OKB paralajmëron Izraelin të mos sulmojë spitalin Shifa

OKB paralajmëroi se çdo sulm ndaj objekteve shëndetësore “do të jetë një shkelje e ligjit ndërkombëtar humanitar”.

Paralajmërimet e OKB-së vijnë pas raportimeve për një sulm të mundshëm izraelit në spitalin Al-Shifa në Gaza.

I pyetur nga Anadolu gjatë një konference të përditshme për media nëse OKB-ja është në dijeni të një sulmi të mundshëm në spitalin më të madh të Gazës dhe nëse po merr ndonjë masë paraprake, zëdhënësi i OKB-së Stephane Dujarric tha: “Ne kemi thënë vazhdimisht se çdo sulm ndaj objekteve të kujdesit shëndetësor do të të jetë shkelje e të drejtës ndërkombëtare humanitare”.

Megjithatë, Dujarric tha se ai nuk mund të konfirmojë pretendimet e Izraelit se spitali përdoret si “një bazë e operacioneve terroriste” nga grupi palestinez Hamas, duke shtuar se “nuk është një spital që drejtohet nga OKB”.

Ushtria izraelite publikoi më herë gjatë ditës disa materiale audio dhe video, duke pretenduar se Spitali Al-Shifa po përdoret nga Hamasi për “aktivitetet e tij terroriste”. Hamasi mohoi pretendimet dhe i kërkoi OKB-së të ndërmarrë veprime kundër sulmeve të mundshme, pasi spitali po strehon mijëra civilë.

Kompleksi Mjekësor Shifa është një kompleks mjekësor qeveritar që konsiderohet institucioni më i madh shëndetësor mjekësor brenda Rripit të Gazës.

Kompleksi përfshin tre spitale të specializuara: Spitali i Kirurgjisë, Spitali i Mjekësisë së Brendshme dhe Spitali i Obstetrikës dhe Gjinekologjisë.

Spitali është aktualisht një strehë për mijëra civilë që strehohen nga bombardimet e ashpra izraelite në Rripin e Gazës./AA

Bashkohu me ne!

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne