Rajoni

Mehmet Pashë Deralla, heroi i harruar i Pavarësisë, Sina: Në Maqedoni, e kthyen në çmendinë shtëpinë e patriotëve

Flamuri i familjes së Derallajve, si edhe një dosje me burime arkivore nga Stambolli mbi Mehmet Pashë Derallën janë dorëzuar dje në Muzeun Historik Kombëtar në kuadër të një aktiviteti që u mbajt me rastin e 175-vjetorit të lindjes së Mehmet Pashë Derallës. Ai ishte një nga personalitet dhe patriotët më të mëdhenj, që në kapërcyell të betejave të fundit të Rilindjes Kombëtare dhe shpalljes ë pavarësisë dha një kontribut të pazakontë. Pas një ceremonie të veçantë, një ekspozite me dokumente të rralla dhe me reliket që do të plotësojnë faqet e munguara të historisë së Shpalljes së Pavarësisë, Mehmet Pashë Deralla rikthehet denjësisht, ashtu si 105 vjet më parë, në krah të Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit që ngritën flamurin në 28 nëntor 1912 në Vlorë. Ai ka përfaqësuar idealin dhe heroizmin më të lartë kombëtar të shqiptarëve etnikë të Maqedonisë. Ceremonia e veçantë për 175-vjetorin e lindjes së Mehmet Pashë Derallës u organizua nga Muzeu Historik Kombëtar, Qendra për Marrëdhënie Ndërkombëtare dhe Studime Ballkanike Tetovë dhe Lidhja e Diasporës Shqiptare për Maqedoninë.

Ekspozita dhe libri me dokumente të panjohura të Pavarësisë
Në fillim u çel ekspozita me foto dhe dokumente të panjohura më parë rreth jetës së publike dhe private të Mehmet Pashë Derallës. Me rastin e këtij përvjetori u bë edhe promovimi i librit, kushtuar këtij personaliteti të mbrojtjes dhe shpalljes së Pavarësisë Shqiptare. Ishin të pranishëm në organizimin e këtij aktiviteti personalitete të shumtë nga Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia. Ceremoninë e hapjes së ekspozitës e përshëndetën Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, Kryetari i Lidhjes së Diasporës Shqiptare për Maqedoninë, z. Xhavat Prespa, kuratori i ekspozitës z. Arsim Sinani, si edhe pasardhës të Mehmet Pashë Dërallës.

Në emër të Ministrisë së Mbrojtjes të Shqipërisë ceremoninë e përshëndeti zëvendësministri Petro Koçi, i cili ndër të tjera tha se: “Zgjedhja e Mehmet Pashë Derallës në krye të Ministrisë së Luftës, sot Ministria e Mbrojtjes, nuk ishte një rastësi por një domosdoshmëri. Ai ishte një personalitet i padiskutueshëm në fushën e vet, një personazh me vlerë si një nga protagonistët e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Ministria e Luftës e drejtuar prej tij morri përsipër barrën e madhe historike, misionin e ruajtjes së Pavarësisë së vendit dhe të mbrojtjes së qeverisë së parë shqiptare duke mos patur asnjë strukturë të mirëfilltë ushtarake.” tha Koçi.

Libri studimor “Mehmet Pashë Deralla në 175-vjetorin e lindjes (1843-2018)”, një përmbledhje kumtesash nga konferenca “102 vjet shtet shqiptar dhe më pas Çështja shqiptare dhe familja Dërralla”, të mbajtura në Tetovë në vitin 2014, përmban edhe punime shkencore, dokumente arkivore të pa ekspozuar më parë për publikun. Gjatë promovimit Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi tha se: “Ky promovim zhvillohet në vazhdën e aktiviteteve që kemi ndërmarrë në kuadër të 550-vjetorit të vitit të Gjergj Kastriotit Skënderbeut, 140-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, të cilat janë tre nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Botimi del si numër special i revistës shkencore ndërkombëtare Diskutime, e cila tashmë ka fituar një popullaritet të madh në qerthullin mbarëshqiptar. Referuesit e kumtesave hedhin dritë me fakte të reja mbi figurën e shquar të Gjeneral Mehmet Pashë Derallës, i cili ka hyrë në histori si ministri i parë i Luftës së Shtetit Shqiptar.

Mehmet Pashë Deralla ka hyrë në memorien historike të shqiptarëve si gjenerali shtatlartë që qëndronte në ballkon në krah të Ismail Qemalit në përvjetorin e parë të ngritjes së flamurit më 1913“, tha Koçi, duke shtuar se “Ndër referuesit e shumtë që kanë dhënë kontributin e tyre për të ndriçuar këtë figurë të ndritur të kombit shqiptar mund të përmendim: Arsim Sinani, Afrim Krasniqi, Bujar Dugolli, Darling Ismail Vlora, Ruki Kondaj, Ibrahim Gashi, Romeo Gurakuqi, Zaho Golemi, Ermir Nika, Qerim Lita, Proletar Hasani, Bernard Zotaj, Asllan Zemani, Ilir Zylfiu, Haxhi Ademi, Ndriçim Mehmeti, Skënder Lutfiu, Berat Murina, Man Poga, Kastriot Veselaj, Izet Abdyli etj.“, përfundoi drejtori Koçi. Rreth kronologjisë jetësore të Mehmet Pashë Derallës foli Prof. Zaho Golemi. Gjithashtu përshëndetën aktivitetin edhe Kryetari i Lidhjes së Diasporës Shqiptare për Maqedoninë, z. Xhavat Prespa, dhe z. Martin Berishaj. Në fund të këtij aktiviteti, me një ceremoni të veçantë nga burrat e Gradecit, Muzeut Historik Kombëtar ju dhurua flamuri i familjes së Derallajve, si edhe një dosje me burime arkivore nga Stambolli mbi Mehmet Pashë Derallën.

Flet Arsim Sina: Në Maqedoni, komunistët e kthyen në çmendinë shtëpinë e patriotëve Deralla
Kuratori i ekspozitës Arsim Sina është shprehur se Mehmet Pashë Deralla,  është një figurë interesante dhe me vlera për kombin shqiptar, por i lënë pasdore në harresë. Duke folur për përmbajtjen e veçantë të dokumenteve të ekspozitës që është çelur më Muzeun Historik Kombëtar, Asim Sina shprehet se: “Dokumentet flasin drejtpërdrejt për çastin që u shpall pavarësia, gjithçka korrespodencat që ka pasur Deralla për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Ai ka pasur pak foto në shpalljen e pavarësisë, sepse nuk ka pasur kohë të dalë në fotografi, sepse i është dashur të organizojë ushtrinë dhe milicinë shqiptare në ato ditë të vështira për fatin e kombit tonë. Familja e Derallajve është përzënë nga Maqedonia dhe janë fshirë arkivat. Edhe shtëpia  Derallës u sekuestrua nga shteti komunist maqedonas dhe u bë spital të çmendurish. Një shtëpi e rrallë me vlera muzeale, arkitekturore dhe kulturore, u bë spital të çmendurish me qëllim që të fyenin të gjithë patriotët dhe rilindësit që luftuan për bashkimin e shqiptarëve. Bija e kësaj familjeje Valdete Deralla ka lindur në Tetovë dhe nuk ka asnjë certifikatë lindjeje atje. Komunistët i përzunë Derallat dhe i sollën në Shqipëri, ku u morën një pasuri të madhe dhe anëtarë të kësaj familjeje u burgosën, që këto pasuri këto monumente të historisë të mos u ktheheshin kurrë”, u shpreh Arsim Sina. Më tej Sina është shprehur se “Ne asnjëherë nuk patëm çuar të sëmurët në atë shtëpi, i kemi refuzuar të futen. Për ne shqiptarët e Maqedonisë ajo shtëpi ishte me rëndësi të veçantë sepse Derallët kanë dhënë gjithçka për formimin e shtetit shqiptar. Të deklaruara edhe me dokumente Esat Pashë Deralla ka çuar për shpalljen e Pavarësisë tri arka me flori. Ai e shkriu pjesë më të madhe të pasurisë për çështjen e atdheut”, u shpreh kuratori i ekspozitës Arsim Sina, duke shtuar më tej se sjellja e dokumenteve dhe flamurit në MHK është një proces historik që do të përmbushet edhe me dorëzimin në një fazë të tjetër të arkivave Ushtrisë Shqiptare.

Burimi: Shqiptarja.com

OPINIONE