SHBA-ja pretendon se Arabia Saudite ka një “pikëpamje pozitive” për normalizimin me Izraelin

SHBA-ja pretendon se Arabia Saudite ka një “pikëpamje pozitive” për normalizimin e marrëdhënieve me Izraelin, pavarësisht deklaratave të saj se nuk do ta njohin Izraelin pa arritur një zgjidhje me dy shtete. Koordinatori i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së për Komunikimet Strategjike, John Kirby, iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në një konferencë për shtyp.

Duke mbrojtur idenë e tij se është ende i mundur normalizimi i marrëdhënieve të Arabisë Saudite me Izraelin, Kirby tha se “Para 7 tetorit po punonim intensivisht. Ende vazhdojmë të punojmë intensivisht. Nga partnerët tanë në rajon përfshirë Arabinë Saudite kemi marrë reagime pozitive”. Më tej Kirby u shpreh se normalizimi i marrëdhënieve mes vendeve mund të paraqesë mundësi shtesë në çështjen e arritjes së zgjidhjes me dy shtete.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, më 18 janar u shpreh se është kundër krijimit të shtetit të Palestinës dhe se këtë ia ka njoftuar administratës së SHBA-së. Ministri saudit i Punëve të Jashtme, Faisal bin Farhan, në një intervistë për CNN, kishte deklaruar se vendi i tij nuk do ta njohë Izraelin pa u hapur një rrugë e përshtatshme për krijimin e shtetit të Palestinës dhe se nuk do të ndihmojë në rindërtimin e Gazës./AA

NDANI KËTË POSTIM

Mund tju interesojne