“Okupimi izraelit me ‘strategji taktike’ synon qëllimisht sistemin ushqimor palestinez”

Sipas një aktivisteje për të drejtat e njeriut, okupimi izraelit synon qëllimisht sistemin ushqimor palestinez, që është “strategji taktike”. Nëpunësja e avokatisë në Komitetet e Unionit Palestinez të Punës Bujqësore (UAWC), Yasmeen El-Hasan, duke folur për Anadolu kujtoi se okupimi izraelit synon zonat bujqësore, infrastrukturën e peshkimit, portet detare dhe zonat rurale.

“Këto sulme kanë ndikuar në të gjithë sistemin e prodhimit të ushqimit duke u përpjekur të pengojnë aftësinë e palestinezëve për të mbajtur veten e tyre”, tha El-Hasan. Ajo theksoi se Izraeli synon të krijojë “situatë ku palestinezët që nuk vriten nga bombat izraelite do të vdesin nga uria, dehidratimi ose sëmundjet”. El-Hasan shtoi se normalisht toka e Palestinës u siguron banorëve të saj “më shumë se sa duhet” për ta mbajtur veten.

“Uria nuk është çështje e mungesës së burimeve. Kjo është krizë e krijuar nga njeriu dhe okupimi izraelit po prodhon uri masive të popullit palestinez në Rripin e Gazës”, theksoi El-Hasan.

Aktivistja theksoi rëndësinë e “sovranitetit ushqimor mbi sigurinë ushqimore”.

“Kjo është strategji taktike e kolonializmit të kolonëve në një përpjekje për të shkëputur materialisht lidhjen e njerëzve indigjenë me tokën e tyre. Zonat bujqësore dhe sistemi i prodhimit të ushqimit në Palestinë tani është shkatërruar, okupimi e ka shkatërruar plotësisht”, tha El-Hasan.

Ajo tha se këto veprime do të kishin “pasoja të paimagjinueshme mjedisore” dhe do të parandalonte brezat e ardhshëm palestinezë që të vazhdojnë të jetojnë atje, që sipas aktivistes është “strategji tjetër taktike e kolonializmit të kolonëve”.

“Ky është një intensifikim i një katastrofe të vazhdueshme dhe ekzistuese. Derisa okupimi po kryen gjenocid në Rripin e Gazës, iniciativa koloniale e kolonëve po zgjerohet edhe brenda Bregut Perëndimor”, theksoi ajo.

Izraeli ka goditur Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor të vitit të kaluar, kur sipas Tel Avivit, u vranë rreth 1.200 njerëz dhe u morën 250 pengje.

Lufta ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu shumica e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), e cila në një vendim të përkohshëm në janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne