Sesioni i 51-të i Këshillit të Ministrave të Jashtëm të Organizatës së Bashkëpunimit Islamik (OBI) do të zhvillohet në Stamboll më 21-22 qershor, njoftoi të premten Ministria e Jashtme turke.
Konferenca do të zhvillohet në një periudhë të tensionuar, ndërsa sulmet izraelite në Rripin e Gazës dhe konflikti Izrael-Iran vazhdojnë. Ministri i Jashtëm turk, Hakan Fidan, do të jetë nikoqiri i këtij takimi të rëndësishëm, që pritet të shënojë një pjesëmarrje rekord.
Sesioni do të mbahet me temën: “Organizata e Bashkëpunimit Islamik në një Botë që Transformohet.”
Turqia, një nga anëtarët themelues të OBI-së, ka qenë vazhdimisht aktive në organizatë dhe ka pritur shumë ngjarje të rëndësishme të saj. Kjo pritet të jetë një nga mbledhjet më të mëdha të zhvilluara ndonjëherë në historinë e OBI-së.
Numri i pjesëmarrësve pritet të arrijë rreth 1,000, ndërsa në takim do të marrin pjesë 43 ministra të jashtëm dhe 5 zëvendësministra nga vendet anëtare.
Në konferencë do të jenë të pranishëm edhe përfaqësues nga mbi 30 organizata ndërkombëtare, përfshirë OKB-në, Ligën Arabe, Këshillin për Bashkëpunim të Gjirit, Organizata e Shteteve Turke, OBT, OIM, si dhe organizata të tjera rajonale.
Po ashtu, në kuadër të kësaj ngjarjeje do të mbahet edhe Konferenca e Jashtëzakonshme e Ministrave të Jashtëm të Ligës Arabe, që për herë të parë zhvillohet në Turqi.
Ngjarja do të mbulohet nga mbi 200 gazetarë vendas dhe të huaj. /mesazhi