Protestuesit izraelitë po bëjnë thirrje për demokraci, por çfarë ndodh me pushtimin e palestinezëve.

Izraeli po tronditet nga një valë protestash masive që bëjnë thirrje për ruajtjen e demokracisë së vendit. Mirëpo kësaj lëvizje pro-demokracisë i mungon ndonjë mesazh i qartë i kundërshtimit ndaj sundimit të hapur ushtarak të Izraelit mbi miliona palestinezë.

Kjo kontradiktë pasqyron një besim të përhapur midis hebrenjve izraelitë se konflikti me palestinezët është edhe i pazgjidhshëm dhe disi i ndarë nga grindjet e brendshme të Izraelit.

Kritikët e lëvizjes së protestës, përfshirë palestinezët, thonë se kjo është një pikë e verbër e rëndësishme dhe se një mbrojtje e tillë selektive e idealeve demokratike tregon se sa të shkëputur janë izraelitët nga realiteti i ashpër i atyre që jetojnë nën okupimin e Izraelit.

“Është aq ironike që ata po flasin dhe protestojnë për demokracinë, ndërsa në të njëjtën kohë është një diktaturë për palestinezët për 75 vjet”, thotë Diana Buttu, komentator palestinez. “Ata kanë frikë se privilegjet dhe të drejtat e tyre do të preken disi, por nuke ndërlidhin krejt këtë me pushtimin”.

Protestuesit po demonstrojnë kundër përpjekjeve të qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu për ta dobësuar gjyqësorin duke e kufizuar mbikëqyrjen gjyqësore të vendimmarrjes dhe legjislacionit zyrtar.

Lëvizja protestuese thotë se mesazhi i saj i kufizuar kundër rishikimit gjyqësor po i bën së bashku një nga lëvizjet më të mëdha dhe më të qëndrueshme të protestës që Izraeli ka parë ndonjëherë, duke nxjerrë dhjetëra mijëra njerëz në rrugë për 30 javët e fundit.

Qeveria e Netanyahut, e përbërë nga parti ultranacionaliste dhe ultra-fetare me lidhje të ngushta me lëvizjen e kolonëve në Bregun Perëndimor, thotë se rishikimi do ta rivendosë pushtetin tek ligjvënësit e zgjedhur dhe do ta frenojë atë që thotë se është një sistem gjyqësor tepër ndërhyrës.

Kritikët e shohin këtë shtytje legjislative, veçanërisht sepse ajo udhëhiqet nga partitë fetare të ekstremit të djathtë dhe konservatore, si një sulm ndaj themeleve demokratike të Izraelit dhe sistemit të tij të dobët të kontrolleve dhe ekuilibrave. Ata thonë se një vendim i tillë do të hapë derën për shkelje serioze të lirive personale dhe të drejtave të grave, komunitetit LGBTQ+ dhe pakicave që do ta vendosin Izraelin në një rrugë drejt autokracisë.

Protestuesit vijnë nga një pjesë e gjerë e shoqërisë izraelite. Ata brohorasin “demokraci ose rebelim!” mbajnë tabela ku shkruhet “Izraeli do të mbetet një demokraci” dhe kanë shpalosur një kopje gjigante të deklaratës së pavarësisë së vendit, e cila shërben si një ligj jozyrtar i të drejtave, në ngjarje të ndryshme.

Mirëpo, në masë të madhe nga protestat e zhurmshme mungon çdo referencë domethënëse për pushtimin 56-vjeçar të Izraelit të tokave ku palestinezët kërkojnë për shtetin e tyre të ardhshëm. Një kontigjent i vogël aktivistësh që valëvisin flamujt palestinezë kanë marrë pjesë në këto protesta, por mbeten kryesisht në periferi.

Në disa raste, ata madje janë përjashtuar nga organizatorët të cilët kishin frikë se përmendja e pushtimit do ta dëmtonte disi lëvizjen e protestës. Qytetarët palestinezë të Izraelit, të cilët përbëjnë një të pestën e popullsisë, janë larguar nga protestat pjesërisht sepse demonstratat po e injorojnë pushtimin.

“Protesta është kundër reduktimit të hapësirës demokratike për hebrenjtë. Shumica e hebrenjve në Izrael nuk e kanë problem që Izraeli ta zbatojë një regjim aparteidi në Bregun Perëndimor”, thotë Dror Etkes, aktivist veteran kundër okupimit.

Me gjithë shqetësimet e tij, Etkes ka shprehur dëshirën për të marrë pjesë në protesta. Ai e sheh mungesën e temave të lidhura me pushtimin si një strategji që synon të bashkojë grupe të ndryshme kundër një kërcënimi më të afërt. Ai thotë se nëse qeveria e ka rrugën e saj, “njerëz si unë nuk do të mund të protestojnë” kundër okupimit.

Associated Press kontaktoi disa udhëheqës të protestës, të cilët ose nuk pranuan të komentojnë ose nuk iu përgjigjën pyetjeve në lidhje me kontradiktat.

Izraeli e pushtoi Bregun Perëndimor, Jerusalemin lindor dhe Rripin e Gazës, territore që palestinezët kërkojnë për shtetin e tyre të shpresuar të pavarur, në luftën e Lindjes së Mesme të vitit 1967. Izraeli u tërhoq nga Rripi i Gazës në vitin 2005 dhe, së bashku me Egjiptin, aplikon një bllokadë në këtë territor. Më shumë se 700,000 kolonë jetojnë tani në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor

Palestinezët në Bregun Perëndimor jetojnë nën vetëqeverisje të kufizuar autonome, por Izraeli kontrollon pjesë të mëdha të jetës së tyre, duke përfshirë lëvizjen dhe udhëtimin, lejet e ndërtimit në zona të caktuara dhe pjesë të rëndësishme të ekonomisë. Ushtria izraelite gjithashtu i shënjestron shpesh zonat palestineze në atë që thotë se është një përpjekje për të penguar militantët.

Një sistem ligjor me dy nivele është gjithashtu i vendosur në Bregun Perëndimor, ku pjesë të mëdha të ligjit izraelit zbatohen për kolonët hebrenj dhe palestinezët i nënshtrohen ligjit ushtarak izraelit. Palestinezët nuk mund të votojnë në zgjedhjet izraelite. Udhëheqja e tyre, e krijuar si pjesë e marrëveshjeve të përkohshme të paqes në vitet 1990, i ka vonuar vazhdimisht zgjedhjet palestineze.

Ndërkohë që palestinezët në Jerusalemin Lindor kanë vendbaniume izraelite dhe kanë qasje në përfitime të caktuara sociale, ata përballen me diskriminim të gjerë. Ata mund të aplikojnë për shtetësi, por shumë zgjedhin të mos bëjnë, qoftë për arsye ideologjike ose për shkak se procesi është shumë burokratik.

Këto realitete të kundërta i kanë nxitur grupet e të drejtave të thonë se sistemi i aparteidit ka zënë rrënjë. Izraeli i mohon me forcë pretendimet e tilla duke shtuar se Bregu Perëndimor është një territor i diskutueshëm, fati i të cilit duhet të përcaktohet përmes negociatave, të cilat janë duke u zhdukur prej kohësh.

Pas vitesh konflikti vdekjeprurës me palestinezët, shumë izraelitë hebrenj e shohin okupimin si një nënprodukt të pashmangshëm të një situate të pashpresë sigurie. Të tjerë i akuzojnë palestinezët për refuzimin e ofertave bujare të paqes – një pretendim ky të cilin palestinezët e refuzojnë.

Kjo pikëpamje i ka penguar shumë demonstrues izraelitë ta kuptojnë kontradiktën në luftën e tyre, thotë Amichai Cohen, bashkëpunëtor i lartë në Institutin e Demokracisë së Izraelit, një institut kërkimor në Jerusalem.

Mirëpo ai dhe të tjerë thonë se pushtimi po depërton në protesta, duke paraqitur një hapje të mundshme për një zgjim. Së pari, mbështetësit kryesorë të rishikimit ligjor janë kolonët e Bregut Perëndimor, të cilët kërkojnë ta zgjerojnë dhe forcojnë dominimin e Izraelit mbi territoret palestineze pjesërisht duke e dobësuar mbikëqyrjen e gjykatës mbi lëvizjet e saj.

Protestat kanë përkuar gjithashtu me një rritje të luftimeve izraelito-palestineze, gjatë të cilave kolonët radikalë i kanë sulmuar qytetet palestineze, veçanërisht Haëara, duke u vënë flakën automjeteve dhe shtëpive me një përgjigje të vogël nga forcat izraelite të sigurisë. Thirrja e shquar e protestës “Ku ishe në Haëara?” u shfaq si një thirrje kundër brutalitetit të perceptuar të policisë ndaj protestuesve

Avner Gvaryahu, i cili e kryeson ‘Breaking the Silence’, një grup informues i ish-ushtarëve, është një prani e vazhdueshme në protesta.

Ai me plot shgënjim ka dëshmuar teksa rezervistët ushtarakë kanë refuzuar të vazhdojnë të shërbejnë për të protestuar ndaj asaj që ata thonë se është shpërbërja e demokracisë së Izraelit, mirëpo kanë heshtur për okupimin.

Megjithatë, protesta e rezervistëve ka shkatërruar një tabu kundër refuzimit ushtarak, një mjet për të cilin ai thotë se mund të përdoret në të ardhmen nga ushtarët kundër okupimit.

“Rryma kryesore po zgjohet,” thotë ai.

Palestinezët, megjithatë, mbeten skeptikë.

Shaëan Jabarin, udhëheqësi i grupit palestinez të të drejtave Al-Haq, thotë se ai i konsideron protestat si një luftë të brendshme izraelite për ta ruajtur një status quo që vetëm sa e ka çimentuar edhe më shumë pushtimin.

“Për çfarë demokracie po flisni?” pyet ai. “Demokracia dhe pushtimi nuk shkojnë në të njëjtën kohë me pushtimin.”/AP

Përgatiti: Nuhi Shala

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne