Opinion

Ndalimi i hyrjes në evenimente është mohim i të drejtave dhe lirive themelore të njeriut

Av. Faik MIFTARI

 

Me datë 12.08.2021 qeveria e Republikës së Kosovës në vendimin  për masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 përveç tjerash ka paraparë :

 

“Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 10 shtator 2021, hyrja në ambientet e klubeve të natës, diskotekave dhe ambientet ku mbahen ahengjet (dasma, fejesa, ahengje familjare, etj.), grumbullimet, tubimet masive (festivale, koncerte etj.), të cilat kanë kapacitet mbi 100 persona, si dhe organizimi i këtyre aktiviteteve, lejohet vetëm nëse klientët/ pjesëmarrësit posedojnë një nga dëshmitë e mëposhtme:Çertifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër COVID-19; Testi RT-PCR negativ për COVID-19, jo më i vjetër se 72 orë;  Dëshmi se personi ka kaluar COVID-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik -IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve;  Test i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

 

Nga data 20 gusht 2021 deri me datë 10 shtator 2021, një nga dëshmitë e cekura më lartë, duhet të posedohet nga të gjithë punëtorët në kuadër të bizneseve/ aktiviteteve të cekura në pikën 23, të cilët janë në kontakt të drejtpërdrejté me klientët. Personat përgjegjës të bizneseve/ aktiviteteve të cekura, janë té detyruar të caktojnë një person i cili do të kontrollojë posedimin  të paktën një prej dëshmive” .

Ky vendim i qeverisë është diskriminues ndaj qytetarëve të Kosovës pasi po bën segregacionin-ndarjen e qytetarëve  në baza shëndetësore, në mes të qytetarëve të vaksinuar dhe pavaksinuar, në mes te qytetarëve pozitiv dhe negativ, etj. Të gjithë ata qytetarët të cilët nuk janë vaksinuar, apo janë pozitiv apo që nuk kanë kaluar COVID-19 iu ndalohet pjesëmarrja në evenimentet e lartcekura, dhe se njëkohësisht një gjë iu kërkohet  stafit, personelit dhe të punësuarve në këto ambiente. Me këtë veprim shkelet e drejta e barazisë së qytetarëve, meqenëse bie ndesh me nenin 3 paragrafi 2 i Kushtetutës së Republikës Kosovës i cili thekson: “Ushtrimi i autoritetit publik në Republikën e Kosovës bazohet në parimet e barazisë para ligjit të të gjithë individëve dhe në respektimin e plotë të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, të pranuara ndërkombëtarisht,…”.

 

Pronarët e klubeve të natës, diskotekave, restoranteve dhe hoteleve  në të cilat mbahen evenimentet e lartcekura si ofrues të shërbimeve nuk munden dhe nuk kanë të drejtë të dinë  dhe të kërkojnë se çfarë gjendje shëndetësore ka klienti apo mysafiri i tij, pasi që kjo është në kundërshtim me nenin 20 paragrafi 1 i  Ligjit nr. 2004/38 për të drejtat dhe përgjegjësit e qytetarëve për kujdesin shëndetësor i cili thekson: “Qytetari ka të drejtë në ruajtjen e konfidencialitetit dhe përmasës private të të dhënave personale; të informatave që janë të lidhura me gjendjen e tij shëndetësore; trajtimin mjekësor si dhe çdo informate tjetër, që përmban dokumentacioni i tij shëndetësor”.

 

Pas datës 20 qershor 2021 qytetarët e Republikës së Kosovës të cilëve iu ndalohet hyrja në klubet e natës, diskoteka, restorante dhe hotele ku mbahen evenimentet e lartcekura duhet t’u tregojnë pronarëve ku mbahen këto evenimente se këtë që po kërkon qeveria prej tyre, është mohim i të drejtave njerëzore dhe në kundërshtim me konfidencialitetin e qytetarit, si dhe askush nuk mund të detyrojë qytetarin të vendos kundër ndërgjegjes së tij se a do të vaksinohet apo jo, sepse për këtë ai vendos për vetveten e tij në mënyrë të lirë, në kuptim të nenit 26 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Rezolutës së Këshillit të Evropës nr. 2631 të datës 26 janar 2021 si dhe Kodit të Nyrnbergut.

 

Qeveria e Kosovës  vendimin e saj mbështetet përveç tjerash në Ligjin nr. 07/L-006 për parandalimin dhe Luftimin e Pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës me  të cilën ka të drejtë të bëjë kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut:” Kufizimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, përjashtimisht ato të specifikuara në nenin 56(2) të Kushtetutës, për aq sa një gjë e tillë është e domosdoshme për luftimin dhe pengimin e përhapjes së sëmundjes COVID–19”.

 

Liritë dhe të drejtat e njeriut të specifikuara sipas nenit 56 paragrafi 2 në asnjë mënyrë nuk mund të kufizohen, bile edhe gjatë shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore nuk është lejuar:

2. Shmangia nga të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 23, 24, 25, 27, 28, 29, 31, 33, 34, 37 dhe 38, të Kushtetutës nuk është e lejuar në kurrfarë rrethanash”.

 

Në këto të drejta të cilët në asnjë mënyrë nuk mund të kufizohen, ndryshe shquhen si drejta absolute të mbrojtura, bëjnë pjesë përveç tjerash, dinjiteti i njeriut si dhe barazia para ligjit e cila parasheh ndalimin e diskriminimit mbi çfarëdo baze : ”Neni 23. Dinjiteti i njeriut është i pacenueshëm dhe është bazë e të gjitha të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Neni 24. Të gjithë janë të barabartë para ligjit. Çdokush gëzon të drejtën e mbrojtjes së barabartë ligjore, pa diskriminim”.

        17.08.2021                                                          

OPINIONE