Rusia paralajmëron se zhvendosja masive e palestinezëve nga Gaza në Egjipt do të ishte “katastrofike”

Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, ka deklaruar se planet e raportuara izraelite për të zhvendosur palestinezët në Gadishullin Sinai të Egjiptit do të kishin pasoja “katastrofike”.

Duke iu përgjigjur pyetjes së Anadolu-t në një konferencë për media, Zakharova tha se deklaratat provokuese rreth zhvendosjes së mundshme nxisin ndjenja radikale dhe hidhërim të ndërsjellë, duke kërcënuar të zgjasin më tej konfliktin aktual izraelito-palestinez.

“Nëse planet e tilla zbatohen, pasojat e zhvendosjes masive të njerëzve do të jenë katastrofike dhe vetëm do të përkeqësojnë situatën në rajon. Dhe do të ketë pasoja katastrofike si për palestinezët edhe izraelitët, si dhe për rajonin në tërësi”, paralajmëroi ajo.

Këtë javë doli në sipërfaqe një projekt-propozim i autoriteteve izraelite për transferimin e 2.3 milionë banorëve të Rripit të Gazës në Sinai, duke shkaktuar denoncim të menjëhershëm. Autoritetet izraelite e quajtën dokumentin një “koncept dokument” hipotetik dhe jo një plan konkret.

“Është e çuditshme të dëgjosh se propozimi për dëbimin me forcë të popullit palestinez nga tokat e tyre stërgjyshore është paraqitur nga ata që e konsiderojnë veten trashëgimtarë të idesë së ringjalljes së shtetit hebre në territorin e tij historik”, tha Zakharova.

“Dëshiroj të theksoj edhe një herë se ne shohim tërësinë e arsyeve që çuan në përkeqësimin e problemit dhe ne po themi se është e nevojshme të mos përkeqësohet më tej, por të merren ato hapa konkretë që do të çojnë në zgjidhje të situatës”, theksoi ajo.

Ajo tha gjithashtu se zyrtarët rusë “nuk do të lodhen duke përsëritur” se një zgjidhje e qëndrueshme palestinezo-izraelite është e mundur vetëm me kushtin e krijimit të një shteti të pavarur palestinez brenda kufijve të vitit 1967, me Kudsin Lindor si kryeqytet, duke bashkëjetuar në mënyrë paqësore dhe të sigurt me Izraelin./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne

Powered by WordPress