Bota

Manipulimet e PKK-së në rrjetet sociale në lidhje me operacionin e Afrinit

Organizata terroriste PKK ka përgënjeshtruar edhe njëherë veten me propagandën njollosëse të iniciuar në rrjetet sociale kundër operacionit “Dega e Ullirit” të forcave turke kundër elementeve terroriste në Afrin të Sirisë.

Tri fotografi të shpërndara në rrjetet sociale për të cilat u pretendua të jenë shkrepur gjatë operacionit në Afrin, dolën në pah se janë të vjetra, i përkasin ngjarjeve të ndryshme dhe se njëra prej tyre është përdorur në vitin 2014 në mediumet e afërta me organizatën terroriste PKK.

Fotografia e një fëmije në barelë e shpërndarë në Twitter me pretendimin se “ushtarët turq kanë shënjestruar civilët”, u zbulua se është shkrepur në qytetin Mare në veri të Sirisë më 29 gusht të vitit 2017, gjatë një sulmi të Forcave Demokratike të Sirisë të mbështetura nga SHBA-të.

Ndërkaq, një fotografi tjetër e shpërndarë në rrjetet sociale me pretendimin se “është rrëzuar një avion ushtarak turk në Afrin”, doli në pah se është fotografia e një aksidenti të një helikopteri në Afganistan më 16 mars të vitit 2012.

Sërish në Twitter, në masë të madhe është shpërndarë një fotografi përmes së cilës është pretenduar se “një person shkatërron pesë tanke të ushtrisë turke”, e cila është zbuluar se në fakt ishte shpërndarë më 13 mars të vitit 2014 nga një medium i afërt me organizatën terroriste me titullin “YPG i kundërpërgjigjet ISIS-it me predha antitank të sofistikuara”.

Në këtë mënyrë, llogaritë në rrjetet sociale që mbështetën organizatën terroriste në fushatën e saj të vazhdueshme kundër Operacionit “Dega e Ullirit”, kësaj radhe përgënjeshtruan vetveten.

Pas lajmeve të AA-së përmes së cilës u deshifrua propaganda njollosëse në rrjetet sociale, një pjesë e përdoruesve që kanë shpërndarë fotografitë në fjalë kanë mbyllur llogaritë për shkak të reagimeve të mbështetësve të tyre, ndërsa një pjesë ka fshirë postimet.

Më herët është dëshmuar se fotografitë e shumta të shpërndara nga përdorues të rrjeteve sociale të afërt me organizatën terroriste kundër Operacionit “Dega e Ullirit” nuk kanë asnjë lidhje me operacionin. (AA)

OPINIONE