Robert Inlakesh
Një Jemen i çliruar plotësisht nën udhëheqjen e Ansar Allahut do të përbënte një kërcënim madhor strategjik për “Izraelin”, duke ndërthurur aftësitë ushtarake, kontrollin pranë ngushticës Bab al-Mandab, mbështetjen për Palestinën dhe pavarësinë nga rendi rajonal i udhëhequr nga SHBA-ja.
Çlirimi i Jemenit nga një lëvizje e rreptë pro-palestineze është një skenar makthi për Projektin Sionist në rajon; ai siguron që çështja e al-Qudsit (Jeruzalemit) të pushtuar do të mbetet e gjallë dhe se një fuqi e re do të dalë në skenë për ta mbrojtur atë. Për izraelitët, ajo me të cilën po përballen i ngjan lindjes së një Irani të ri në Botën Arabe.
Për një kohë të gjatë, qeveria e Jemenit e udhëhequr nga Ansar Allahu ishte nënvlerësuar dhe trajtuar si asgjë më shumë se një pengesë e vogël, me të cilën Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe iu dorëzua detyra për t’u marrë. Në vitin 2022, kjo dinamikë filloi të ndryshonte, pasi Forcat e Armatosura Jemenite demonstruan aftësi të avancuara të raketave dhe dronëve që tronditën objektiva me rëndësi jetike në Arabinë Saudite, duke arritur deri në Emiratet e Bashkuara Arabe.
Pat-pozicioni i ofensivës së Maribit në vitin 2021 mund të ketë shërbyer gjithashtu për të mashtruar aleancën SHBA-Izrael në rajon, e cila qartësisht dështoi t’i merrte seriozisht forcat e armatosura të qeverisë së udhëhequr nga Ansar Allahu në Sana. Sidoqoftë, Rijadi përfundoi duke i marrë ata seriozisht në fillim të vitit 2022, ashtu si edhe Abu Dabi, e për rrjedhojë erdhi edhe vendimi i tyre për të pranuar një armëpushim të përkohshëm të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara.
Që nga ajo kohë, udhëheqja e Jemenit është bërë e vetmja qeveri në botë që i ka dhënë urdhër të drejtpërdrejtë ushtrisë së saj për të hapur zjarr ndaj subjektit sionist me qëllim mbështetjen e popullit të Gazës. Që nga fillimi i vetë Gjenocidit, Forcat e Armatosura Jemenite filluan të lëshonin raketa ndaj izraelitëve, përpara se t’u vendosnin atyre një bllokadë në Detin e Kuq.
Ato masa do të kishin qenë të dukshme edhe po të vinin nga çdo komb tjetër, e jo më nga një vend që vetë kishte pësuar 400,000 të vdekur në një konflikt brutal dhe kishte vuajtur një rrethim ilegal e jonjerëzor. Nuk kishte asgjë materiale që qeveria e udhëhequr nga Ansar Allahu kërkonte të fitonte nga mbështetja e saj e prekshme dhe e palëkundur për Rezistencën Palestineze në Rripin e Gazës, gjë që e bëri atë edhe më të paparashikueshme në sytë e aleancës SHBA-Izrael.
Për shkak se Sana ishte nënvlerësuar aq shumë, izraelitët dhe SHBA-ja mbetën në thelb të verbër brenda Jemenit, pa pasur as për së afërmi inteligjencën e nevojshme për t’i dhënë një goditje serioze Ansar Allahut. Në vend të kësaj, regjimi sionist bëri gjënë e parashikueshme: bombardoi objektiva civilë dhe më pas thirri aleatët e tij amerikanë për të nisur tri operacione të ndryshme ushtarake në përpjekje për të thyer bllokadën e vendosur në mbështetje të Gazës.
Jemeni është një komb që, nëse çlirohet plotësisht nga forcat me prokurë të Arabisë Saudite dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, pa dyshim do t’ia kushtonte politikën e tij të jashtme kundërshtimit të subjektit sionist dhe mbështetjes së Rezistencës Palestineze. Vetëm kjo përbën një kërcënim madhor për regjimin izraelit.
Megjithatë, kjo do të thotë edhe diçka tjetër. Ai do të jetë i vetmi vend arab që ka një qeveri të pavarur e cila nuk është e aleancuar me Shtetet e Bashkuara. Me fjalë të tjera, ai do të shërbejë si një shembull për të gjithë rajonin dhe do të përfaqësojë frymën e arabizmit. Për Rijadin, Damaskun, Amanin, Kajron e më tej, ky është një problem i madh, sepse sapo të vendoset shembulli, popullsitë e tyre mund të fillojnë të krijojnë ide se si duhet të duket e ardhmja e tyre.
Çlirimi i Jemenit do të përfaqësojë të vetmen revolucion me të vërtetë të suksesshëm të Pranverës Arabe. Në rastin e çdo shembulli tjetër, kombi ka përfunduar nën dominimin e SHBA-së, me shembullin më të fundit që është rasti i Sirisë.
Një Jemen që mund të fitojë akses në burimet e veta, të jetojë i lirë nga bllokada dhe të ketë ndikim mbi Ngushticën Bab al-Mandab mund të bëhet një fuqi e madhe rajonale, veçanërisht ndërsa është i aleancuar me Republikën Islamike të Iranit. Ky është një fitim i madh për rezistencën rajonale ndaj imperializmit amerikan dhe një humbje e jashtëzakonshme strategjike për regjimin sionist, së bashku me një goditje për diktaturat arabe të mbështetura nga Uashingtoni.
Mjeti i vetëm për të luftuar arritjet e bëra në terren nga Forcat e Armatosura Jemenite është përpjekja për të përhapur sa më shumë sektarizëm në të gjithë rajonin. Këtë, regjimet arabe të Gjirit dhe aleanca SHBA-Izrael mund ta shohin si një mjet efektiv për të luftuar vrullin revolucionar të publikut arab, i cili është trazuar së tepërmi nga Gjenocidi në Gazë.
Pjesë e arsyes pse shumica e medieve në gjuhën arabe, së bashku me të tërë medien korporative perëndimore, i referohen qeverisë së udhëhequr nga Ansar Allahu si “rebelët Houthi” është pikërisht kjo arsye. Ata shpresojnë ta pikturojnë lëvizjen si një grup luftëtarësh rebelë shiitë që janë “prokurë të Iranit”. Kjo shërben si për të delegjitimuar Forcat e Armatosura Jemenite dhe qeverinë me me seli në kryeqytetin e vendit, ashtu edhe për të shitur një narrativë të rreme sektare.
Për fatin e madh të keq të bllokut të aleancuar SHBA-Izrael-Arabi, përpjekjet e tyre për t’u hedhur hiri syve publikut po zbehen. Gjenocidi në Gazë ekspozoi se ku qëndron secili, dhe tani e vërteta është e qartë për t’u parë nga të gjithë./mayadeen
















