Për Tritan Shehun, bombat e Izraelit sjellin paqe dhe Trumpi është “hero i njerëzimit

Deputeti demokrat Tritan Shehu ka shpërndarë një status në rrjete sociale, ku në vend që të denoncojë masakrën në Gaza, ai e quan “ditë historike” ndërhyrjen izraelite dhe rolin e Donald Trump në të ashtuquajturin “plan të stabilitetit”.

Në një postim që flet për “lirimin e pengjeve” dhe “shpresën për një Lindje të Mesme pa Hamas”, Shehu harron të përmend qindra mijëra viktima palestineze, fëmijët nën rrënoja, apo spitalet e shkatërruara nga bombardimet. Për të, gjaku që ka mbuluar Gazën është “çmimi i paqes”.

Në statusin e tij ai shkruan:

“Sot është një ditë historike… ndaloi gjakderdhja në Gaza dhe po lind shpresa për një të ardhme pa Hamas e terrorizëm.”

Por në realitet, ndërsa ai shkruan për “shpresë”, Gaza është kthyer në një kamp gjigant varresh. Më shumë se 40 mijë civilë janë vrarë, sipas raporteve ndërkombëtare, shumica gra e fëmijë. Asnjë prej tyre nuk përmendet nga Shehu. Asnjë fjalë për spitalet e rrafshuara, për urinë masive apo për faktin që Izraeli po ndalon çdo ndihmë humanitare.

Shehu përshëndet Trumpin dhe SHBA-në, duke deklaruar se “po brohoriten në Izrael e në Gaza”. Një frazë që tingëllon cinike, në një kohë kur në Gaza nuk dëgjohen brohoritje, por britma, sirena dhe zëra që kërkojnë ndihmë nën rrënoja.

Në stilin e tij të zakonshëm, ai nuk harron të sulmojë qeverinë shqiptare dhe të majtën europiane, të cilat i quan “populiste dhe pa kuptim”, vetëm pse nuk i bashkohen korit të lavdërimeve për Trumpin. Por ajo që bie më shumë në sy nuk është heshtja e të tjerëve, por verbëria e tij.

Shehu e quan “terrorist” çdo palestinez që kundërshton pushtimin dhe bombardimin, ndërsa e sheh Izraelin si shpëtimtarin e Lindjes së Mesme. Për të, çdo bombë që bie mbi Gaza është “një hap drejt paqes”, dhe çdo viktimë palestineze një “dëm kolateral për stabilitetin”.

Në fund, Shehu flet për “fillimin e një epoke të re”. Ndoshta e ka fjalën për epokën kur politikanët europianë përulen para politikave të dhunës dhe e quajnë genocidin “zgjidhje”.

Sepse nëse paqja matet me numrin e trupave nën rrënoja, atëherë po ndoshta jemi me të vërtetë në “epokën e re” që ai mendon./gazetaimpakt

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Na ndiq