Ministri i Jashtëm i Rusisë, Lavrov në Shkup: Situata në Gaza është “shumë serioze”

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergej Lavrov deklaroi se situata në Rripin e Gazës është “shumë serioze”.

Lavrov mbajti konferencë për media pas takimit të Këshillit të 30-të Ministerial të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Shkup, kryesues i mandatit të së cilës është Maqedonia e Veriut.

Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarit të AA-së se “Si i komentoni raportimet se Sekretari amerikan i Shtetit, Blinken ka marrë pjesë në takimin e Këshillit të Sigurimit të Izraelit dhe rreth mbështetjes së SHBA-së për Izraelin”, Lavrov tha: “Situata në Gaza është shumë e rëndë. Të dhënat e OKB-së janë të tmerrshme. Numri i fëmijëve të vdekur i kaloi 6 mijë. Numri i grave të vdekura është mbi 4 mijë”.

“Ne e dënuam fuqishëm sulmin terrorist ndaj Izraelit më 7 tetor. Megjithatë, ne jemi kundër luftimit të terrorizmit me çdo mjet, duke përfshirë shkeljet e rënda të ligjit ndërkombëtar humanitar. Kolegët tanë izraelitë e dinë këtë. Të gjitha vendet e tjera të interesuara në këtë rajon kanë një qasje e ngjashme”, tha Lavrov.

Sipas tij, Izraeli ka deklaruar se nuk do të ndalet derisa të shkatërrojë Hamasin. Lavrov tha se rregullat e luftës nuk janë eliminuar.

Ministri rus tha se janë në favor të garantimit të sigurisë së Izraelit. “Siguria e Izraelit është në situatë të ndjeshme. Arsyeja për këtë është moszbatimi i vendimeve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me krijimin e shtetit palestinez”.

“Blinken iku nga këtu”

Duke kujtuar se ministrat e disa vendeve perëndimore nuk morën pjesë në takimin e OSBE-së dhe se Blinken u largua nga Shkupi pasi mori pjesë në darkën joformale para takimit, Lavrov tha: “Homologu im Blinken iku nga këtu, unë nuk ika askund”.

“Ministrat e Ukrainës, Polonisë dhe vendeve baltike nuk ishin të pranishëm në këtë takim. Blinken dhe Borrell (Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë) gjithashtu u larguan këtu. Pse po ndodh kjo? Ata ndoshta mendojnë se duke bërë këtë po theksojnë qëllimin e tyre për të izoluar Rusinë. Mendoj se ata janë frikacakë, kanë frikë të flasin sinqerisht, me të vërtetën”, u shpreh Lavrov.

Ai tha se vendet perëndimore po ndjekin politikë të shpërbërjes së OSBE-së. “Kemi parë që kolegët tanë perëndimorë nuk e kanë nxjerrë mësimin nga politikat e tyre të pasuksesshme që synojnë shkatërrimin e OSBE-së. Ata me vendosmëri po përpiqen të shkatërrojnë organizatën. 95 për qind e fjalimeve të djeshme të kolegëve perëndimorë kishin për qëllim këtë. Vetëm disa njerëz kujtuan se OSBE-ja u krijua për të bashkëpunuar dhe garantuar sigurinë e ndërsjellë. Ne shohim se çdo gjë e krijuar në OSBE është plotësisht e korruptuar”, theksoi Lavrov.

“Jo të gjithë ministrat mund të merrnin pjesë në takim”

Duke iu përgjigjur pyetjes se, “A nënkupton pjesëmarrja e Rusisë në takimin e OSBE-së se Perëndimi ka filluar të kuptojë nevojën për ndërveprim me Moskën?, Lavrov tha: “Kur mbahet mbledhje e Këshillit të Ministrave të OSBE-së, askush nuk duhet të ftojë askund. Vendi pritës i takimit ka detyrimin të sigurojë pjesëmarrjen e të gjithë ministrave dhe atyre që i shoqërojnë, përfshirë gazetarët. Kjo nuk ndodhi këtu. Ata nuk kanë të drejtë për të mos e ftuar askënd”./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne