Pagesat për PPP në shëndetësi zunë 28% të të ardhurave nga sigurimet shëndetësore më 2023

Vit pas viti pjesa e shpenzimeve për koncesionet në shëndetësi erdhi në rritje si rrjedhojë e shtimit të numrit të PPP-ve dhe shtimit së financimeve tyre përtej vlerave të rëna dakord në kontratat koncesionare. Të dhënat zyrtare nga Fondi i Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor (FSDKSH) referuan se në vitin 2023 të ardhurat nga kontributet e sigurimeve shëndetësore arritën në 18,7 miliardë lekë, ndërsa financimet për katër kontratat PPP në shëndetësi (Kontrolli bazë, sterilizimi, dializa dhe laboratorët) arritën mbi 5,3 miliardë lekë ose 23.7 për qind e fondeve që u grumbulluan nga fondet e sigurimeve për shëndetin nga të punësuarit.

Gjithashtu të katër kontratat e PPP-ve morën rreth 9.3 për qind të buxhetit të FSDKSH-së, që është ofruesi i shërbimeve publike shëndetësore në të gjithë vendin.

Kontratat PPP në shëndetësi vit pas viti po marrin një pjesë të madhe të buxhetit, por nuk ka asnjë analizë për monitorimin e tyre dhe rezultatet që kanë dhënë në përmirësimin e shërbimeve dhe në shëndetin e popullatës. Vlera më e madhe e financimeve po shkojnë për PPP -të e sterilizimit dhe laboratorit, vlera e të cilave po vjen në rritje vit pas viti.

Sipas të dhënave zyrtare në vitin 2023 PPP-ja e laboratorit u financua me 1.8 miliardë lekë nga 1,7 miliardë që u dhanë në vitin 2022.

Fatura e koncesioneve në shëndetësi po gangrenizon vit pas viti buxhetin e shërbimit spitalor, i cili në vend që të kanalizohet për shërbimet themelore dhe burimet njerëzore, gjithnjë e më shumë po bie pre e abuzimeve nga keq-menaxhimi i kontratave.

Fondet për shërbimin spitalor arritën në 31 miliardë lekë me 2023, por sasia e parave që shkoi për financimin e tre kontratave PPP arriti në 4,4 miliardë lekë ose 14% e buxhetit spitalor.

Për dy PPP-të e laboratorit dhe sterilizimit, vlera e financimit ka tejkaluar parashikimet fillestare, teksa Kontrolli i Lartë i Shtetit ka zbuluar shumë abuzime gjatë zbatimit të tyre. Fondet për shërbimin spitalor erdhën në rritje vitet e fundit pas pandemisë, por pesha e koncesioneve ka ardhur në zgjerim më të shpejtë.

Kjo për shkak se tashmë ka hyrë në fuqi edhe kontrata e shërbimit laboratorik, teksa te tria bashkë me dializën dhe sterilizimin po marrin fonde përtej planifikimeve. Ashtu si edhe inceneratorët, kontratat PPP në shëndetësi janë bërë në një seri shkeljesh ligjore, aq sa Transparency International i renditi si raste madhore të korrupsionit në Ballkanin Perëndimor dhe në Turqi, ndërsa disa prej tyre janë tashmë në hetim nga SPAK./lapsi

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne