Shqiperia

Pse u vendos memoriali turk në Tiranë? Erion Veliaj: Pllakat, kujtdo që jep kontribut për Tiranën

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj i ftuar në emisionin “Real Story” në “News 24” drejtuar nga Sokol Balla foli edhe për çështjen e memorialit turk të vendosur në Tiranë, temë e cila hapi shumë debat.


Veliaj u shpreh se TIKA posaçërisht ka dhënë kontribut të çmuar për Tiranën dhe se komuniteti turk gjithmonë ka kontribuar në kryeqytet.

“Kemi punuar dhe po punojmë për ndërtim shkollash. Turqia ka dhënë ndihma dhe ka bërë disa shkolla e kopshte në Tiranë, disa konvikte të Qytetit Studenti. Po të mos ishin investimet e sektorit privat, ne nuk do bënim këto. Fondacionet turke kanë dhënë para edhe për kënd lojërash, edhe për pllakat përkujtimore. Unë nuk jam diplomat i Tiranës, por jam menaxhues i kryeqytetit. Unë jam gati t’i vë pllakë kujto që kontribuon për Tiranën”, tha Veliaj.

Numri një i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj theksoi se është një fatkeqësi për kombin turk ajo që ndodhi atje me grushtin e shtetit, ku viktima mbetën civilë të pafajshëm.

“Këtu ka persona që bëjnë lloj çudirash dhe media i mbulon non stop. Ne kemi komunitet turk me 2-3 mijë vetë. Ne kemi ushtarë nazist te Liqeni, siç kemi edhe të partizanëve. Sigurisht në ditën e grushtit të shtetit në Turqi kam shprehur ngushëllim. Unë kam miq në Turqi. Për atë ditë dhe atë akt, të gjithë janë dakord. Atë ditë kanë vdekur persona civilë. Kombe të ndryshme kanë përkujtimore të ndryshme, në këtë rast kanë pllakën. TIKA ka dhënë kontribut. Turqia na ndihmon me shumë gjëra, ka dhënë bursa për studentë tanë të TIK. Komuniteti turk të vjen e të thotë se duam një memorial ndaj viktimave të një puci shteti, që është kauzë e drejtë për atë komunitet. Ishin vjedhur edhe gjitha pllakat e bustit të Uillsonit. Unë nuk bëj histeri”, deklaroi Veliaj.

(d.xh/Balkanweb)

OPINIONE