Tirana u përfshi nga atmosfera e fushatës elektorale të mazhorancës, e cila zgjodhi sheshin “Skënderbej” për të dhënë spektaklin e radhës. Në krah të kryeministrit Edi Rama, përballë kamerave dhe publikut, ndodhej Edlira Dyrmishaj, e njohur si besimtare muslimane. Ajo duartrokiste dhe buzëqeshte gjatë fjalimeve dhe performancave, në një ditë që për shumë të tjerë ishte ditë proteste dhe reflektimi.
E kundërta ndodhte në një tjetër cep të qytetit, larg kamerave të spektaklit politik. Burbuqe Islami, zëri i njohur i kauzave të ndershme sociale dhe fetare, kishte zgjedhur të qëndronte krah qytetarëve të shqetësuar për masakrat që po ndodhin në Gaza. Ajo nuk zgjodhi të heshtë. Ajo nuk zgjodhi as duartrokitjet, as skenën, as shfaqjen. Ajo zgjodhi barrën morale të qëndresës.
Në një status të publikuar në rrjetet sociale, Islami shprehet me tone të ashpra ndaj atyre që, sipas saj, me praninë dhe duartrokitjet e tyre i japin legjitimitet një lidershipi që nuk ka marrë asnjë pozicion të qartë ndaj gjenocidit në Gaza.
“Duartrokitja në krah të kryeministrit të valles së hedhur në sheshin Skënderbej, është duartrokitje për medaljen e larë me gjakun e grave, fëmijëve dhe burrave ndaj të cilëve ushtrohet gjenocidi më i madh i shekullit të 21-të,” shkruan ajo.
Kjo ndarje nuk është vetëm mes dy grave. Është ndarja mes dy qëndrimesh: njëra që hesht përballë një tragjedie ndërkombëtare, dhe tjetra që e artikulon me zë të lartë, pa frikë nga kostot politike apo sociale.
Fakti që në krah të Ramës u shfaq një figurë e identifikuar me besimin islam, por pa asnjë deklaratë publike për masakrat ndaj myslimanëve në Gaza, ka nxitur reagime dhe ironi në rrjete sociale. Pasi për shumëkënd, kjo përfaqësim është më shumë fasadë se përfaqësim i vërtetë i komunitetit mysliman në Shqipëri.
“Të jesh besimtar/e nuk do të thotë të mbash vetëm një shami. Do të thotë të flasësh kur padrejtësia ndodh. Sidomos ndaj një populli që vritet për çdo metër tokë të shenjtë,” shkruan një komentues në rrjet.
Në një kohë kur gjenocidi në Gaza është në qendër të vëmendjes botërore, dhe vendet e mëdha po ndajnë qëndrime të qarta, Shqipëria zyrtare vijon të heshtë ose të relativizojë. Dhe kjo heshtje duket se ka përfaqësuesit e saj edhe në sheshet elektorale./gazetaimpakt