformën X (ish-Twitter), duke përdorur një kërkim të gjerë për të identifikuar gjuhën që lidhet me dehumanizimin, nxitjen e dhunës dhe retorikën përjashtuese kundër muslimanëve.
Të dhënat përfshijnë postime origjinale, postime me citim dhe përgjigje që përmbajnë përmbajtje islamofobike nga 1 janari deri më 5 mars 2026. Analiza tregon një rritje të fortë që fillon më 28 shkurt, ditën kur nisi lufta SHBA-Izrael kundër Iranit.
Nga 28 shkurti deri më 5 mars janë regjistruar gjithsej 25,348 postime islamofobike që kishin në shënjestër muslimanët në platformën X.
Figura 1: Vëllimi i postimeve islamofobike në X (postimet origjinale, postimet e cituara dhe përgjigjet), 1 Janar – 5 Mars 2026

Megjithatë, ndikimi i këtyre postimeve rritet ndjeshëm kur përfshihen ripostimet. Ripostimet e shumëfishojnë dukshëm shtrirjen e përmbajtjes së dëmshme, duke i mundësuar asaj të përhapet shumë përtej llogarive që e kanë krijuar fillimisht.
Kur ripostimet përfshihen në analizë, vëllimi i përgjithshëm i përmendjeve të përmbajtjes islamofobike arrin në 279,417, që përfaqëson një rritje 11-fish krahasuar me postimet origjinale të dëmshme.
Figura 2: Vëllimi i postimeve islamofobike në X (përfshirë ripostimet), 1 Janar – 5 Mars 2026

Ky amplifikim tregon se si edhe një numër relativisht i vogël postimesh të dëmshme mund të arrijë audienca jashtëzakonisht të mëdha përmes efekteve të rrjeteve dhe algoritmeve të platformave që nxisin angazhimin. Edhe pse vëllimi i përmbajtjes islamofobike ka shënuar një rënie nga kulmi fillestar, kushtet që e nxitën këtë rritje mbeten ende të pranishme.
Modelet e përmbajtjes së dëmshme
Një shqyrtim cilësor i të dhënave identifikon disa modele të përsëritura të diskursit të dëmshëm. Këto nuk përfaqësojnë një kategorizim të plotë të të gjitha të dhënave, por janë shembuj përfaqësues që ilustrojnë natyrën dhe ashpërsinë e përmbajtjes anti-muslimane që qarkullon në X dhe në platforma të tjera sociale.
Një nga modelet më shqetësuese është përdorimi i gjuhës dehumanizuese, ku muslimanët përshkruhen si “minj”, “dëmtues”, “parazitë” apo “insekte”. Historikisht, një gjuhë e tillë ka paraprirë dhe ka mundësuar format më ekstreme të dhunës ndaj komuniteteve të shënjestruara.

Përhapja e gjuhës dehumanizuese ndaj muslimanëve duhet të konsiderohet si një tregues i rëndësishëm i rrezikut për përshkallëzim të dhunës.

Ngushtë e lidhur me këtë është edhe narrativa që i paraqet komunitetet muslimane si një “epidemi”. Postimet që përdorin këtë narrativë i portretizojnë muslimanët si një lloj “infeksioni” që po përhapet dhe që kërcënon qytetet dhe institucionet amerikane.
Kjo mënyrë paraqitjeje pasqyron propagandën historike të përdorur kundër shumë komuniteteve minoritare, ku grupi i shënjestruar paraqitet si një sëmundje që duhet zhdukur.

Përtej dehumanizimit, analiza identifikon edhe postime që kalojnë nga urrejtja në nxitje të drejtpërdrejtë për dhunë, duke përfshirë thirrje të hapura për shfarosjen e muslimanëve. Disa postime e paraqesin eliminimin e muslimanëve si një akt vetëmbrojtjeje ose si një mision për mbijetesën e qytetërimit, duke i dhënë retorikës gjenocidale një pamje të rreme patriotike. Në klimën aktuale, një përmbajtje e tillë funksionon si një thirrje për veprim kundër një komuniteti që tashmë përballet me rritje të paragjykimeve, ngacmimeve, diskriminimit dhe dhunës së motivuar nga urrejtja.

Disa nga postimet më ekstreme propozojnë vendosjen e muslimanëve amerikanë në kampe internimi. Të tjera kërkojnë krijimin e një “Akti për Përjashtimin e Muslimanëve”, që do të ndalonte plotësisht hyrjen e muslimanëve në Shtetet e Bashkuara.

Një numër i madh postimesh kërkon dëbimin e të gjithë muslimanëve nga SHBA-ja. Retorika varion nga thirrje të përgjithshme për “deportimin e të gjithë muslimanëve” deri te propozime konkrete për t’u hequr shtetësinë muslimanëve amerikanë përmes procesesh masive denaturalizimi. Kjo kategori përmbajtjeje është veçanërisht domethënëse jo vetëm për shkak të vëllimit të saj, por edhe për faktin se shpesh paraqitet si kërkesë konkrete drejtuar zyrtarëve të zgjedhur.

Gjithashtu u identifikuan postime që bëjnë thirrje për shkatërrimin e xhamive, duke i trajtuar vendet e kultit musliman si infrastrukturë armike. Në këto postime xhamitë përshkruhen si “baza të vogla ushtarake” apo “qendra terroriste”.
Xhamitë në SHBA kanë qenë prej kohësh objekt sulmesh, përfshirë zjarrvënie, vandalizëm, kërcënime dhe të shtëna me armë zjarri. Qarkullimi i përmbajtjeve që i paraqesin ato si objektiva legjitime rrit rrezikun e dhunës kundër komuniteteve muslimane dhe institucioneve fetare.

Dështimi në zbatimin e rregullave të platformës
Si pjesë e kësaj analize, autorët raportuan në platformën X 30 postime të përdorura si shembuj në këtë raport, duke përdorur kategoritë zyrtare të raportimit të platformës, si “Gjuhë e Dhunshme” dhe “Urrejtje, Abuzim ose Ngacmim”.
Këto postime përfshinin përshkrime të muslimanëve si “minj” dhe “parazitë”, thirrje për shfarosje, kërkesa për kampe internimi dhe thirrje për shkatërrimin e xhamive.
Nga 30 postime të raportuara, vetëm 11 u hoqën, ndërsa 19 të tjera vazhdojnë të qëndrojnë aktive në platformë deri më 9 mars.
Ky boshllëk në zbatim thekson një shkëputje të thellë midis politikave të platformës dhe mënyrës se si ato aplikohen në praktikë, veçanërisht kur bëhet fjalë për luftimin e dehumanizimit dhe nxitjes së dhunës kundër muslimanëve. Mosveprimi proaktiv dhe fakti që përmbajtje që shkel rregullat mbetet online edhe pasi është raportuar sugjeron se mekanizmat ekzistues të zbatimit janë ose të pamjaftueshëm, ose zbatohen në mënyrë të paqëndrueshme.
Rekomandime
Gjetjet e këtij raporti tregojnë një mjedis të mbushur me urrejtje dhe nxitje kundër muslimanëve, i cili – megjithëse tashmë i paqëndrueshëm – ka arritur një pikë kritike për shkak të ndërthurjes së disa faktorëve. Këto zhvillime nënvizojnë nevojën për veprim urgjent në disa fronte.
Përgjegjshmëria e platformave: Kompanitë e mediave sociale duhet të forcojnë zbatimin e rregullave kundër përmbajtjeve që dehumanizojnë ose nxisin dhunë ndaj muslimanëve. Shumë nga përmbajtjet e dokumentuara në këtë raport duket se shkelin politikat ekzistuese të platformave, por vazhdojnë të jenë gjerësisht të aksesueshme dhe të amplifikuara. Platformat duhet të sigurojnë që mekanizmat e zbatimit të reagojnë shpejt dhe në mënyrë të qëndrueshme gjatë krizave gjeopolitike, kur përmbajtja e dëmshme në internet zakonisht rritet.
Krijimi i një rrjeti të “Raportuesve të Besuar” (Trusted Flagger): Platformat duhet t’u japin statusin “Trusted Flagger” organizatave muslimane për të drejtat civile, duke krijuar një kanal të dedikuar raportimi për identifikimin e nxitjes masive të dhunës dhe kërcënimeve. Kjo do të shmangte proceset e ngadalta të raportimit standard që lejojnë përhapjen e pakontrolluar të përmbajtjes së dëmshme gjatë periudhave të krizës.
Përgjegjësia politike: Zyrtarët publikë duhet të tregojnë kujdes maksimal në mënyrën se si e paraqesin konfliktet gjeopolitike. Gjuha që e paraqet një konflikt ushtarak si përballje fetare apo qytetëruese – ose që mbështetet në narrativat e nacionalizmit të krishterë – rrezikon të nxisë armiqësi ndaj komuniteteve minoritare brenda vendit. Liderët politikë kanë përgjegjësi të sigurojnë që retorika e tyre të mos rrezikojë qytetarët duke stigmatizuar komunitete të tëra fetare.
Mbrojtja e komuniteteve: Organizatat e shoqërisë civile, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe liderët komunitarë duhet të rrisin monitorimin e kërcënimeve kundër komuniteteve dhe institucioneve muslimane. Duke pasur parasysh rritjen e rrezikut të dhunës së drejtuar ndaj komuniteteve muslimane, ekziston një nevojë urgjente për rritjen e mbrojtjes së xhamive, qendrave islame dhe organizatave komunitare myslimane në të gjithë vendin.
Informim dhe bashkëpunim institucional:Aktorët relevantë – përfshirë zyrtarët e zgjedhur, agjencitë e zbatimit të ligjit dhe kompanitë e mediave sociale – duhet të angazhohen me studiuesit që analizojnë fenomenin e Islamofobisë për të kuptuar më mirë prirjet në zhvillim të urrejtjes dhe nxitjes së dhunës në internet. Informimi mbi gjetje si ato të paraqitura në këtë raport mund të ndihmojë në ndarjen më të saktë dhe më të shpejtë të informacionit, duke mundësuar reagime më të informuara ndaj narrativave online dhe incidenteve që mund të shndërrohen në dhunë ndaj muslimanëve, personave të perceptuar si të tillë dhe institucioneve të tyre./observer.al

















