Deputetët e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhen sot për të 16-tën herë radhazi, në përpjekjen e gjashtëmbëdhjetë për të konstituuar përbërjen e re të Parlamentit.
Kanë kaluar tre muaj nga zgjedhjet e mbajtura më 9 shkurt, por Kuvendi ende nuk është arritur të themelohet zyrtarisht. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), e cila doli fituese në këto zgjedhje, nuk ka arritur të sigurojë numrin e nevojshëm të votave për ta emëruar Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit, raportoi Telegrafi.
Deri më tani, në votimet e zhvilluara, ajo ka marrë vetëm 57 vota, ndërkohë që për ta marrë postin i duhen së paku 61 vota. Partitë opozitare – Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) – kanë kundërshtuar kandidaturën e Haxhiut./tpz