Përplasje SHBA-Hamas, Katari pranon të dëbojë liderët e Hamasit pas refuzimit për lirimin e pengjeve

Katar pranoi javët e fundit të dëbojë Hamasin nga vendi i tij pas një kërkese nga SHBA, duke përmbyllur muaj të tërë përpjekjesh të pasuksesshme për të bindur grupin militant – liderët kryesorë të të cilit jetojnë në kryeqytetin e Katarit, Doha – të pranojnë një marrëveshje për armëpushim dhe lirimin e pengjeve në luftën Izrael-Hamas, thanë për CNN burime nga SHBA dhe Katari.

Me përpjekjet për të ndalur luftën – të cilat kanë qenë një prioritet për Presidentin Joe Biden – që janë bllokuar plotësisht, zyrtarët amerikanë informuan homologët e tyre katariotë rreth dy javë më parë se duhet të ndalonin strehimin e Hamasit në kryeqytetin e tyre; Katari pranoi dhe i dha njoftimin Hamasit rreth një javë më parë, thanë burimet.

“Hamas është një grup terrorist që ka vrarë amerikanë dhe vazhdon të mbajë amerikanë peng,” tha për CNN një zyrtar i lartë i administratës. “Pas refuzimit të propozimeve të përsëritura për lirimin e pengjeve, liderët e tij nuk duhet të jenë më të mirëpritur në kryeqytetet e asnjë partneri amerikan.”

Një zyrtar i lartë i Hamasit tha se raportet për pranimin e Katarit për të dëbuar zyrtarët e Hamasit nga Doha ishin “të pabaza” dhe një “taktikë presioni”, duke shtuar se pretendime të ngjashme janë përhapur më parë pa prova mbështetëse.

“Ajo që u raportua në mediat izraelite për pranimin e Katarit për të dëbuar Hamasin nga Doha pas një kërkese të SHBA-së nuk ka bazë dhe është thjesht një taktike presioni. Kjo është përsëritur pa asnjë provë,” tha zyrtari i Hamasit për CNN të shtunën.

Gjatë luftës dhe negociatave për kthimin e pengjeve, zyrtarët amerikanë i kanë kërkuar Katarit të përdorë kërcënimin e dëbimit si një mjet në bisedimet e tyre me Hamasin. Shtysa përfundimtare që e bëri Katarin të pranojë dëbimin e Hamasit erdhi kohët e fundit pas vdekjes së pengut amerikano-izraelit Hersh Goldberg-Polin dhe refuzimit të Hamasit për një tjetër propozim armëpushimi.

Katari ka luajtur një rol kryesor vitin e kaluar në përpjekjet për të siguruar një armëpushim në luftën Izrael-Hamas, kryesisht sepse anëtarët e lartë të grupit militant ndodhen në Doha. Negociatat kryesore janë zhvilluar në kryeqytetin katariot për këtë arsye.

Saktësisht se kur operativët e Hamasit do të dëbohen nga Katari – dhe se ku do të shkojnë – mbetet e paqartë. Një zyrtar amerikan i tha CNN-it se grupi nuk ka marrë shumë kohë për të lënë vendin. Ndërsa Turqia shihet si një opsion i mundshëm, SHBA nuk ka gjasa ta miratojë këtë skenar për të njëjtat arsye që nuk dëshiron që Katari të strehojë drejtuesit e Hamasit.

Më herët këtë vit, Departamenti i Drejtësisë paditi disa nga liderët e lartë të Hamasit për sulmin terrorist të 7 tetorit në Izrael. Të paktën njëri prej të akuzuarve, Khaled Meshaal, besohet se ndodhet në Katar.

Sekretari i Shtetit të SHBA Antony Blinken i kërkoi gjithashtu Katarit gjatë verës që të paralajmërojë Hamasin se nëse grupi nuk pranon të ndalojë luftën në Gaza, ata rrezikojnë dëbimin nga Doha./sot

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress