SHBA: Fluturimet me dronë mbi Gaza janë pezulluar gjatë pauzës humanitare

Ushtria amerikane njoftoi se ndaloi fluturimet me dronë zbulues mbi Rripin e Gazës për shkak të pauzës humanitare midis Hamasit dhe Izraelit. “Për shkak të pauzës operacionale dhe në përputhje me marrëveshjen e arritur midis Izraelit dhe Hamasit, ne aktualisht nuk po kryejmë fluturime të inteligjencës, mbikëqyrjes dhe zbulimit, kështu që ato janë ndalur për momentin”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder.

SHBA-ja konfirmoi publikisht se po kryente fluturime me dronë mbi Gaza më 3 nëntor dhe tha se kjo bëhej për të ndihmuar përpjekjet për të liruar më shumë se 200 pengjet e kapur më 7 tetor kur Hamasi kreu sulm ndërkufitar mbi Izraelin. Izraeli dhe Hamasi ranë dakord për pauzë humanitare katër-ditore të premten. Kjo u zgjat të hënën për dy ditë të tjera për të lehtësuar dërgimin e më shumë ndihmave humanitare në Gaza si dhe lirimin e pengjeve të tjera të mbajtura nga Hamasi dhe të burgosurit palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite.

Bisedimet po zhvillohen për një zgjatje shtesë, të cilën presidenti amerikan Joe Biden ka thënë se po përpiqet ta ndërmjetësojë. Izraeli nisi fushatë masive ushtarake në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga Hamasi më 7 tetor. Që atëherë ka vrarë mbi 15 mijë palestinezë, përfshirë 6.150 fëmijë dhe 4 mijë gra, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë.

Numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1.200./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne