Shqiperia

Serat me kanabis në shtëpitë angleze, policia dyshon tek shqiptarët

Një mini-serë me 60 rrënjë kanabis u zbulua në Sheffield nga policia britanike. Vlera e drogës në total shkon 60 mijë paund raportojnë mediat angleze. Deri tani nuk ka asnjë të arrestuar, pasi në momentin kur policët ndërhynë në banesë, nuk u gjet asnjë person.
Autoritetet thonë se është i dyti rast brenda pak ditëve kur zbulohet një serë me kanabis. E njëjta sasi ishte zbuluar edhe në operacionin e mëparshëm, 60 bimë me vlerë 60 mijë paund në një dhomë të përshtatur për rritjen e kanabisit. Në rastin e parë, brenda në shtëpi ishte gjetur një emigrant shqiptar që kujdesej për rritjen e kanabisit.
Një zëdhënës policie tha se “Një sasi tjetër rrënjësh kanabisi me vlerë 60 mijë paund u kapën në rrugën Wadbrough, të Sheffield. Strukturat e policisë do të vazhdojnë me operacionet kundër krimit të organizuar, të përfshirë në shpërndarjen e drogës”. Serat e rritjes së kanabisit nuk janë një fenomen i ri për policinë angleze. Në shumë raste janë zbuluar emigrantë të kombësive të ndryshme, veçanërisht aziatikë që qëndrojnë për muaj të mbyllur në një shtëpi ku rritet kanabisi. Ata janë gati të bëjnë këtë punë skllavëruese për të paguar trafikantët që i kanë futur ilegalisht në Angli.