Putin vlerëson “zhvillimin e qëndrueshëm” të lidhjeve midis Rusisë dhe Turqisë

Teksa takoi presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se marrëdhëniet e rusisë me Turqisë po zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme.

Dy presidentët u takuan në margjinat e samitit të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO), që po mbahet sot dhe nesër në kryeqytetin Astana të Kazakistanit.

“Pavarësisht sfidave aktuale globale, marrëdhëniet midis Rusisë dhe Turqisë po zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme. Edhe pse kemi vërejtur një rënie të lehtë të qarkullimit tregtar gjatë muajve të fundit, ajo mbetet në një nivel relativisht të lartë prej 55 miliardë dollarësh”, tha Putin, duke theksuar se projektet e përbashkëta të mëdha po ecin sipas planit.

Putin gjithashtu theksoi ndërveprimet e tij të shpeshta me homologun e tij turk.

“Më vjen shumë mirë që ju shoh zoti president. Ne jemi në kontakt të rregullt, duke shkëmbyer mendime për situatën midis vendeve tona, rajonit dhe botës në tërësi. Megjithatë, ka kaluar një kohë e gjatë që kur jemi takuar personalisht dhe jam shumë i kënaqur që ju shoh sot”, u shpreh ai.

Duke iu përgjigjur presidentit Erdogan për ftesën e tij për të vizituar sërish Turqinë, Putin tha, “Unë patjetër do të vijë”.

Disa vizita të planifikuar të presidentit rus u shtynë muajt e fundit nga faktorë të tillë si zgjedhjet që u mbajtën në të dy vendet në fillim të këtij viti.

Putin tha se vitin e kaluar një numër rekord turistësh rusë vizituan Turqinë, respektivisht rreth 6.3 milionë.

“Dëshiroj t’ju falënderoj për kushtet që po krijohen në Turqi për qytetarët e Federatës Ruse”, tha ai.

Më tej, presidenti rus tha se po planifikohen gjithashtu projekte të reja, duke vlerësuar mundësinë për të përmbledhur punën gjatë vitit të kaluar dhe për të përshkruar perspektivat në një takim personal.

“Ne vazhdojmë të punojmë në mënyrë aktive në një sërë fushash të rëndësishme të politikës ndërkombëtare dhe jemi në kontakt të vazhdueshëm me ju. Edhe ministritë, edhe departamentet tona, vazhdimisht shkëmbejnë informacione, koordinojnë pozicionet në fusha kyçe. Ne punojmë në platformat e organizatave ndërkombëtare dhe brenda kornizës së shoqatave ndërkombëtare Ne jemi të lumtur që ju shohim dhe ju takojmë në njërën prej tyre, në margjinat e Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait”, tha ai.

SCO u themelua në vitin 2001 me Rusinë, Kinën dhe fuqitë e Azisë Qendrore, ndërsa më vonë përfshiu Indinë, Iranin dhe Pakistanin. Turqia ka statusin e partnerit dialogues në organizatë./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne