Netanyahu: Lufta na bën të paguajmë një çmim shumë të rëndë, por nuk kemi alternativë tjetër

Derisa po rriten humbjet ushtarake të ushtrisë izraelite e cila ka zgjeruar pushtimin tokësor në Rripin e Gazës, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se pavarësisht çmimit të rëndë të luftës do të vazhdojnë dhe mënyrën se si do të vazhdojnë do ta vendosin vet dhe jo presioni ndërkombëtar.

Në fjalimin e tij në mbledhjen javore të qeverisë që u mbajt në Tel Aviv, Netanyahu pas vrasjes së 14 ushtarëve izraelitë gjatë fundjavës në Gaza deklaroi se “Lufta na bën të paguajmë një çmim shumë të rëndë, por nuk kemi alternativë tjetër përveçse të vazhdojmë”.

Duke mbrojtur idenë se ushtria izraelite ka “arritur suksese në sulmin me forcë të plotë” në Rripin e Gazës, Netanyahu njoftoi se në bisedën e tij me presidentin e SHBA-së, Joe Biden ka thënë se “do të vazhdojnë të luftojnë deri në fitore dhe se SHBA-ja e ka kuptuar këtë”.

Netanyahu pretendon se lajmet që SHBA-ja “ka penguar ose do të pengojë hapat e operacionit, nuk pasqyrojnë të vërtetën”. “Izraeli është shtet i pavarur. Vendimet tona në luftë bëhen sipas përllogaritjeve të operacioneve, nuk do të hyj në detaje. Këto nuk mund të diktohen me presion të jashtëm. Se si i përdorim forcat tona është vendim i pavarur, i përket ushtrisë dhe askujt tjetër”, tha ai.

Netanyahu tha se objektivat e tyre janë “të eliminojnë Hamasin, të kthejnë pengjet dhe qytetarët izraelitë të jetojnë të sigurt në jug dhe në veri”. Është raportuar se 14 ushtarë izraelitë janë vrarë në 24 orët e fundit në Rripin e Gazës, ku ushtria izraelite po përpiqet të zgjerojë pushtimin tokësor./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne